“Shumë herë kam qenë, më kanë rrahur, më kanë lidhur, sepse unë nuk pranova t’u jap informata. Edhe pse nuk u kam dhanë informata, pastaj edhe armë kërkonin, më kanë rrahur, më maltretonin fizikisht dhe qaty te shkallët më kanë gjujtë për të dekun”, rrëfen Shaip Curri para shkallëve të bodrumit të Xhamisë së Çarshisë, të ndërtuar mbi themelet e stacionit policor serb në Han të Elezit. Në bodrum priteshin me dajak të gjithë ata që refuzonin të bashkëpunonin. Aty ku dikur torturoheshin shqiptarët, sot bëhet thirrje për paqe
Vendi ku derdhej gjaku i qytetarëve të keqtrajtuar nga policët serbë, pas luftës u kthye në faltore prej ku bëhet thirrje për dhurimin e gjakut për t’i shpëtuar jetët e të tjerëve.
Xhamia e Çarshisë e Hanit të Elezit u ndërtua mbi themelet e stacionit policor në zemrën e qytezës kufitare. Komuna e xhamia nuk kanë asnjë fotografi të objektit, por të mbijetuarit ua dëshmojnë shpesh të rinjve tmerrin e përjetuar mu aty.
“Më kanë gjujtë për të dekun”
Në liri i panë me sytë e tyre njollat e gjakut të tyre të zverdhur nëpër muret e stacionit para se më 2003 të rrënohej stacioni dhe më 2006 të përfundonte ndërtimi i xhamisë.
Në katin e parë merreshin në pyetje. Në bodrum i priste dajaku.
Shaip Curri, pos që prej dyqanit përballë i shihte me sytë e tij të gjithë të torturuarit që mezi mbaheshin në këmbë derisa dilnin nga stacioni, edhe vetë do të keqtrajtohej në qilarin e torturave.
“Shumë herë kam qenë, më kanë rrahur më kanë lidhur, sepse unë nuk pranova t’u jap informata. Edhe pse nuk u kam dhanë informata, pastaj edhe armë kërkonin, më kanë rrahur, më maltretonin fizikisht dhe qaty te shkallët më kanë gjujtë për të dekun”, rrëfen Curri, para shkallëve që çojnë në bodrumin e xhamisë. “Por, nuk ka dashur Zoti”.
Salih Vila është një tjetër qytetar që do të merrej në pyetje e do të torturohej nga pjesëtarët e regjimit të Serbisë.
“Kur ardhshe këtu, u dashke me t’iu grahë, ose gjallë nuk dilshe”, thekson Vila, duke dëshmuar keqtrajtimet e xhaxhait të ndjerë. “Kaq ia kanë pasë ba kryet e këmbët”, thekson Vila, duke ngritur duart anash kokës.
Nëpër ferrin e stacionit policor ka kaluar edhe Muzafer Dernjani, kryetar i Këshillit për Financim, e nënkryetar i Degës së LDK-së në Han të Elezit në vitet nëntëdhjetë.
“Ky vend na ka lanë shumë preokupime të dhimbshme, tamam të dhimbshme, sepse në stacionin policor ka pasur shumë maltretime e keqtrajtime, sidomos gjatë masave të dhunshme gjatë viteve nëntëdhjetë”, thekson Dernjani në korridorin e katit të parë.
Dëshmitë e padisë së Hanit të Elezit
Si kryetar i Komisionit për Informim të LDK-së dhe kryetar i KMDLNJ-së për Han të Elezit, Rufki Suma monitoronte gjithçka. Të arrestuarve pastaj ua merrte dëshmitë për arrestimin dhe keqtrajtimin, të cilat përpiloheshin në raportet e përgjithshme të KMDLNJ-së, me qëllim të sensibilizimit të bashkësisë ndërkombëtare për gjendjen në Kosovë. Ende e ruan dëshminë dorëshkrim të Vilës. Edhe vetë ishte keqtrajtuar para se të bëhej pjesë e UÇK-së.
Komuna e Hanit të Elezit më 2012 ka ngritur në Prokurorinë Speciale të Kosovës padi kundër Serbisë për krimet e kryera në territorin e komunës së udhëhequr nga kryetari apartiak. Ai shfleton dokumentet me dëshmi e fotografi të krimeve serbe. Padia ishte rezultat i punës njëvjeçare të komisionit të themeluar nga Komuna e Hanit të Elezit.
“Edhe tash janë të gjitha informatat që i përmenda nga viti 1989 deri më 1999, çfarëdo që ndodhur në Han të Elezit, krejt informacionet janë këtu”, thekson Suma. “Për çdo ditë, me data të caktuara, domethënë vrasjen e të riut te kazerma ushtarake. Kemi pasur vrasjen e fëmijës, Isa Berisha. Vrasjen e ushtarit në ish-armatën jugosllave, Izet Bushi”.
Asnjë fotografi e stacionit
Kryetarit të Këshillit Lokal të Bashkësisë Islame, Musa Vila, i vjen keq që nuk është ruajtur asnjë fotografi e ndërtesës së stacionit policor. Në zyrë i ruan disa sosh pas fillimit të punës për rrënimin e tij. Ai thotë se në stacionin policor të qytezës jugore ishin keqtrajtuar edhe shumë qytetarë që nuk ishin banorë të rrethinës, por që ishin arrestuar derisa po kalonin kufirin me Maqedoninë Veriore.
