Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se i ka bërë thirrje Bashkimit Evropian dhe vendeve anëtare që urgjentisht dhe përmes angazhimit konkret të kundërshtojnë arbitraritetin e Prishtinës, i cili sipas tij kërcënon sigurinë e popullit serb dhe stabilitetin e gjithë rajonit.
Vuçiq të enjten ka njoftuar në llogarinë në Instagram se me ambasadorin e BE-së në Serbi, Emanuele Giaufret, ka diskutuar për situatën në Kosovë, marrëdhëniet mes Serbisë dhe BE-së, si dhe hapat që po ndërmerr Beogradi për të avancuar në rrugën evropiane.
“I kam bërë thirrje BE-së dhe vendeve anëtare që urgjentisht dhe përmes angazhimit konkret të kundërshtojnë arbitraritetin e Prishtinës, i cili kërcënon sigurinë e popullit serb dhe stabilitetin e gjithë rajonit”, ka shkruar Vuçiq.
Ai falënderoi ambasadoren Giaufret për gjithçka që po bën BE-ja, veçanërisht në fushën e investimeve, integrimit ekonomik dhe social dhe mbështetjen për reformat në Serbi.
“Fokusi i bisedës ishte zbatimi i projekteve të parashikuara në Planin Evropian të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, të cilat duhet të kontribuojnë shumë në afrimin e rajonit me BE-në dhe jetën më të mirë të të gjithë qytetarëve tanë”, ka shtuar Vuçiq.