Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se pret që të jenë mes 29 dhe 33 votave pro anëtarësimit të Kosovës në Këshill të Evropës. Për aplikimin e Kosovës pritet të votohet në Këshillin e Ministrave në mesin e majit.
“31 vota u mjaftojnë për shumicën. Por, dua që njerëzve t’u them, pavarësisht sa e vështirë është, ne në këto momente do të shohim se cilët i kemi miq të vërtetë, pavarësisht se çfarë na thonë tjerët”, ka thënë Vuçiq për “RTS”. “Sa qesharake është kur dikush nga fqinjët të thotë se këtë po e bëjmë për Serbinë, jo për ne. Se kjo është e mirë për Serbinë...Ju nuk e doni Serbinë më shumë se ne. Dhe ky vend nuk ka nevojë për mësues. Populli i këtij vendi e di shumë mirë se çfarë është e mirë për ta dhe çfarë jo”.
Vuçiq tha se do të vazhdojë “të luftojë”.
“Por, edhe një ditë pas kësaj, ne nuk do të jemi të trishtuar. Ne nuk do të shkatërrojmë dhe njollosim imazhin tonë. Të nesërmen do t’i veshim trengjyrëshat tona serbe, do t’i varim në shtëpitë tona, do të ecim me krenari nëpër rrugë...” – tha Vuçiq.