Arbëri

Vuçiq: Dy shtete parandaluan që të përfundohet puna me pranimin e Kosovës në KiE

Aleksandar Vuciq

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka thënë se disa tentuan që një ditë më parë ta përfundojnë të gjithë punën me pranimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, edhe para vendimit në Asamblenë Parlamentare të këtij mekanizmi. 

Por, tek foli për mediat serbe në Zemun, ai tha se falë intervenimit prej dy shteteve, kjo gjë është penguar. 

Vuçiqi nuk tregoi se për cilat vende bëhet fjalë, porse shtoi që këtë sekret do ta zbulojë së shpejti.

Ai bëri të ditur se lufta e Serbisë kundër pranimit të Kosovës në KiE do të vazhdojë teksa përsëriti se Serbinë e presin ditë jo të lehta si në aspektin e anëtarësimit të Kosovës në KiE, ashtu edhe në atë të përballjes në OKB, me presione të ashpra nga rajoni, Evropa dhe bota. 

Krahas kërkesës për krijimin e ekipit për lobim kundër anëtarësimit të Kosovës në KiE, Vuçiqi, në mbledhjen e jashtëzakonshme të Qeverisë të enjten, pati kërkuar që të ketë mobilizim edhe për parandalimin e miratimit të një rezolute në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së për gjenocidin në Srebrenicë.