Arbëri

Ymeri: Qëkur erdhi në pushtet, Kurti po bën luftë të ashpër për shkatërrim të sindikatave

Ymer Ymeri

Ymer Ymeri nga Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), e ka akuzuar kryeministrin Albin Kurti që me ardhjen në pushtet, po bën luftë të ashpër për shkatërrimin e sindikatave. 

Sipas tij, Kurti ka nuk i ka mbajtur fjalët e tij, pasi para marrjes së postit ka premtuar dialog me sindikatat, por që atëherë nuk e ka zhvilluar asnjë takim të vetëm e as nuk ka bashkëpunuar. 

“Në takimet që i kemi bërë para se të vijë në pushtet, ndoshta edhe në fillim të mandatit të qeverisjes, ne sindikatat kemi thënë të lumtë ne që erdhi ky sepse programi i njëjtë. Premtimet që i ka dhënë dhe ka thënë se për çdo vendim do të bashkëpunojë, do të jetë bashkë e të japë ide, në realitet kur e mori mandatin ndodhi e kundërta. Asnjëherë nuk i ka takuar sindikatat. E bëri të kundërtën e asaj që e ka thënë, tha se nuk do të bisedojë me Serbinë, por bisedoi. Tha se do të bisedojë me sindikatat, por nuk e bëri, madje e bëri një luftë të ashpër për t’i shkatërruar sindikatat”, ka thënë ai.

Ymeri ka thënë se qeveria aktuale po tenton t’i frikësojë dhe përçajë punëtorët e arsimit.

“Kryeministri i shtetit duhet të brengoset shumë nëse vetëm një orë humbet nga mësimi në krejt Kosovën, jo pesë javë. E para duhet të jetë brengë e kryeministrit dhe të ketë bashkëpunim, ai asnjëherë nuk ka shprehur gatishmëri bashkëpunimi. Me anë të frikësimit dhe tentimit të përçarjes nuk mund të ndikosh te punëtorët e arsimit. Kjo qeveri e ka bërë të kundërtën e asaj që e ka thënë, pse duhet t’i besojmë? Që nga greva deri më tash jemi takuar dy herë me ministren e Arsimit. Me kryeministrin asnjëherë nuk kemi pasur takim, ka pasur mbase kryetari i BSPK-së, Atdhe Hykolli, por nuk ka pasur asnjëherë asnjë rezultat”, është shprehur tutje ai. 

Për rritjen e pagave prej 55 eurosh që nga janari, Ymeri ka thënë se është e pamjaftueshme dhe nënçmim për punëtorët. 

“Rritja prej 55 eurove bruto prej janarit nuk është e mjaftueshme. Karshi vendeve të rajonit ku rritja p.sh., në Shqipëri ka qenë për 300-350 euro, rritja prej 55 eurove është nënçmim për punëtorët”, ka thënë ai.