Arbëri

Zëri i të pagjeturve në muzeun e pafajësisë

Sekretarja e përgjithshme e “Zërit të Prindërve”, Xhyla Haziri, ka të dhëna të hollësishme për çdo person të pagjetur nga rajoni i Mitrovicës. Qyteti i ndarë regjistroi pasluftës të vrarë e të zhdukur 817 persona. “Për momentin janë edhe 108 persona të pagjetur në komunën e Mitrovicës”, njofton ajo në zyrën e vogël të kthyer në muze pafajësie. Ora dore e xhepi, tespihe, shkrepëse, lapsa e gjësende të tjera personale të të pagjeturve ekspozohen bashkë me një biografi të shkurtër të viktimave dhe të të pagjeturve të qytetit të Mitrovicës. Veshmbathje të disa viktimave e dëshmorëve ekspozohen në arka në qoshen e muzeut të qytetit

Ismet Zasellës i kanë mbetur pak fotografi të babait martir pas djegies së shtëpive të vjetra në anën jugore të qytetit të Mitrovicës në pranverën e vitit 1999. Para se t’u dilte tymi e flaka, Vehbi Zasella do të këpuste këmbë shtratin e lumit Ibër nga “Lagjja e Boshnjakëve”, ku ishin strehuar Zasellajt. Prej asaj dite fundmarsi ’99, Ismeti nuk kishte asnjë informacion për babanë. Në fundvitin e kaluar, eshtrat e 72-vjeçarit u gjetën në varrezat e vjetra myslimane në pjesën veriore, tregon i biri.

“Kthimi” i babait në ëndërr

“Babai im ka qenë një njeri shumë i dashtun, i drejtë për fëmijë, edhe serioz ka qenë, edhe ka qenë shumë i dashtun për familje”, thekson Ismet Zasella në shtëpinë e tij. “Ka qenë edhe atdhetar”.

Ai thotë se Vehbi Zasella, në rini, ishte pjesë e lëvizjes kryengritëse balliste gjatë Luftës së Dytë Botërore. “Në kohën më të re, na tregonte, ka qenë në lëvizjen NDSH, Balli kombëtar”, thekson Ismet Zasella, duke iu referuar kryengritjes së ballistëve.

Në oborr, teksa tregon njërën prej shtëpive të vjetra të djegura gjatë luftës, shpalos ëndrrën që e pa pak ditë para se të merrte lajmin për gjetjen e mbetjeve mortore në fund të vitit të kaluar.

“Me thanë dhjetë ditë, dymbëdhjetë nuk ka qenë, më vinte përpara, edhe unë po e këqyri dhe po i them: ‘Hë, ku je?’ Tha...deshi diçka të më tregonte.... edhe në atë moment t’u qeshë, edhe ish veshur bukur”, rrëfen para shtëpisë ëndrrën.

Mitrovica ende i kërkon 108 të pagjetur

Në shoqatën “Zëri i Prindërve”, sekretarja e saj e përgjithshme, Xhyla Haziri, ka të dhëna të hollësishme për çdo person të pagjetur nga rajoni i Mitrovicës. Ajo thotë se Mitrovica regjistroi pasluftës të vrarë e të zhdukur 817 persona.

“Disa u kthyen nga burgjet të gjallë, nëpër varreza të xhamive e këndej, mbetën 337 të pagjetur”, thekson ajo. “Për momentin janë edhe 108 persona të pagjetur në Komunën e Mitrovicës”, shton ajo.

Zasella merr rrugë drejt njërës prej urave të Lumit Ibër për të dëshmuar sesi e kishin këputur këmbë shtratin e tij. Vetë Ismet Zasella ishte torturuar nga paramilitarët serbë në veri pasi i kishin nxjerrë në rrugë për t’i nisur drejt Shqipërisë.

“Erdhën paramilitarët, dhe së pari më tha mu: ‘Çu ti! Unë e kisha dorën prapa se e pashë që tha letërnjoftimin, thashë po ma lyp letërnjoftimin’”, dëshmon Zasella në urën mbi Ibër. “S’kam ditë gja, më rrëzoi, së pari më ra në krah, qaty më ka humbur vetëdija, më kish mshu në kambë, në shpinë. Mezi u çova”. Derisa të bijën e vogël po e mbante pranë vetes, do t’i vihej edhe tyta e armës automatike në gjoks.