“Dhe kur kemi ardhur kemi hasur muret krejt gjak, edhe rroba të brendshme të gjinisë femërore, edhe rroba të njerëzve të tjerë të keqtrajtuar”, thotë Vila në zyrën e tij në katin e dytë. Ai thotë se kthimi i vendit të torturës në faltore u nis me qëllim që të gjithë “ta gjenin qetësimin shpirtëror”.
Në zyrën e tij, kryetari i Hanit të Elezit, Rufki Suma, tregon edhe ekzemplarë të aktiviteteve vullnetare për të mbajtur gjallë nëpërmjet sportit e kulturës frymën kombëtare. Ai thotë se edhe hoxhallarët e rrethinës kanë dhënë kontribut të madh para dhe gjatë luftës.
“Hoxhallarët e kanë treguar veten edhe para se me fillu lufta, sepse në hytbe janë motivu në aspektin kombëtar”, thekson Suma, duke thënë se “mbi 90 për qind e ushtarëve që sot janë në Han të Elezit, ishin pjesë e luftës çlirimtare”.
“Xhumanë tjetër do ta falim në mal, tek ushtarët”
Vila thotë gjatë viteve të luftës imamët ishin udhëzuar që t’i frymëzonin të rinjtë ta ndihmonin kryengritjen e armatosur në të gjitha format e mundshme. Ai tregon se çfarë i tha xhematit gjatë ligjëratës së xhumasë në xhaminë e vjetër.
“Ajo çfarë vlen të potencohet është se herën e fundit u kam thënë në hytbe që ‘të gjithë ne, pavarësisht kush çka ka, duhet të shkrihemi me pasuri, edhe vetveten tonë, për UÇK-në, duhet t’i bashkangjitemi UÇK-së dhe javën tjetër nuk do të ketë më xhuma në Han të Elezit dhe xhumanë tjetër do ta falim në mal, tek ushtarët’”, kujton Vila, duke e ngritur dorën me gishtin tregues kah kurora e maleve rreth e përqark qytezës ndërmjet Sharrit e Karadakut.
Imami i Xhamisë së Çarshisë, Nusret Shiti, ishte prej imamëve të parë që u ishte bashkuar radhëve të UÇK-së në qershorin e vitit 1998 në Prekaz.
“Ajo që është me rëndësi është që ne të kontribuojmë për çështjen kombëtare, sepse çështja e kombit duhet të na lidhë me vendin. Është diçka e përbashkët, si myslimanë, si jomyslimanë, do të thotë duhet të punojmë për vendin tonë”, thekson Shiti para lapidarit të viktimave dhe dëshmorëve të rrethinës, të vendosur në parkun para komunës përgjatë rrugës “Dëshmorët e kombit”.
Ai mendon se institucionet e Kosovës nuk po e pranojnë rolin meritor të imamëve në luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Atyre u derdhej padrejtësisht gjaku, e tani japin gjak për të shpëtuar jetë”
Në katin e parë në qendrën fetare ka një kafene. Imamët thonë se islami nuk e ndalon hapjen e kafenesë në qendrën islame derisa në të nuk shërbehet alkooli. Në katin e dytë janë dy klasa që shërbejnë për mësim-besim dhe si librari publike për nxënësit dhe studentët e rrethinës.
Qyteza e Hanit të Elezit ende nuk ka muze ose ndonjë hapësirë ku do të ekspozoheshin dëshmitë që i ruajnë kryetari Suma dhe qytetarët. Ai thotë se dokumentet do të ekspozohen në qendrën e re kulturore.
Dernjani, aktivisti i viteve nëntëdhjetë, thotë se duhet të dokumentohet më bindshëm e kaluara e afërt, që brezat e rinj t’i njohin sakrificat e brezave të kaluar e të kujdesen për trashëgiminë.
Imami Shiti thotë se fakti që minarja e ndërtuar me fondet e një qytetari të rrethinës u përurua më 28 nëntor 2006, tregon për lidhjen e xhematit me vlerat kombëtare.
E Vila, kryetar i Këshillit Lokal të Bashkësisë Islame, u bën thirrje të gjithë atyre që mund të kenë një fotografi të stacionit policor t’ia dorëzojnë, ashtu që dëshmitë e torturave të dëshmohen bashkë me pamjet e qendrës së dikurshme të torturës.
Kujtimet e viktimave të dhunës së regjimit serb i kishin nxitur hoxhallarët dhe xhematin lokal që ta zgjidhnin pikërisht këtë vend – ku ndodhej stacioni njëkatësh i policisë – për ta ndërtuar xhaminë katërkatëshe me bodrum. Në bodrumin e stacionit policor mbaheshin të paraburgosurit. Aty tash shkojnë për kryeshëndosh. Rastis të kujtohen torturat e përjetuara në bodrum. Në të njëjtin vend besimtarët tash mblidhen për të dhuruar gjak, kujton Shiti.
“Natyrisht se janë njerëz që padrejtësisht u ishte derdhur gjaku, e tash japin gjak për të shpëtuar jetë”, thotë ai.
Legjenda: Xhamia e Çarshisë e Hanit të Elezit u ndërtua mbi themelet e stacionit policor në zemrën e qytezës kufitare. Komuna e xhamia nuk kanë asnjë fotografi të objektit, por të mbijetuarit ua dëshmojnë shpesh të rinjve tmerrin e përjetuar mu aty nga regjimi serb