Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, sërish ka thënë se Serbia do të tërhiqet nga Këshilli i Evropës nëse Kosova bëhet pjesë e këtij institucioni.
Vuçiq ka folur të enjten në një konferencë të përbashkët për media me kreun e entitetit Republika Serbe, Milorad Dodik.
“Na pret periudhë e vështirë. Lufta për ‘anëtarësimin e Serbisë’ në Këshillin e Evropës. Pasi ata me pranimin e Kosovës pa plotësimin e kushteve, e asociacionin e çdo gjë tjetër, po e përjashtojnë Serbinë nga Këshilli i Evropës. Do të shohim. Do të luftojmë”, tha Vuçiq, transmeton “Tanjug”.
I pyetur nëse kushti i presidentit të Francës, Emmanuel Macron, për të blerë aeroplanët “Rafale” ishte vendosja e sanksioneve ndaj Rusisë, Vuçiq përsëriti qëndrimin zyrtar kundër sanksioneve ndaj Rusisë dhe se “askush nuk mund ta shantazhojë” Beogradin lidhur me këtë çështje.
Vuçiqi i reagon Perëndimit pasi u kritikua Lista Serbe: Turp të keni
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se vendet e QUINT-it, që po e kritikojnë Listën Serbe për thirrje për bojkotimin e votimit për shkarkimin e kryetarëve në katër komunat veriore të Kosovës më 21 prill, duhet të turpërohen.
Vuçiq në konferencë të përbashkët për media me presidentin e entitetit të Republikës Serbe, Milorad Dodik, ka thënë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kryer “aksione të panumërta kundër serbëve”.
“Arrestuan serbët, keqtrajtuan, rrahën, plagosë...pastaj ai organizoi zgjedhje të shkëlqyera me 3.4 për qind të njerëzve që dolën për të votuar. Por, ky nuk është problem. Ata na thanë pranoni të merrni pjesë dhe ata do të japin dorëheqje. Kur pranuam, thonë – nuk do të japin dorëheqje”, ka thënë Vuçiq, transmeton “B92”.
Vuçiq më pas ka thënë se “QUINT-i u ka thënë serbëve të bëjnë peticion, nëse kalon, duhet të mblidheshin edhe 20 për qind të nënshkrimeve të votuesve të regjistruar”.
“Dhe kur përkundër gjithë dredhive të Kurtit i mbledhim ato nënshkrime, na thonë – jo, hajde të shkojmë në referendum. E në referendum duhet 50 për qind plus 1 votë. Epo, nuk ka aq shumë serbë duke jetuar...u regjistruan 862 persona”, tha Vuçiq.
Ai tha se ndaj të gjithave këtyre është përgjigjur Lista Serbe dhe ka thënë s’mund të përballojë “më këto shtypje”.
“Edhe pas 3.4 për qind dalje në zgjedhje, ata thonë – Beogradi e ka fajin? Turp t’ju vijë. Shikoni veten në pasqyre o gënjeshtarë”, tha Vuçiq.