Zëvendëskryeministri i Malit të Zi, Milun Zogoviq, ka thënë se qëndrimi i tij për Kosovën nuk ka ndryshuar pasi është bërë pjesë e qeverisë dhe se vazhdon ta konsiderojë “provincë jugore të Serbisë”, raporton “Aplus”, transmeton “Danas.rs”.
“Sa u përket obligimeve ndërkombëtare të Malit të Zi, gjithçka do të respektohet, por opinioni im është se Kosova është pjesë e Serbisë, e shkëputur qëllimisht. E kam shprehur këtë qëndrim edhe në Parlament, pak ditë para se t’i bashkohesha Qeverisë. Asgjë s’ka ndryshuar për mua”, ka thënë Zogoviq.
Ai ka kundërshtuar deklaratat se çka do që del nga Beogradi është e gabuar. Sipas tij, krejt kjo narrativë është “çështje e të shkuarës dhe e bazuar në platformën anti-Serbi”.
Zogoviq ka thënë se Mali i Zi duhet të ruajë raportet me Serbinë dhe të shmanget retorika nxitëse.
Qeveria e Malit të Zi u rikonstruktua më 23 korrik, dhjetë muaj pas formimit nga kryeministri Milojko Spajiq. Ajo tani ka 26 ministri dhe është më e madhja në histori të shtetit.
Qeveria ka në vete parti pro-serbe e pro-ruse.
Mali i Zi e ka njohur pavarësinë e Kosovës në tetor të vitit 2008.