Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka akuzuar prokurorinë në vend pasi pushoi hetimet për një pronë milionëshe në lagjen “Veternik” në Prishtinë, pasi pranoi një zarf nga Serbia përmes rrugëve jozyrtare.
“Betimi për Drejtësi” në Kohavision raportoi të shtunën për misterin e zarfit nga Serbia, që sipas Prokurorisë përmban të vërtetën, ndërsa sipas njërës familje ishte dyshim tjetër për mashtrim në rast. E ministrja Haxhiu, tek ka shkruar për rastin duke kërkuar hetime dhe duke akuzuar prokurorët, ka thënë se, sipas raportimeve, në Serbi është mohuar nga autoritetet se kanë të bëjnë me dërgesën.
“Rasti me tokën në lagjen “Veternik” të Prishtinës dhe kjo që ndodhi me zarfin që sipas raportimeve del të jetë dokument i falsifikuar nga Beogradi, me të cilin dokument, Prokuroria Speciale mbylli hetimet është vërtetë shembull se si ka funksionuar e funksionon ende drejtësia në Republikën e Kosovës. Pra, në mënyrë të falsifikuar i merret prona qytetarit dhe në mënyrë të falsifikuar nga Serbia po ashtu, mbyllet rasti në dëm të qytetarit”, ka shkruar ajo në Facebook.
Haxhiu ka thënë se Vetëvendosje e ka parë vazhdimisht vettingun si të vetmen mundësi për të dalë nga gjendja.
Megjithatë, sipas saj ka pasur rezistencë nga qarqe të ndryshme si në politikë po ashtu edhe në drejtësi.
“Mirëpo ka pasur një siklet dhe rezistencë nga qarqe të ndryshme, sa në politikë sa në drejtësi ndaj këtij procesi, ndërkaq kemi parë për këto 4 vite qeverisje se si qindra lëndë janë dorëzuar vetëm nga kabineti qeveritar me afera nga kohët e kaluara për të cilat në asnjë rast të vetëm nuk kemi parë të jetë ndërmarrë diçka nga ana e Prokurorisë Speciale. Në anën tjetër, kemi parë që ndaj qeverisë, ministrave e zyrtarëve të subjektit prej nga jemi, ka pasur reagime e impulse nga ana e kësaj Prokurorie, madje edhe për statuse facebook-u se lëre më diçka më shumë”, ka thënë tutje Haxhiu.
Ajo po ashtu ka thënë se Ministria u ka dërguar letra organeve kompetente në Serbi për të marrë përgjigje për pronësinë, por asnjëherë s’ka marrë përgjigje.
Ajo ka kërkuar hetime për rastin edhe për pretendimet e përfshirjes së akterëve institucionalë të drejtësisë në të.
“Si ministre e drejtësisë, jam vërtetë e shqetësuar me gjithë këtë rast, veçanërisht, dhe me pretendimet e përfshirjes edhe të akterëve institucional të drejtësisë në këtë rast të kësaj prone, që nga vet prona deri te mbyllja e rastit me dokumente të falsifikuara. Autoriteti përgjegjës me urgjencë duhet të hetojë mbylljen e dyshimtë të këtij rasti nga Prokuroria Speciale përmes dokumenteve të falsifikuara dhe të trajtojë po ashtu shqetësimet e faktuara të familjes së dëmtuar për lidhjet në këtë rast të vet prokurorëve special të Kosovës me vet pronën konkrete”, ka shtuar Haxhiu. “Drejtësia ka kuptim veç kur e mbron të dobëtin nga i forti e i pushtetshmi. Kur i pushtetshmi lidhet me krimin aty krimi bëhet i organizuar dhe institucional. Aty bie edhe drejtësia, demokracia e republika. Dhe kjo nuk duhet të tolerohet”.
Pas kësaj, ka reaguar Prokuroria Speciale që e ka quajtur qasje “joproduktive” të ministres Haxhiu.
Tek ka mohuar se rasti ka qenë i kësaj prokuroria, Specialja i ka konsideruar të qëllimshme dhe tendencioze akuzat e ministres.
“Nisur nga fakti se nuk është hera e pare që ballafaqohemi me sulme të tilla dhe deklarata të pavërteta nga ministrja Haxhiu, Prokuroria Speciale, i bën thirrje ministres së drejtësisë dhe të gjithë personave tjerë që kanë synim pengimin e kësaj prokurorie në realizimin e mandatit të saj, që të përmbahen nga deklarime të tilla të pavërteta, tendencioze dhe qëllimkëqija. Për më tepër, Prokuroria Speciale siguron opinionin publik, se veprimet e tilla të ministres së drejtësisë dhe të kujtdo tjetër, në asnjë moment dhe rrethanë nuk do të ndikojnë që kjo prokurori ta ushtroj mandatin e saj në drejtim të luftimit të kriminalitetit dhe ndjekjen e kryesve të veprave penale, pavarësisht se kush janë ata”, thuhet në sqarim.
E ministrja Haxhiu, në përgjigje e ka pranuar se ka bërë lëshim kur ka thënë se adresa e dërgimit të zarfit ka qenë Specialja. Megjithatë, ajo ka kërkuar nga Prokuroria Speciale që t’i përgjigjet pretendimeve të familjarëve në kontekst se zyrtarë të saj kanë gisht në rast.
