Përkundër që çështja për rezultatet e komunës së Hanit të Elezit është në proces gjyqësor nga organet kompetente, KQZ ka diskutuar për shpalljen e rezultateve për këtë komunë. Lëvizja Vetëvendosje e ka kundërshtuar këtë veprim. Halim Rama ka thënë se bazuar në vendimin e PZAP-së ka kohë që palët të ankohen në Supreme. Ai ka thënë se nuk duhet ta shpallin rezultatin.
Anëtarët e PDK-së kanë kërkuar që të shpallen rezultatet
Arianit Elshani i PDK-së ka thënë se lidhur me Hanin e Elezit, kanë kërkuar që të gjitha komunat të futen në pako.
“Nuk e di pse të mbahet kjo mbledhje, ndoshta kemi mundur të presim ende për t’i shpallë rezultatet. Më duket tendencioze që kjo komunë të ndalet nga shpallja e rezultateve. Ku ndoshta në orën tre do t’i shpallim të gjitha. Mendoj që vendimi paraprak i supremes edhe PZAP tashmë kanë betonuar këtë çështje dhe dyshimet që kanë qenë të pabaza, prandaj mendoj që rezultatet për Han të Elezit duhet të shpallen”, ka thënë ai.
Ndërkaq, për shpallje të rezultateve për Komunën e Hanit të Elezit ka folur edhe kryetari i KQZ Kreshnik Radoniqi, sipas tij mund të shpallen rezultatet.
“PZAP na ka dërgu një shkresë që të mos shpallen rezultatet meqë ka ankesa. Nga Supremja kemi një shkresë ku thuhet se nuk mund të certifikohet rezultati për Han të Elezit. Unë mendoj që mund ta bëjmë shpalljen.. por nëse nuk doni me e shpallë ua lë juve”, ka thënë ai.
Megjithatë me 9 vota për janë shpallur rezultatet në Han të Elezit. Dy anëtarët e VV-së nuk kanë marrë pjesë në votim.