Iniciativa e të rinjve për të drejtat e njeriut në Kosovë (YIHR KS), ka zhvilluar të hënën aksion para Kuvendit të Kosovës, për nder të Ditës së Kushtetutës.
Sipas kësaj organizate, diskriminimi, margjinalizimi dhe padrejtësitë sistematike vazhdojnë të jenë mbizotëruese, duke cenuar mirëqenien, dinjitetin dhe të drejtat e grupeve më të margjinalizuara të shoqërisë, për çka institucionet po heshtin.
Sipas YIHR-së, Kushtetuta po shkelet nga vetë Kuvendi i Kosovës.
“Femicidi po vazhdon, dhuna në baza gjinore dhe seksuale po vazhdon, homofobia po vazhdon, padrejtësitë e panumërta janë përreth nesh, dhe shteti ynë po hesht, institucionet tona bashkë me ata në krye po heshtin. Kushtetuta ynë po injorohet, përkundër faktit që qartë liston vlerat dhe të drejtat e secilit. Është edhe më tragjike të mendosh që kjo Kushtetutë po shkelet nga vetë Kuvendi i Republikës së Kosovës, dhe deputetet që gëzojnë të drejtat dhe privilegjet e kësaj Kushtetutës”, thuhet në komunikatën e kësaj organizate.
Më tej është përmendur padia që kjo organizatë e ka ngritur në Gjykatën Themelore në Prishtinë dhe ankesa në Institucionin e Avokatit të Popullit, për shkak të cenimit të dinjitetit dhe diskriminimit të personave LGBTIQ+, gjatë seancës plenare të Kuvendit të Republikës së Kosovës, të datës 16 mars 2022, kundër Kuvendit dhe deputetes Labinotë Demi-Murtezi.
“Këtë ditë të Kushtetutës, ne ritheksojmë që lufta jonë për barazi dhe liri, për zhdukje të diskriminimit vazhdon më shumë se kurrë. Ne refuzojmë të mbyllim sytë, dhe refuzojmë të pranojmë fjalë dhe sjellje denigruese, diskriminuese dhe cenuese nga deputetët të cilët thirren ne emër të po të njëjtës Kushtetutë që e përbuzin. Prandaj, i bëjmë thirrje çdo deputeti e deputeteje që të dëgjojë qartë thirrjen tonë, të respektojnë betimin e tyre në detyrë dhe të përmbushin detyrat e tyre kushtetuese për të mbrojtur dhe promovuar të drejtat e njeriut për të gjithë. Kërkojmë transparencë, llogaridhënie dhe veprim vendimtar përballë padrejtësisë. Ne kërkojmë masa legjislative që çmontojnë sistemet e shtypjes, dhe luftojnë kundër keqpërdorimit të foltores së Kuvendit të Kosovës”, thuhet në komunikatë.