Arbëri

VV-ja insiston dhe fton të votohet Haxhiu, të tjerët e akuzojnë për bllokim

Partitë politike nuk kanë lëvizur nga qëndrimet e tyre dhe kanë vazhduar akuza duke e akuzuar njëra-tjetrën për bllokim të konstituimit të Kuvendit. Derisa për herë të pestë kandidatura e Albulena Haxhiut nuk mori përkrahjen e shumicës parlamentare, Vetëvendosja ka insistuar se opozita duhet të jetë parimore e partitë deri tash në opozitë theksuan se partia që doli e para gjatë zgjedhjeve nuk i ka numrat për formimin e Qeverisë

Barrikadim në pozicionet që i kanë shpallur që prej votimit të parë për kryetaren e legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës kanë treguar partitë politike në mbledhjen e shtatë ku dështoi konstituimi i Kuvendit.

Deputeti nga radhët e Vetëvendosjes dhe ministër i dorëhequr i Financave, Hekuran Murati, tha se i takon ekskluzivisht partisë së parë ta japë propozimin e saj për kryetar të Kuvendit dhe partitë deri më herët në opozitë duhet ta mbështesin shkaku i aktgjykimit të kushtetueses të vitit 2014 që e përcaktoi se vetëm partisë së parë i takon ta propozojë kandidatin për kryetar.

Vetë LVV-ja ka votuar kundër kandidaturës së Kadri Veselit më 2017.

Murati tha se ndryshe nga atëherë, pozita e kryetarit nuk është pjesë e një marrëveshjeje politike.

"Ne jemi shumë parimorë. Ne nuk e kemi votuar më 2014-ën sepse siç e dini ka qenë një koalicion VLAN që në atë kohë kishte dështuar pikërisht për shkak të Gjykatës Kushtetuese, kurse më vonë, pozita e kryetarit të Kuvendit ka qenë pjesë e negociatave të koalicioneve fituese të zgjedhjeve që e kanë futur si pjesë të diskutimin mes koalicionit qeverisës, pra është votuar në të njëjtën ditë edhe kryetari i Kuvendit edhe Qeveria", ka deklaruar Murati.

Murati nuk ofroi alternativë të re, përveç se u bëri thirrje PDK-së dhe LDK-së që ta votojnë Albulena Haxhiun për kryetare të Kuvendit, si dhe u premtoi se nëse e votojnë, LVV-ja do t’ua votojë edhe nënkryetarët.

 "Janë të gjitha partitë parlamentare që kanë fituar ulëse në Kuvend e kanë përgjegjësi që të votojnë për konstituimin e Kuvendit dhe kjo cështje duhet të rregullohet dhe të zgjidhet brenda për brenda Kuvendit, kur vijmë te qeveria pastaj, te koalicioni që formon Qeverinë  aty mund të ketë diskutime jashtë Kuvendit të cilat të bëhen konsultimet", ka shtuar ai.

E kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, insistoi se LVV-ja s’i ka numrat për Qeverinë, andaj tha se nuk po e zhbllokon ngërçin duke e ndryshuar propozimin për kryetare të Kuvendit.

Krasniqi tha se nuk janë të hapur për konsultime, por nuk e përjashtojnë mundësinë për të marrë pjesë në to nëse për ato i mban presidentja Vjosa Osmani.

Megjithatë, ai insistoi që kandidatura e Haxhiut të hiqet.

"Pse është ky insistim për të bllokuar. Po është e qartë. S’ka vota për Albin Kurtin kryeministër dhe kjo është arsyeja pse po e mban peng", ka deklaruar ai.

Qëndrimin e njëjtë e përsëriti edhe Hykmete Bajrami e LDK-së, e cila theksoi po ashtu se LVV-ja nuk i ka numrat për ta formuar Qeverinë, andaj, sipas saj, nuk do që ta zhbllokojë Kuvendin me kandidaturë të re.

Deputetja nga radhët e LDK-së, Hykmete Bajrami, tha se nuk kanë votë për cilindo kandidat të Vetëvendosjes. 

"Në të kaluarën gjithmonë ato votat për Qeverinë janë shfrytëzuar edhe për votimin e kryetarit të Kuvendit kështu që situata është e qartë: këta nuk kanë vota as për Qeveri e as për kryeparlamentar domethënë thjesht duhet të ulen të kenë marrëveshje politike sepse nuk mund të imponosh votë në asnjë mënyrë. Nuk mund t’iu tregosh prapë deputetëve se si të votojnë për një kandidat të caktuar", u shpreh ajo.

E pyetur gjatë deklarimit për medie nëse opozita do t’i ketë votat për formimin e Qeverisë, Bajrami tha se është shumë herët që të flitet për këtë çështje.

Qëndrimet e saj i përsëriti edhe AAK-ja, që kërkoi që të ndryshohet kandidatja e LVV-së.

“Duke e pa se Haxhiu s’i ka votat, po e përsërisin, edhe pse partitë kanë thënë se po të ketë propozime të tjera mund të votohen”, ka deklaruar deputetja Time Kadrijaj.

E të pakënaqur me zvarritjen e konstituimit u shprehën deputeti i LDK-së Arben Gashi e edhe deputeti i Partisë Liberale Egjiptiane, Veton Berisha.

"Pres që të gjitha partitë politike, duke filluar nga LVV-ja të bëhen më të përgjegjshme dhe të bëjnë një zgjidhje", ka shtuar Gashi.

"Derisa nuk ka marrëveshje po mendoj të mos vij më", ka deklaruar para seancës deputeti Berisha.

Të dielën u votua për herë të pestë kundër propozimit të LVV-së për zgjedhjen e Albulena Haxhiut kryetare të Kuvendit.

Që nga 19 prilli kur u zhbllokua kalimi i raportit të komisionit për verifikim të mandateve dhe betimi i deputetëve, kanë mbetur edhe dy pika për përmbylljen e konstituimit të Kuvendit: zgjedhja e kryetarit dhe pesë nënkryetarëve.