Arbëri

Zekaj: Qeveria po shkon sipas thënies së Isa Mustafës “Prishtinën e marr me duar në xhepa”

Yll Zekaj

Avokati Yll Zekaj ka deklaruar se partia në pushtet ka hyrë në fushatë zgjedhore me moton e ish-kryeministrit Isa Mustafa “Prishtinën do ta marr me duar në xhepa”.

Sipas tij, Lëvizja Vetëvendosje thotë se do t’i marrë 500.000 vota “me duar në xhepa”.

“Kemi hyrë në fushatë pa program, por me atë mentalitetin të ish-kryeministrit Isa Mustafa që thoshte ‘Prishtinën do ta marr me duar në xhepa’. Edhe Qeveria në pushtet po shkon me mentalitetin se do të marrë gjysmën e elektoratit me duar në xhepa, pasi beson në atë që qytetari s’lexon e nuk beson në program dhe po mbështetet në karizmin e liderit të partisë apo në retoriken e mirë”, ka thënë Zekaj në “Zgjedhjet në KOHË”.

Sipas Zekajt, në zgjedhjet e kaluara Lëvizja Vetëvendosje ishte futur në fushatë me program të dejtuar.


Demolli-Nimani: Mospërmbushja nga kjo Qeveri, ka ulur vlerën e programit

Derisa panelistët në e së enjtes në “Zgjedhjet në KOHË” diskutuan mbi atë nëse votuesit ndikohen nga programi i partive politike për të votuar në zgjedhjet e 9 shkurtit apo votojnë për shkak të individëve të caktuar, drejtoresha ekzekutive e Lëvizjes FOL, Mexhide Demolli-Nimani, ka fajësuar qeverinë aktuale për uljen e vlerës së programit.

Demolli-Nimani ka thënë se mospërmbushja e premtimeve nga kjo Qeveri e ka ulur vlerën e programit zgjedhor. 

“Kjo shpresa e madhe që ishte për këtë qeveri dhe premtimet që i kishte për katër vjet, ndoshta mbi gjysmën e tyre nuk e realizuan, e kanë zbehur edhe idenë që dikush të shikojë program dhe të besojë në të. Kjo ka ndikuar fatkeqësisht për të keq. Unë shfrytëzoj rastin t’iu bëj thirrje qytetarëve që t’i shohin programet sepse vetëm kështu mund t’i bëjnë llogaridhënës. Uroj që Qeveria e ardhshme të jetë më llogaridhënëse se kjo dhe të ketë më shumë transparencë në të gjitha punët që i bën. 


Zeneli: Vendimi i PZAP-së për gjobitje të partive nuk është i argumentuar

Profesori universitar, Alban Zeneli, ka thënë se vendimi i Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) për gjobitje të partive nuk është i argumentuar.

Te “Zgjedhjet në KOHË” të enjten, Zeneli ka thënë se përkundër qëllimit të mirë për ndalim të gjuhës së urrejtjes, ky vendim nuk është i argumentuar mjaftueshëm.

“Kufijtë e lirisë së shprehjes dhe asaj se çfarë është gjuhë e urrejtjes dhe asaj se çfarë është liri e shprehjes shpeshherë përcaktohen ndryshe në shoqëri të ndryshme në varësi nga konteksti, rrethanat në të cilat është zhvilluar ajo shoqëri. Te rasti i PZAP-së përkundër qëllimit të mirë të ndalimit të një gjuhe që tash kalon në gjuhë të urrejtjes, nuk e shoh të argumentuar mjaftueshëm qëllimin për çka e ka marrë këtë vendim PZAP-ja. Tash kjo mbetet të shihet në procedura ligjore”, ka thënë ai.

PZAP-ja ka dënuar me 20 mijë euro Lidhjen Demokratike të Kosovës, me 12 mijë euro Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës dhe me tre mijë euro Lëvizjen Vetëvendosje për shkelje të “Kodit të Mirësjelljes” gjatë fushatës zgjedhore.


Hoxha: Gjuha fyese e partive tregon se ka mungesë të edukimit të votuesve

Erblin Hoxha, njohës i çështjeve politike në Oda Consulting, ka deklaruar se gjuha fyese e partive politike gjatë fushatës tregon se qytetarët kanë mungesë edukimi, gjë që sipas tij, s’bën që ajo gjuhë të dënohet nga votuesit.

Ai ka thënë të enjten në “Zgjedhjet në KOHË’ se votuesit po e shohin gjuhën fyese si nxitëse, derisa shtoi se sikur qytetarët të ishin më të edukuar “do ta dënonin këtë gjuhë”.

“Kjo gjuhë ka vazhduar për katër vjet. Duket se do të vazhdojë edhe në çdo zgjedhje pasi është lojë politike. Lojë me ndjenja, e jo me logjikë. Po të ishim idealë, në demokraci do të duhej që vendimet të merreshin me programe. Duhet të kemi edukim të lartë të qytetarëve që votojnë, që të bindin qytetarin nga vendet rurale që me program shumë të mirë të binden me votë”, ka thënë Hoxha.

Ai ka shtuar tutje se ofendimet mes partive po shihen “si ring boksi ku qytetarët janë shikues”.

“Kjo gjuhë është si rezultat i mungesës së edukimit, që vetë qytetari të penalizojë një parti për një gjuhë të tillë. Derisa qytetari s'thotë se s’do të votojë një parti për një gjuhë të tillë, institucioni s'mund të korrigjojë veprimet”, ka shtuar ai, derisa komentoi dënimin e PZAP-së ndaj partive politike për gjuhë ofenduese.