Arbëri

Zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut: Shqiptarët më të fortë me dy taborë politikë

Izet Mexhiti

Izet Mexhiti, zëvendëskryeministër i Maqedonisë së Veriut, ka thënë se për shqiptarët situata politike tani është më e favorshme për shkak të dy taborëve të krijuar, një në pushtet dhe një në opozitë.

Koalicioni VLEN pas zgjedhjeve të fundit në Maqedoni u fut në koalicion me VMRO-DPMNE-në. Pas dy dekadash në pushtet më nuk është Bashkimi Demokratik për Integrim i Ali Ahmetit. E Mexhiti ka qenë në këtë parti deri afër zgjedhjeve të fundit. 

Në podcastin “Rrjedha”, që transmetohet në KTV, Mexhiti ka thënë se ndarja në dy taborë politikë u bën mirë interesave të shqiptarëve.

“S’ka qenë e shëndetshme të ketë monpol politik të një partie politike për 20 vjet dhe një opozitë të derdhur pjesë-pjesë. Për herë të parë te shqiptarët ka dy taborë të fuqishëm, një në qeveri e një në opozitë dhe përplasja e tyre përfundon në interes të votuesit, në interes të shqiptarëve. Ajo (të qenit bashkë në një tabor) i ngjan komunizmit - një mendësie. Pse duhet të jemi ne shqiptarët në Maqedoni krejt bashkë? Ne s’duhet të jemi të shpërndarë në 10 parti politike sepse defaktorizohemi, por të jemi në dy taborë mendoj se është më e mira për shqiptarët”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se puna e VLEN-it në Qeveri duhet të krahasohet me punën e BDI-së në kohën kur VMRO-ja kishte vetë gjysmën e deputetëve të Kuvendit dhe e kishte marrë në koalicion partinë e Ahmetit.

Mexhiti po ashtu ka thënë se gjuha shqipe nuk e ka statusin e merituar në Maqedoninë e Veriut. Ai theksoi se pavarësisht problematikave me formulimet kushtetuese dhe ligjore, gjuha shqipe mbetet kategori kushtetuese dhe është mbi çdo ligj të miratuar. 

Mexhiti theksoi se është koha e fundit që termi “20-përqindëshi”, i cili përdoret për përkufizimin e gjuhës shqipe në Kushtetutë, të hiqet, duke e cilësuar atë si një term ofendues për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut.  

Për rivalët në opozitë, Mexhiti ka thënë se ka dalë kundër interesave amerikane. “Këtë e vërteton fakti se gjysma e Frontit Evropian janë në listat e zeza amerikane”.