Arbëri

VV-ja pretendon për “rritje artificiale” të LDK-së në votat me postë, kërkon hetim

Numerimi i votave

Foto: Driton Paçarada

Sekretari i Përgjithshëm i Lëvizjes Vetëvendosje, Alim Rama, ka hedhur dyshime për manipulime në votat me postë. Sipas tij, janë evidentuar manipulime serioze, duke përfshirë shpalljen e qindra fletëvotimeve të pavlefshme dhe rritjen e dyshimtë të votave për Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK).

Rama pretendon se votat e LDK-së janë rritur artificialisht me mbi 400% krahasuar me ato të regjistruara në përfaqësitë diplomatike, ndërsa siç thotë ai, dallimet ekstreme në votat për kandidatin e kësaj partie, Hysen Çekaj, kanë ngritur dyshime të mëdha mbi besueshmërinë e procesit. Sipas të dhënave, Çekaj ka marrë vetëm 98 vota në ambasada, por pas numërimit të votave me postë, ai renditet si kandidati i tretë më i votuar me mbi 12 mijë vota.

Për më tepër, vëzhguesit e Vetëvendosjes, siç ka shkruar Rama në Facebook, kanë raportuar për mijëra fletëvotime të fotografuara, të cilat, sipas tyre, tregojnë një model të përsëritur të votave në favor të kandidatëve të caktuar të LDK-së, përfshirë Lumir Abdixhikun, Kujtim Shalën, Doarsa Kica Xhelilin, Bahrije Hysenin, Alban Zogajn, Gazmend Muhaxherin, Jeta Rafuna-Hasanin e Fatmir Asllanin. Këto ngjashmëri kanë ngritur dyshime për një ndërhyrje të organizuar në procesin zgjedhor.

“Shumë fletëvotime që përmbajnë votën për Çekajn dhe të tjerët duken si kopje identike, ngjashmëri kjo që ngre dyshime mbi autenticitetin e tyre. Ajo që bie në sy është fakti se përmes votimit në konsullatën e Shtutgardit, ku ai jeton, Çekaj ka arritur të sigurojë vetëm 33 vota. Ndërkohë, në të gjitha konsullatat e tjera në Gjermani, përfshirë ambasadën në Berlin, ai ka arritur t’i marrë 22 vota. Në ambasadat dhe përfaqësitë diplomatike në shtetet e tjera, votat për Çekajn shkojnë deri në 5. Tani duhet të hetohet se ku ka ndodhur ndërhyrja, në regjistrim, në procesin e votimit, në kutitë postare apo gjatë periudhe kur fletëvotimet kanë qenë në KQZ”, ka shkruar Rama.

Një rast i veçantë të cilin e ka përmendur sekretari i VV-së është ai i komunës së Skenderajt, ku numri i votave të LDK-së nga diaspora (497) ka tejkaluar numrin e votave të marra në Kosovë (419), një shpërputhje që sipas Vetëvendosjes duhet të hetohet urgjentisht.

Në reagimin e tij, Rama, ka kërkuar hetim të thellë për të gjitha parregullsitë e evidentuara, duke theksuar se çështja është raportuar tashmë në polici dhe prokurori, por ende nuk ka pasur veprime nga autoritetet.

Vetëvendosje insiston se Kosova duhet të sigurojë standarde të larta demokratike dhe të mbrojë integritetin e procesit zgjedhor, duke garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme për të gjithë qytetarët e saj.

Nga numërimi i votave me postë, LVV-ja e para ka marrë 31.963 vota apo 51.57 për qind. Lidhja Demokratike (LDK) është renditur e dyta me 18.933 vota apo 30.55 për qind, pasuar nga Partia Demokratike (PDK) me 5.878 vota apo 9.48 për qind. Koalicioni AAK-Nisma ka marrë 2 mijë vota apo 3.23 për qind.