Arbëri

Walker pas takimit me Kurtin: Kosova është histori e jashtëzakonshme suksesi

William Walker

Foto: Alban Bujari

Ish-ambasadori i OSBE-së, William Walker, ka thënë se Kosova është histori e jashtëzakonshme suksesi. 

Këto komente ai i ka bërë në një deklamim pas takimit që të enjten ka zhvilluar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti. 

“Dua të them vetëm një të vërtetë, e cila është se Kosova është një histori e jashtëzakonshme suksesi. Në 25 vjet që keni kaluar, ju shqiptarët e Kosovës, kosovarët, keni bërë kaq shumë për ta bërë këtë një histori të jashtëzakonshme suksesi. Dhe dua që bota ta dijë se çfarë suksesi është Kosova. Dje kishit shumë vizitorë të ardhur nga vende të ndryshme dhe e panë suksesin e këtij vendi. Kështu që shpresoj që të gjithë të jeni shumë krenarë që jeni gazetarë, por edhe të jeni krenarë që jeni shqiptarë të Kosovës. Ju meritoni meritat për atë që është ky vend sot. Faleminderit”, ka deklaruar Walker.

Ai ka theksuar se kosovarët janë meritorë për suksesin e Kosovës. Walker ka përmendur edhe sukseset që sipas tij i kanë realizuar, institucionet e Kosovës.

“Dje e di se u folën shumë fjalë duke i dhënë meritat NATO-s, duke i dhënë meritat disa prej akterëve të tjerë ndërkombëtarë që ishin këtu. Me meritë, por mendoj se e gjithë merita për atë që ka ndodhur gjatë Kosovës në 25 vitet e fundit i takon kosovarëve. Ju jeni përgjegjës për suksesin e këtij vendi. Kryeministri Kurti si dhe kryeministrat e mëparshëm, si dhe presidentët tuaj dhe të gjithë, dhe policia. Sapo fola me policët tuaj këtë mëngjes, ndërsa po dilja nga hoteli. Doja t'u tregoja se çfarë suksesi është Departamenti i Policisë së Kosovës. Po, ata marshuan në paradë dje. Po, e meritojnë, por besoj se nuk e kuptoni aq mirë sa unë se sa e mirë është Forca e Policisë suaj. E dini, unë vij nga Shtetet e Bashkuara, atje kemi shumë policë. Disa prej tyre janë të mirë, disa prej tyre nuk janë aq të mirë. Policia juaj është jashtëzakonisht e mirë. Pse? Sepse ata janë kosovarë dhe me të vërtetë po bëjnë një punë të mirë. Dhe kjo është e vërtetë në shumë pjesë të administratës, në shërbimin publik këtu. Është e vërtetë edhe për gazetarët tuaj. Më pëlqen të takohem me gazetarët e Kosovës, sepse ju jeni gjithmonë të respektueshëm, bëni pyetje të mira, raportoni saktë, raportoni atë që them unë”, ka deklaruar Walker.

Pas takimit më shumë se një orë me kryeministrin Albin Kurti, Walker ka theksuar se kishin një takim shumë produktiv.

“Më duhet të them, me gjithë sinqeritet, ishte një takim shumë shumë i mirë. Së pari, më lejoni t'ju them se zakonisht nuk vij i veshur kështu për të takuar një kryeministër. Duhet të kem veshur një kostum dhe kravatë. Por gjatë dy ditëve të fundit kishte shumë njerëz me kostume dhe kravata, kështu që unë vij me rrobat e mia të thjeshta nga Kalifornia, sepse vij këtu si mik i Kosovës, si mik i kryeministrit Kurti, si mik i mediave këtu. Më pëlqen të flas me ju dhe ju falënderoj për mundësinë për t’ju pershendetur. Nëse keni ndonjë pyetje, ose nëse doni të them edhe disa fjalë, unë kam pasur shumë përvojë me gazetarët në takimet e mia të mëparshme dhe detyra juaj është të jeni kritik, detyra juaj është t'i tregoni botës të vërtetën për atë që po ndodh”, ka deklaruar ai. / KP