“A po do me të vra?” – do t’i drejtohej kërcënueshëm paramilitari serb në pjesën veriore të qytetit. Zasellajt do të dëboheshin drejt Shqipërisë, por pa e ditur të vërtetën e plotë për baba Vehbiun. Por kurrë nuk do t’i harrojë fjalët e fundit të babait.

“Më tha: ‘A ki pare?’” – kujton ai. Dhe një pjesë të treqind markave që ia kishte dhënë babai, do ta shpëtonte një anëtar farefisi derisa policia serbe po kushtëzonte financiarisht kalimin e tij në kufi me Shqipërinë.

Shenjat e kujtimit të tmerrit dhe të krenarisë

Sahati me zinxhir dhe tespihet e Vehbi Zasellës janë pjesë e ekspozitës së përhershme në zyrën e vogël të shoqatës “Zëri i Prindërve” në qoshen e majtë prapa në ndërtesën e shkollës së muzikës dhe muzeut të qytetit të Mitrovicës. Me gjësende personale e biografi të shkurtra rrethohet përditë në vendin e punës, sekretarja Haziri.

“I lajmëruam edhe familjarët e tjerë, kush keni diçka gjësende, pa marrë parasysh a është gjetur ajo, që ka në xhepa, apo i keni në fioka në dhoma të tyne, atëherë sillni, Dhe gjithkush ka pru pak diçka çka kanë gjetur”, thotë Haziri para fotografive me gjësendet personale, shoqëruar me fotografi e një biografi të shkurtër të viktimave dhe të pagjeturve.

“Kemajl (Fetah) Koca, i lindur më 28.04.1978. U rrëmbye nga forcat serbe më 15.04.1999 në Mitrovicë. Nuk dihet asgjë për fatin e tij”, shkruan poshtë fotografisë e majtas shkrepëses kuqezi me shqiponjën në zemër e orës së orës me rrip metalik. Edhe familja e Deli Isufit, të rrëmbyer nga forcat serbe më 19.04.1999 ka sjellë tespihet dhe sahatin e xhepit të 46-vjeçarit nga Koshtova, për të cilin nuk dihet asgjë.

Personat e pagjetur janë të moshave të ndryshme.

“Ka në mesin e tyre edhe gra, edhe fëmijë, ka edhe të rinj”, thekson Haziri.

Në qoshen tjetër të muzeut të qytetit, “Zëri i Prindërve” ka ekspozuar fotografitë e shumicës së civilëve dhe dëshmorëve të Mitrovicës, përfshirë edhe të burrit të Xhylës, Bejtush Haziri, të ekzekutuar në veri të qytetit.

“Më 2012 i kemi ba këto arka. Këto janë rroba që i janë gjetur personalisht familjarit në varr dhe i kanë pru se thoshin nuk po dina çka me ba”, thekson Haziri. “Atëherë na ka lindur ideja me i ba në këtë formë”.

Një arkë i është kushtuar Pakize Hasan Deliut, e lindur më 1983 në Mitrovicë, e vrarë nga forcat serbe më 23.04.1999. Në bluzën e saj të bardhë e me ngjyra të ndezura në mes, shkruhet për plazhin.

“Ky djali është i Kçiqit. Aty janë 12 familjarë të plagosur, të vrarë, një a dy janë të zhdukur në mesin e tyre, që iu ka ra granata qysh janë kanë t’u nejtë në shtëpi”, thekson Haziri. Krejt janë sjellë me leje të familjarëve. Pa leje të familjarëve, ne absolutisht asgjë nuk bëjmë”.

Faji i përbashkët

Ismet Zasella te varrezat e qytetit, ku në krye është ndarë një pjesë e veçantë për dëshmorët dhe martirët e rrethinës, thotë se ndihet më i lehtësuar që tash së paku e di se ku janë eshtrat e babait. “Goxha një lehtësim i madh është kur po gjejshe eshtrat. E lus Zotin edhe të tjerët me i gjetë”, thekson Zasella.

Por kërkon më shumë vendosmëri të institucioneve që t’i bëhet presion Serbisë të kthejë mbetjet e të pagjeturve.

“Dihet çka ka armiku ynë shekullor. Unë i fajësoj tanët, por më shumë i fajësoj ndërkombëtarët pse s’i japin më shumë rëndësi kësaj pune”, thekson dëshpërueshëm ai. “Me dashtë mujnë”.

Pavarësisht dëshpërimit kundrejt institucioneve, Zasella thotë se varret e dëshmorëve dhe martirëve sipër qytetit të minatorëve, do të jenë përherë shenja të vlerës që ka lufta për liri dhe për mbrojtjen e saj.