Arbëri

Kurti: Dikur kryeministrat në Kosovë jepnin dorëheqje e tash po japin në Serbi

Si asnjëherë nëpër tubimet zgjedhore, kandidati për kryeministër i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka folur për dialogun me Serbinë.

Kurti ka thënë se me ekzekutivin e drejtuar nga Vetëvendosje, Kosova është duke u forcuar e Serbia duke u dobësuar.

“Atje në Bruksel vazhdimisht më bëjnë presion me nënshkrimet e pararendësve të mi, Mustafa e Thaçi, a marrëveshjen me mu ikin se s`dojnë me nënshkru... ju kujtohet se si kryeministrat në Kosovë jepnin dorëheqje e tash kryeministrat po jepin dorëheqje në Serbi”, tha Kurti.

Në tubimin qendror në Suharekë, kandidati për kryeministër ka thënë se është i detyruar që të investojë në ushtri shkaku i Serbisë.

“Unë do të kisha dëshiruar që të mos jemi të detyruar që 1 miliard euro t`i japim për mbrojtje, për ushtri. Mirëpo, të dashur qytetarë, na ka qillu kojshia i keq. E kur e ki kojshinë e keq ka veç një zgjidhje - pushka e mirë, por jo vetëm pushka e mirë, por edhe pushka plot”, tha Kurti.

Kurti ka kritikuar nivelin lokal të udhëhequr nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës për mosnjohjen e mbështetjes nga qeveria, me gjithë investimet që tha se kanë bërë.

“Kemi përpjekjen e vazhdueshme të dëshpëruar, tendencën e pandershme për të përvetësuar investimet që shprehin dashurinë e Qeverisë për komunën e juaj të Therandës”, tha Kurti.

Në Suharekë kandidati për kryeministër i Vetëvendosjes, Albin Kurti, ka premtuar lidhjen e Suharekës në autostradën Duhel-Banullë, përfundimin e projektit të Digës së Dragaçinës e një stadium të ri.

Nga 500 mijë votat sa Vetëvendosje synon t`i fitojë në zgjedhjet e 9 shkurtit, Kurti tha se 15 mijë sosh i pret nga suharekasit.