Arbëri

Vuçiq: Ndërkombëtarët po e konsiderojnë proces normal anëtarësimin e Kosovës në KiE

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq

"Pres që në 3-4 muaj të jetë situata më e keqe në botë që nga Lufta e Dytë Botërore”, ka thënë Vuçiq

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se pas tre apo katër muajsh do të jetë situata më e keqe në botë që nga Lufta e Dytë Botërore. 

Derisa ka folur për situatën gjeostrategjike në televizionin publik serb, Vuçiqi ka thënë se ka shumë pika të nxehta.

“Nuk e shoh se do të ndryshojnë gjërat në afat të gjatë. Ka shkelje të shumta të akteve ndërkombëtare. Jemi vend i vogël dhe duhet t’i përmbahemi të drejtës ndërkombëtare. Pres që në 3-4 muaj të jetë situata më e keqe në botë që nga Lufta e Dytë Botërore”, ka thënë ai. 

Vuçiqi ka folur edhe për procesin e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, për çka ka thënë se ndërkombëtarët po e konsiderojnë proces normal.

Presidenti serb ka deklaruar se fuqitë botërore, si SHBA-ja, Italia dhe Franca, do të lobojnë për një rezolutë për Srebrenicën, e cila do të kundërshtohet nga Serbia. 

“Ne do ta kundërshtojmë më fort se që e mendojnë ata”, theksoi Vuçiqi.

Edhe një ditë më parë, Vuçiqi e ka përmendur anëtarësimin e Kosovës në KiE, për çka ka thënë se u ka dërguar letër 14 vendeve anëtare të këtij institucioni që të votojnë kundër këtij procesi. 

Lobimi i Vuçiqit kundër anëtarësimit të Kosovës në këtë organizatë ndërkombëtare është në kundërshtim me Marrëveshjen e Brukselit të 27 shkurtit të vitit 2023.