Diplomatë të akredituar në Kosovë kanë përshëndetur vendimin e Qeverisë, për të lejuar importet e të gjitha mallrave nga Serbia, nëpërmjet pikëkalimit në Merdar. Ambasadori amerikan, Jeffrey Hovenier, tha se vendimi ka ndikim edhe në proces integrimi, e ambasadori gjerman, Jorn Rohde, si dhe kolegu i tij francez, Olivier Guerot, dhanë sinjale se kjo është masë e mjaftueshme për t’ia siguruar pjesëmarrjen Kosovës në samitin e radhës të Procesit të Berlinit
Saktësisht 10 minuta pas mesditës së të martës ka hyrë në Kosovë mauna e parë me mallra të Serbisë, të cilat nuk është lejuar të importoheshin prej rreth 15 muajsh.
E shoqëruar nga një patrullë e Policisë së Kosovës e nga një ekip i Doganës, ajo kaloi pikëkalimin kufitar dhe iu drejtua Terminalit Doganor, disa metra larg kufirit.
Maunet me produkte serbe iu nënshtruan një kontrolli të detajuar nga autoritetet e Kosovës pas kalimit në pikën kufitare në Merdar. Ky vendkalim është i vetmi në të cilën mund të kalojnë mallrat nga Serbia pas heqjes së ndalesës të vendosur një vit më parë. Ndalesa ndaj këtyre produkteve vazhdon të jetë në fuqi në të gjitha pikat e tjera kufitare me Serbinë.
Autoritetet nuk lejuan qasje gjatë kontrollit të kamionit. Informacione nuk u dhanë as për produktet që ka transportuar.
Mauna hyri në Kosovë, rreth 24 orë pasi Qeveria ndryshoi masën e sigurisë për importet serbe, e cila qarkullimin e kufizuar të mallrave e zëvendësoi me kontrolle detale.
Hyrja në fuqi e vendimit iu krijoi probleme transportuesve të mallrave të tjera, të cilat nuk kanë qenë të prekur nga masa.
Visar Rexhepi, përfaqësues i një firme transportuese të grurit serb, tha se kamionët kanë mbetur të bllokuar në terminal që nga e hëna.
“Me herët nuk kemi pasur. Për gjysmë ore, 1 orë kamioni. Tash po kemi problem, edhe në kufi kontroll të shtuar edhe në doganë. Ne kemi hyrë në ora 4 sot, kemi pasë me u ngarku prapë për nesër, por nuk po mundemi me u kthy”, ka thënë Rexhepi. “Nëse vazhdon kështu, na për veti nuk kemi me mujtë me punu, me bajt material, me bajt grurin se mbesim 3-4 ditë me një tur. Nuk na u paguhet as neve as shoferëve, as si kompani transportuese”.
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, tha se heqja e ndalesës së importeve nëpërmjet pikës kufitare në Merdar, është bërë pas vlerësimit të situatës së sigurisë.
“Bazuar në vlerësimin e situatës së sigurisë nga ana e MPB-së, në pikëkalimin kufitar Merdar, për mallrat me origjinë nga Serbia do të kalohet nga faza e qarkullimit të kufizuar të mallrave në fazën e qarkullimit të mallrave me kontrolle manuale të sigurisë. Andaj, me efekt të menjëhershëm, pika kufitare në Merdar do të jetë e hapur për të gjitha mallrat, të cilat do t’u nënshtrohen kontrolleve manuale të sigurisë deri në funksionalizimin e skanerëve me rreze X”, ka deklaruar ministri Sveçla. “Pikat e tjera kufitare me Serbinë do të hapen për të gjitha mallrat në momentin kur skanerët me rreze X bëhen funksionalë në ato pika kufitare. Transportuesit e mallrave gjatë kësaj periudhe duhet të kenë parasysh këtë ndryshim dhe të bëjnë planifikimin e duhur të kohës së nevojshme për procedurat e reja të kalimit të pikës kufitare”.
