Arbëri

VV-ja e konsideron skandaloz hedhjen poshtë të aktakuzës ndaj ish-udhëheqësve të NPB-së

Lëvizja Vetëvendosje, qendra në Prishtinë /Ilustrim

Lëvizja Vetëvendosje, qendra në Prishtinë /Ilustrim

Lëvizja Vetëvendosje në Prishtinë e ka konsideruar skandaloz dhe në dëm të pronës publike vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtine për hedhjen poshtë të aktakuzës ndaj ish-udhëheqësve të Ndërmarrjes Publike Banesore.

Shefi i grupit të Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin Komunal të Prishtinës, Gëzim Sveçla, në një konferencë për medie ka kërkuar nga Prokuroria Speciale që të ankohet në Apel për këtë çështje.

Ai tha se me këtë vendim Gjykata Themelore e ka rrezikuar pronën publike në kryeqytet.

“Bëhet fjalë për tjetërsim të pronës publike, në qendër dhe zemër të Prishtinës, në Lakërishte. Ku Ndërmarrja Publike Banesore në mënyrë të paligjshme ka lidhur një kontratë me operatorë ekonomikë privatë për tjetërsimin e 17 mijë metrave katrorë. Është rast i paprecedent në historinë e praktikës gjyqësore të Kosovës që një rast i tillë i profilit të lartë aktakuza hidhet poshtë pa shqyrtim fare, pa ia dhënë rastin Prokurorisë t’i shtjellojë provat e veta. Është evidente që gjykata me këtë aktvendim ka rrezikuar tej mase pronën publike në Prishtinë... I bëjmë apel Prokurorisë së Shtetit të ushtrojë ankesë ndaj këtij vendimi skandaloz të Gjykatës Themelore dhe kërkojmë nga Apeli ta kthejë çështjen në Gjykatën Themelore”, tha Sveçla.

Sekretari i Qendrës së LVV-së në Prishtinë, Egzon Azemi, tha se bëhet fjalë për rastin më të madh korruptiv në Komunën e Prishtinës, dhe pas tij tha se qëndrojnë zyrtarë.

“Po flasim për një projekt që vlera e përafërt i llogaritet të jetë rreth 200 milionë euro, vazhdimisht që nga viti 2021 kur e kemi ngritur këtë çështje kemi paralajmëruar se është një projekt jashtëzakonisht gjigant dhe me këtë projekt janë të përfshirë shumë zyrtarë, sepse shuma 200 milionë flet se sa gjigant është ky projekt... Është një projekt korruptiv, ku fatkeqësisht pre e këtij projekti korruptiv po bie edhe sistemi i drejtësisë. Një projekt i tillë normalisht nuk mund të incizohet dhe të nisë pa persona të fuqishëm pas... Ende pa u gjykuar lënda, janë mbajtur vetëm dy seanca dhe pikërisht në këso momente të kaosit politik, pra ende nuk ka formim të institucioneve, tentohet që të kalohet nëpër këtë mjegull dhe të hidhet poshtë një aktakuzë,” tha Azemi.

Departamenti Special i Gjykatës Themelore në Prishtinë ka hedhur poshtë aktakuzën ndaj H.H, L. M, A.J, Xh. L, B. P, D.K, G. Sh. dhe V.M. Në shqyrtimin fillestar të pandehurit ishin deklaruar të pafajshëm përpara trupit gjykues.

Prokuroria Speciale vitin e kaluar kishte ngritur aktakuzë ndaj tetë personave, ish-zyrtarë të Ndërmarrjes Publike Banesore për korrupsion dhe çështja për të cilën Prokuroria thotë se ka dyshim të bazuar mirë se ata e kanë keqpërdorur detyrën zyrtare, lidhet me një objekt afaristo-banesor në lagjen “Lakrishtë.”/KSP

Ish-kryeshefi Hajdar Hoxhaj, ish-aksionari si përfaqësues i Komunës së Prishtinës, Dren Kukaj, dhe ish-aksionarët tjerë të NPB-së Vesel Makolli, Genc Sherifi, Lendita Mekuli-Myderrizi, Arbnora Jashanica, Xhevdet Leci dhe Bekim Pireva ishin në listën e të akuzuarve.

Për Hajdar Hoxhaj, Prokuroria Speciale thoshte se “ngarkohet edhe me akuzën për kryerjen e veprës penale Lidhja e Kontratës së dëmshme”.

Prona e cila është objekt i akuzës, bazuar në Kërkesën e Prokurorisë, është sekuestruar nga gjykata dhe në bazë të aktakuzës, Prokuroria Speciale i ka propozuar gjykatës që ta konfiskojë atë dhe e njëjta t’i kthehet sërish pronës publike.

Prokuroria Speciale më 2023 kishte kryer bastisje në lokacione të ndryshme, në kuadër të hetimeve për dhënie në shfrytëzim të tokës së NPB-së për një konsorcium të kompanive private, për të ndërtuar banesa e lokale afariste në vlerë 120 milionë euro./Ksp