Arbëri

VV-ja nis kërkimin e mandatit të ri nga Gjakova

VV

Lëvizja Vetëvendosje ka nisur fushatën për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit me tubim në Gjakovë.

Kandidati për kryeministër, Albin Kurti, ka thënë se me qeverisjen e tij “Kosovës së pavarur ia shton zhvillimin, e ia heq korrupsionin, ia shton prodhimin e ia heq mjerimin”.

Kurti gjatë fjalimit është marrë edhe me partitë që kanë udhëhequr në të kaluarën duke thënë se “vendit i kanë bërë dëmin më të madh me fqinjin më të keq”.

“Njëra prej këtyre partive LDK-ja është e tillë që presidentit të Serbisë i thotë razumem e partia tjetër PDK-ja është e tillë që presidentit të Serbisë i thotë ‘we are not problematic guys’. Por koalicioni jonë i thotë atij qysh është, ministër i Millosheviqit, aparati shtetëror i të cilit nuk do të ketë vend sepse do ta ndjekim në çdo kënd cep më cop në republikën e pavarur e progresiste të Kosovës”, ka thënë ai.

Agon Batusha, kryetar i degës së VV-së në Gjakovë, ka thënë se kjo parti nuk garon me parti të tjera “sepse ata kanë sfida të tjera”.

“Disa kanë sfida të mbijetesës politike e disa kanë sfida ridefinimin e vetvetes e disa të tjerë kanë krizë vet identitetin e tyre Të vetmen garë që e kemi ne e kemi me veten dhe objektivat tona që ne kemi për drejtësi dhe prosperitet për mbarë Kosovën”, ka thënë ai.

Ndërsa Glauk Konjufca ka thënë se “dallimi mes VV-së dhe partive të tjera është se ata që kanë qeverisë për 20 vjet e kanë bërë Kosovën copë me copë e ne e bëmë Kosovën cep me cep”.

Kandidatja për deputete, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se Vetëvendosje në pushtet “ka treguar se assesi dhe me asnjë çmim toka e shtetit nuk tregtohet për pazare të të tjerëve”.