Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka njoftuar se në kuadër të Forumit Ekonomik në Davos të Zvicrës ka takuar emisarin për dialog të BE-së, Miroslav Lajçak, me të cilin ka diskutuar për të ardhmen e dialogut.
Vuçiqi ka shkruar në llogarinë e tij në Instagram se ka pasur një “bisedë të hapur” për sfidat e sigurisë me të cilat përballet siç ka thënë “populli serb” në Kosovë.
“Një bisedë e hapur me Lajçakun për situatën në rajon, veçanërisht për sfidat e sigurisë me të cilat përballet populli ynë në Kosovë, si dhe për të ardhmen e dialogut ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës”, ka shkruar ai., duke shtuar së pret nga shtetet anëtare të BE-së “të forcojnë angazhimin dhe ndikimin e tyre” në Kosovë.
Lajçaku do të mbajë postin e ndërmjetësit deri në fund të janarit 2025. Përfaqësuesja e Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas, pritet të zgjedhë diplomatin danez, Peter Sorensen, në postin e emisarit special për dialogun Kosovë-Serbi. Edhe kryeministri Albin Kurti ka udhëtuar për në Zvicër, për të marrë pjesë në Forumin Ekonomik Botëror në Davos, ku do të nënshkruhet Marrëveshja e Tregtisë së Lirë me vendet anëtare të EFTA-s. Gjatë qëndrimit atje, kryeministri Kurti gjithashtu do të ketë takime me përfaqësues shtetërorë të vendeve mike e partnere dhe me investitorë potencialë.