Arbëri

Weber: Pjesa e parë të 2021-s mundësi e mirë që dialogu të kthehet në rrugën e duhur

Analisti gjerman Bodo Weber ka konsideruar që gjysma e parë e vitit 2021 është mundësi e madhe që dialogu Kosovë-Serbi të kthehet në rrugën e duhur. Ai ka thënë se me ardhjen e administratës së Joe Bidenit në krye të Shteteve të Bashkuara të Amerikës i është dhënë fund një periudhe në të cilën negociatat shkonin në “drejtim të gabuar”.

Në një deklaratë për KOHËN, Weberi ka thënë se vizita e ministrit të Jashtëm gjerman, Heiko Maas, në Kosovë e Serbi ditëve të fundit, ka qenë mesazh i rëndësishëm që të sqarohet pozicioni i Gjermanisë që dialogu të mbyllet me njohje e thirrje që dialogu të rinisë.

Sipas Weberit, pjesa e parë e vitit mund të konsiderohet hapësirë e duhur për negociata pasi “ka përfunduar koha e administratës së Donald Trumpit që nuk ishte ndihmuese fare drejt marrëveshjes finale dhe para se të jenë zgjedhjet në Gjermani në vjeshtë”.

“Pjesa e parë e vitit është mundësi potenciale që të kemi më në fund rinisje të dialogut e më në fund të vihet në drejtim të duhur dialogu drejt marrëveshjes finale. Se a mund të arrihet sivjet ose vitin e ardhshëm, kjo është pyetje tjetër. Është shans real që më në fund negociatat të paktën të kthehen në rrugën e duhur para se kancelarja Merkel t’i japë fund karrierës politike”, ka thënë ai.

Kosova e Serbia s’kanë mbajtur takime në kuadër të dialogut qysh nga shtatori i vitit të shkuar. Kryeministri i ri i Kosovës, Albin Kurti, e ka cilësuar dialogun si “prioritet të katërt” pas pandemisë, punësimit e drejtësisë. Javën e ardhshme Kurti dhe presidenti serb Aleksandar Vuçiq do të kenë takime të ndara me përfaqësues evropianë.