“Në lidhje me reagimin e Prokurorisë Speciale e ndjej të obligueshme t’i përgjigjem që i vetmi lëshim në reagimin tim është te adresa e dërgimit të zarfit dhe Prokuroria që e ka në dorë rastin, që është ajo themelorja, ndërkaq pretendimet e familjarëve që përmendin se në këtë rast ka të përfshirë edhe persona nga vet Prokuroria Speciale janë të sakta në reagimin tim dhe tashmë ato janë bërë publike. Kështuqë Prokuroria Speciale para se të më përgjigjet mua brenda orësh është mirë t’i përgjigjet pretendimeve, për të cilat nuk ka thënë asnjëherë asgjë madje as sot”, ka shtuar ajo.
Historiku i betejës për këtë pronë është i gjatë. Fitimi i pronësisë brenda 9 muajve, sekuestrimi e mossekuestrimi i saj, arratisje, arrestime, dokumente të dyshuara si të falsifikuara, përfshirje të zyrtarëve të lartë, dyshime për fshehje të provave e deri tek mbyllja e hetimeve nga shkalla e parë e Prokurorisë.
Nexhat dhe Gursel Sadiku pretendojnë se kjo pronë iu është marrë atyre përmes falsifikimit të dokumenteve dhe mashtrimit.
“Realisht, kjo është toka jonë, është historikisht toka jona, ne kemi fletëposeduese të vitit 1961 e cila e vërteton se kjo tokë është e jona dhe historikisht jemi në Gjykata për vërtetimin e pronësisë të kësaj toke, Nga viti 1984 kur kemi iniciuar vërtetimin e kësaj toke kemi qenë në kontekst me AKP-në, deri në vitin 1999 kur filloi lufta në Kosovë. Me përfundimin e luftës 1999 në vitin 2000 ne vazhdojmë procesin ku ka mbete në Gjykatë të Prishtinës. Prej atij viti kemi bo padi në institucionet në Gjykatat e Kosovës në vitin 2010, formohet Dhoma e Posaçme e cila është kompetente për trajtimin e lëndëve që janë kontekste shoqërore me AKP-në. Në 2010, në të njëjtin vit ne bëjmë padi tek kjo Dhomë që është kompetente për trajtimin e këtyre lëndëve”, ka thënë Egyn Sadiku, djali i palës së dëmtuar Nexhat Sadiku.
Padia që Nexhat dhe Gursel Sadiku kishin bërë për vërtetim të pronësisë nuk ishte trajtuar për 7 vjet nga Gjykata, madje ata nuk kishin marrë as ftesë për seancë.
“Në vitin 2020/21 e kuptojmë që toka jonë për të cilën ne jemi në procedura gjyqësore, ka pësuar është tjetërsuar dhe ka dal në emër të dikujt tjetër”, ka shtuar ai.
Derisa familja Sadiku po ndiqte procesin gjyqësor prej dekadash për fitimin e të drejtës së tyre, prona i kaloi dikujt tjetër dhe madje në procedurë të përshpejtuar.
Kjo pronë, me procedurë të përshpejtuar i kishte kaluar Zojë Hysenit, 84-vjeçare e cila kishte vdekur gjatë procedurave gjyqësore.
“Në 2014, kur Zoja bën padinë në Dhomë të Posaçme, formohet prapë një trup gjykues, prapë prej tre gjyqtarëve të cilët janë gjyqtarët e njëjtë të rastit të padisë tonë nga 2010. Brenda 9 muaj ditëve në 2015 i njihet e drejta për 9 hektar tokë në Veternik të Prishtinës, pjesë e këtyre 9 hektarëve është edhe parcela 1743, e cila është toka e babait tim”, ka thënë Sadiku.
Emri i të ndjerës Zojë Hyseni, dyshohej të ishte përdorur për një skemë të madhe mashtrimi, pikërisht nga djali i saj Ylber Hyseni. Ai fillimisht në të gjitha dokumentet do paraqitej si përfaqësues i saj, e më pas dhe si trashëgimtari i vetëm i kësaj prone milionëshe.
Pa vonuar, Hyseni pronën filloi ta parcelizonte dhe shiste.
Palët e dëmtuara, Nexhat dhe Gursel Sadiku, kishin iniciuar rast në Prokurori mbi pretendimet se dokumentet pronësore me të cilat e ndjera kishte fituar pronësinë, sipas ekspertizave grafologjike që kishin bërë ishin të falsifikuara.
Hulumtimi i “Betimi për Drejtësi” dhe debati i zhvilluar në “Tempus” më 13 shtator 2021 do bënte që Prokuroria të trajtonte kallëzimin penal të bërë nga palët.
Për këtë rast, ishte lëshuar urdhërarrest për Ylber Hysenin i cili gjendej në arrati, ndërsa ishte arrestuar bashkëpunëtori i tij Afrim Gashi, i cili ishte autorizuar nga Ylber Hyseni për të bërë shitblerjen e kësaj prone.
Mbi këtë bazë, Prokuroria Themelore në Prishtinë kishte kërkuar 5 herë radhazi sekuestrimin e përhershëm të kësaj prone. Kërkesë kjo që ishte refuzuar pesë herë nga Gjykata Themelore në Prishtinë dhe kthyer në rivendosje katër herë nga Apeli.
Kontradikta ishte se për rastin e njëjtë, Afrim Gashi po mbahej në arrest shtëpiak, derisa prona nuk sekuestrohej.
“Edhe për bindjen time është bajagi e paqartë të thuash këtu se nuk ekziston dyshimi i bazuar që ka kryer veprën penale, ndërsa atje të thuash që nuk ekziston dyshimi i bazuar se dhe njëra edhe tjetra nuk mund të shqiptohen pa ekzistu dyshimi i bazuar”, kishte thënë profesori universitar Fejzullah Hasani.