Arbëri

VV-ja s'do të ankohet për vendimin e PZAP-së që urdhëron certifikimin e Listës Serbe

Sami Kurteshi

Foto: Driton Paçarada

Lëvizja Vetëvendosje nuk do të ankohet në Gjykatën Supreme, për vendimin e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) me të cilin KQZ-ja urdhërohet që të certifikojë Listën Serbe për pjesëmarrje në zgjedhje. 

Anëtari i KQZ-së nga radhët e LVV-së, Sami Kurteshi, ka thënë se edhe Supremja do ta ketë të njëjtin arsyetim për këtë çështje. 

“Unë mendoj se nuk ka ndonjë kuptim të ankohemi në Gjykatë Supreme sepse edhe ata do të kenë të njëjtin arsyetim, kështu që ne do të mbajmë qëndrimin tonë, kemi bindjet tona. Vendimi i PZAP-së është i punuar sipas atij parimi “me letra krejt në rregull”“, ka theksuar Kurteshi në një deklarim pas dëshmimit të mbledhjes së KQZ-së të enjten. 

Të mërkurën PZAP-ja ka aprovuar ankesën e Listës Serbe dhe ka hedhur poshtë vendimin e KQZ-së, e cila kishte vendosur që këtë parti të mos e certifikonte.

Sipas arsyetimit të këtij mekanizmi, Lista Serbe me aplikimin e saj për të marrë pjesë në zgjedhjet e 9 shkurtit ka plotësuar të gjitha kriteret ligjore të kërkuara.

Moscertifikimi i Listës Serbe nga KQZ-ja është kritikuar nga njohës të sistemit zgjedhor e nga ndërkombëtarët. Vendimi i saj është konsideruar i ndikuar politikisht.