Qeveria ka ndalur importet nga Serbia pas kapjes së tre policëve nga forcat serbe brenda territorit të Kosovës, tensioneve në veri dhe pas dyshimeve se nëpërmjet mallrave janë futur ilegalisht armë.
E, jejimi i importeve të Serbisë nëpërmjet pikëkalimit kufitar në Merdar, është mirëpritur nga ndërkombëtarët, pas presionit të të cilëve Qeveria hoqi masën e sigurisë që ende vlen në dy pikëkalimet kufitare në veri.
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë se vendimi ka ndikim edhe në procesin e integrimit.
“I kënaqur me vendimin e Qeverisë së Kosovës për heqjen e ndalimit për mallrat e gatshme të importuara nga Serbia. Ky është një hap i rëndësishëm në drejtimin e duhur për Kosovën në rrugën e saj drejt integrimit evropian. Ne vlerësojmë partnerët tanë ndërkombëtarë për përpjekjet e tyre të vazhdueshme për të promovuar tregtinë e lirë në rajon”, ka shkruar ambasadori Hovenier.
Vendimi është përshëndetur edhe nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë.
“Mirëpresim heqjen e kufizimeve për hyrjen e produkteve të gatshme serbe në Kosovë përmes Merdarit. Tregtia e lirë e mallrave në të gjithë Ballkanin Perëndimor, në përputhje me rregullat e CEFTA-s, është çelësi për funksionimin e Tregut të Përbashkët Rajonal, i cili është pjesë integrale e Planit të Rritjes. Për të mirën e njerëzve dhe të bizneseve”, shkruan në një komunikatë të kësaj Zyre.
Gjermania ka insistuar më së shumti për heqjen e masës. Përfaqësues të këtij shteti kërcënuan se, nëse ajo nuk do të hiqej, Kosova nuk do të ftohet në samitin e Procesit të Berlinit, që mbahet të hënën e ardhshme.
Ambasadori gjerman, Jorn Rohde, dha sinjale se vendimi për ta hapur një vendkalim kufitar për importe nga Serbia, është masë e mjaftueshme për t’ia siguruar pjesëmarrjen Kosovës në samit.
“Tregtia e lirë jo vetëm që nxit ekonomitë lokale dhe rajonale, por gjithashtu hap dyert për pjesëmarrje në iniciativat rajonale dhe evropiane. Shkëlqyeshëm të shoh se po ndodh”, ka theksuar ambasadori Rohde.
E ambasadori i Francës, Olivier Guerot, ka qenë më i drejtpërdrejt. Ai ka përmendur ndikimin që vendimi do të ketë për Kosovën.
“E mirëpres vendimin e Qeverisë së Kosovës që të hapë pikëkalimin kufitar në Merdar për mallrat nga Serbia. Ky është vendim i rëndësishëm që mundëson përparim në integrimin rajonal (Procesin e Berlinit) dhe drejt integrimit evropian. Përpjekja multilaterale e zgjidhjes së mosmarrëveshjeve sjell fryte të qëndrueshme”, ka theksuar ambasadori Guerot.
Gjatë ditës, edhe Ambasada e Italisë e ka mirëpritur vendimin.
Në njoftimin ambasadës thuhet se kjo lëvizje është kyçe për integrimin rajonal, të parashikuar nga Procesi i Berlinit.
“Italia është e kënaqur që sheh Qeverinë e Kosovës duke hapur pikëkalimin në Merdar për mallrat nga Serbia. Është lëvizje kyç për integrimin rajonal të parashikuar nga Procesi i Berlinit dhe një hap më afër integrimit në BE i inkurajuar nga Plani i Rritjes”, thuhet në reagimin e ambasadës në platformën “X”.
Vendimi për ndalesën e importeve të Serbisë është kritikuar nga ndërkombëtarët, ndonëse autoritetet e Kosovës thanë se kjo nuk ishte masë tregtare, por e sigurisë, shkaku i dyshimeve se me këto mallra, shumë armë janë futur ilegalisht në Kosovë.