Arbëri

VV-ja premton platformë të veçantë për punësimin e grave

Fushata ne Podujeve e VV-se

Platformë të veçantë për punësim është premtimi i Lëvizjes Vetëvendosjes për gratë. 
Në një tubim me to në Podujevë, kandidati për deputet, Hekuran Murati, tha se në mandatin  e ri synojnë të zbatojnë platformën Super Puna për gratë.

"Për të gjitha gratë mbi moshën 40-vjeçare Qeveria do të mbështesë për gjashtë muaj te parë me pagën 350 euro, në mënyrë që ta rrisim angazhimin e grave në tregun e punës", tha Murati. 

E në lidhje me premtimin që të ofrojnë shtesa për gjyshërit që kujdesën për nipat e mbesat e tyre nga 1-3 vjeç, tha se me implementimin e saj Kosova do të jetë shteti i dytë në Evropë që e aplikon pas Suedisë. 

Me praninë e grave e vajzave në tubim e befasuar u shfaq kandidatja për deputete, Albulena Haxhiu.

"E dita që jam t’u ardhë në një tubim me vajza e gra, por e prita me kanë tubim ma i vogël", tha Haxhiu. 
Haxhiu tha se si qeveri kanë ndërmarrë me dhjetëra masa për fuqizimin e grave e vajzave. 
Tubimet e tilla me gra e vajza paralajmëroi se do t’i vazhdojnë edhe në ditët e mbetura të fushatës. Për pjesëmarrëset kishte një thirrje.

"Mos u dekurajoni nga këto sulme që u bëhen grave në pozita udhëheqëse... Kur te ju ofrohet një pozitë pranojeni", tha Haxhiu. 

Bashkim të grave e vajzave për të siguruar fitore nga zgjedhjet e 9 shkurtit kërkoi Saranda Bogujevci.

"Është tepër e rëndësishme që të dëgjohet zëri ynë e të jemi më shumë aktive për të dhënë verdiktin tonë final në këto zgjedhje. Kështu që nga cep më cep te secila grua e vajzë me numrin 118", tha Bogujevci. 

Të martën, në mungesë të kandidatit për kryeministër, Albin Kurti, Lëvizjes Vetëvendosje i munguan tubimet e zakonshme qendrore nëpër komuna të caktuara.

Kurti është duke qëndruar në Zvicër në cilësinë e kryeministrit, derisa të paralajmëruar për të enjten ka edhe një tubim me bashkatdhetarë.