Arbëri

Vuçiqi mohon se Serbia do t’i zhvendosë serbët e veriut në Sanxhak

Pretendimet e ngritura së fundi se Serbia është duke planifikuar zhvendosjen e serbëve të Kosovës në Sanxhak, janë mohuar nga presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq. E, Presidentja e Komitetit të Helsinkit për Drejtat e Njeriut në Serbi, Sonja Biserko, e cila ishte në takim me kryeministrin Albin Kurti kur u diskutua kjo çështje, ka thënë se u takon institucioneve dhe shoqërisë civile vendore e ndërkombëtare që ta vërtetojnë saktësinë e këtyre informacioneve

Zyrtarë të Serbisë i kanë mohuar pretendimet e ngritura se kanë në plan ndërtimin e shtëpive në Sanxhak për t’i zhvendosur atje serbët nga veriu i Kosovës. 

Një ditë më herët, zyra e kryeministri njoftoi se Albin Kurti u informua për këtë në takimin që pati me presidenten e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi, Sonja Biserko,  politikanin serb, Nenad Çanak dhe drejtorin e Qendrës për Dialog Humanitar, Mark Baskin. 

“Gjatë takimit, Biserko, Çanak dhe Baskin e njoftuan kryeministrin se po flitet që Beogradi zyrtar po planifikon zhvendosjen e serbëve të Kosovës, sidomos atyre nga veriu, për në Sanxhak, ku siç po thuhet po ndërtohen shtëpi dhe banesa për ta. Ata apeluan te kryeministri Kurti që të përpiqet të parandalojë një skenar të tillë. Kryeministri Kurti ritheksoi rëndësinë e demokracisë, sundimit të ligjit dhe barazisë për të gjithë qytetarët e Kosovës dhe posaçërisht përfshirjen e komunitetit serb në të gjitha aspektet e ekonomisë dhe shoqërisë”, shkruan në komunikatën e ZKM-së. 

Por presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq e ka mohuar këtë tek ka thënë se serbët do të mbeten në Kosovë pavarësisht dëshirës, sipas tij, të shumë njerëzve që të mos jenë atje. 

“Serbët nga Kosova dhe M do të mbeten në Kosovë dhe M, përkundër dëshirës së Albin Kurtit, Nenad Çanakut, Sonja Biserkos dhe shumë të tjerëve që serbët nga Kosova të zhduken. Nuk do të më kishte shkuar në mendje të mendoj diçka të tillë. Shkurtë këto janë budallallëqe”, ka thënë Vuçiqi për mediat serbe. 

Lidhur me mundësinë që serbët të zhvendosen nga veriu ka folur edhe të hënën Sonja Biserko. 
Ajo në një intervistë për “Radion Evropa e Lirë” tha se shqetësimin ia ka përcjellë kryeministrit të Kosovës për shkak të disa informacioneve nga Serbia se në rajonin e Sanxhakut të Serbisë po ndërtohen shtëpi për strehimin e serbëve të Kosovës, veçanërisht atyre nga veriu. 

"Si dikush që është marrë me çështjen e refugjatëve që nga vitet 1990, ju kujtoj se gjithmonë ka pasur thashetheme që më vonë kanë rezultuar në eksod ose zhvendosje të popullsisë. Ne i kemi thënë Qeverisë së Kosovës që duhet t'i kushtojë vëmendje këtyre informacioneve dhe të bëjë gjithçka që popullata serbe të mbetet në veri të Kosovës”, është shprehur Biserko. 

Sipas saj, i takon shoqërisë dhe Qeverisë së Kosovës, si dhe organizatave të shoqërisë civile vendore e ndërkombëtare për ta vërtetuar saktësinë e këtyre informacioneve.

Aktualisht nuk dihet numri i saktë i popullsisë në veri, pasi serbët e komunave në këtë pjesë në masë të madhe e bojkotuan regjistrimin e popullsisë, i cili u krye në pranverën e këtij viti. 

Serbët në vazhdimësi pretendojnë se për shkak të politikave të qeverisë Kurti, shumë prej tyre janë larguar nga komunat veriore.

Sipas të dhënave paraprake të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, të publikuara më 12 korrik, regjistrimit në këto zona i janë përgjigjur vetëm rreth 6.500 persona.