Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj, ka thënë se 99 për qind të premtimeve të dhëna Qeveria nuk i ka realizuar.
Ai ka shtuar se të hënën, 2 dhjetor, në seancën ku do të diskutohet për qeverisjen e Albin Kurtit do të jenë fokus tri tema – zhvillimi ekonomik, korrupsioni dhe relacioni i Kosovës me partnerët ndërkombëtarë.
“Kur i listojmë premtimet del se 99% të premtimeve nuk janë realizuar. Mos të flasim për premtimet e mëdha, bashkimi kombëtar, dialogu, raporti me Serbinë, investimet e mëdha, 400 banesa për të rinj, 160 çerdhe, luftimi i korrupsionit, shkelja e ligjit. E kemi një Qeveri që ka thënë kush e shkel ligjin është kriminel, kush e shkel Kushtetutën është superkriminel, i kemi 10 shkelje kushtetuese, sot me i pyet thonë po e pengojnë reformën tonë”, ka thënë ai në “60 minuta” të KTV-së.
Zemaj ka potencuar se më e rëndë është gjendja ekonomike dhe se për këtë Qeveria nuk ka ndërmarrë asnjë masë.
“Ne sot e kemi një ekonomi totalisht të ngecur pavarësisht statistikave të mashtrimit që i jep Qeveria... Ajo që e kemi më të rëndë është që 60% e pagës bazë për 2-3 ditët e para të muajit çdo familje e shpenzon për ushqime bazike. Çka ka bë Qeveria për ta mbrojtur qytetarin, për parandalimin e çmimeve ekstreme dhe parandalimit të inflacionit ekstrem. Në Kosovë gjatë qeverisjes Kurti janë mbi 2400 tenderë njëburimorë, afër 300 milionë të tenderëve të negociuar. Ne nuk e dimë çka ka ndodhë, por Prokuroria ka nisur hetim”.
Sipas tij, akterët politikë të pozitës janë pasuruar vetë me keqpërdorim të parasë publike.
“Aq keq janë demaskuar me këto hajni të parasë publike, me keqpërdorimin e fondeve publike, janë treguar të dobët, të paaftë dhe agresiv në përvetimin e fondeve publike dhe e them me përgjegjësi sepse i njohim, e dimë kush kanë qenë para 5 vjete, e dinë kush janë sot. E shohin pasurinë e tyre, dukjen e tyre... jo që ka më të pasuruar por është e dëshmuar me deklaratat e tyre të pasurisë”, u shpreh tutje.
Zemaj ka theksuar se Qeveria aktuale është e vetmja që asnjëherë nuk ka marrë përgjegjësi dhe kryeministri Kurti i vetmi që ka mbrojtur njerëz me afera korruptive e shkeljet kundërkushtetuese.
“Kjo qeveri që nga fillimi e ka njohur vetëm presionin, nga atë mbi të cilën ka ardhur në pushtet, mbi mashtrimin. Sa herë është zënë në flagrancë janë tërhequr, por asnjëherë duke marrë përgjegjësi. Është qeverisja më e keqja negative në kuptimin e llogaridhënies sepse është i vetmi kryeministër që ka mbrojtur njerëz me afera korruptive, është kryeministër që i vetmi ka mbrojtur shkeljet kundërkushtetuese”.