Shkaku i Kosovës

Vuçiqi u kërkon falje sllovenëve pasi i quajti “të neveritshëm”

Aleksandar Vuçiq

Foto: Arkiv

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, të enjten u ka kërkuar falje sllovenëve që i quajti “të neveritshëm”, duke sqaruar se i referohej vetëm politikanëve të tyre, shkruan “Politico”.

“Nëse kam ofenduar dikë, dua t'i kërkoj falje gjithë publikut slloven, dhe në të njëjtën kohë, dua të them se nuk do t'u kërkoj falje politikanëve sllovenë sepse ata ndjekin politikë të neveritshme ndaj Serbisë”, ka thënë Vuçiqi nga New Yorku, ku mori pjesë në një seancë të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për Kosovën.

Presidenti serb sulmoi Slloveninë, anëtare jo e përhershme e Këshillit të Sigurimit, duke i akuzuar se ishin pjesë e një “organizimi” me SHBA-në dhe Zvicrën për të lejuar delegacionin e Kosovës që të sjellë të mbijetuarat e dhunës seksuale nga lufta e fundit në seancë, veprim që zemëroi delegacionin e Serbisë.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në seancën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së më 22 prill e pati prapa saj Fahrije Hotin, Vasfije Krasniqin, Elhame Muçollin dhe Shyhrete Tahirin – të mbijetuarat e dhunës seksuale nga forcat serbe.

“Është e vështirë të thuhet se kush ishte më i neveritshëm, sllovenët apo dikush tjetër”, pati thënë Vuçiq në fillim të kësaj jave.

Deklarimet e Vuçiqit shkaktuan reagime nga Lubjana. Ministrja e Jashtme Tanja Fajon i quajti ato “fyerje për të gjithë kombin tonë”. E ftoi ambasadorin serb të kërkonte falje.

“Mesazhi nuk është i përshtatshëm për një vend që përsërit përkushtimin dhe përkatësinë ndaj vlerave evropiane, të cilat i thekson në procesin e negociatave për anëtarësim në BE”, ka thënë ajo.

Kryeministri slloven Robert Golob u shpreh se “deklaratat e Vuçiqit na kujtojnë një kohë tjetër dhe nuk janë të denja për marrëdhëniet midis dy vendeve”.

Vuçiq pranoi se i quajti sllovenët “të neveritshëm”, por këmbënguli se “i referohej seancës së Këshillit të Sigurimit”. Ai ka thënë se kishte shumë miq në Slloveni, por do të “reduktonte” vizitat e tij në vend dhe ftoi Golobin dhe presidentin slloven në Beograd për një diskutim ballë për ballë.

“Nëse është e nevojshme, unë do të kërkoj falje edhe një herë dhe do t'u them se sigurisht nuk e kisha fjalën për të gjithë sllovenët dhe do t'u them atyre në sy se çfarë mendoj për politikën e tyre të keqe ndaj popullit serb”, ka deklaruar Vuçiq.

LEXO EDHE: