Vetëm në 24-orëshin e fundit, në Kosovë u raportuan 4 raste të dhunës së familje.
Derisa, në njërin rast, i cili ka ndodhur në Komunën e Vitisë, personi që kishte sulmuar viktimën u lirua në procedurë të rregullt, ani se e njëjta ka raportuar në polici se ka përjetuar dhunë fizike e psikike.
“Rr. Flaka e Janarit, Viti 07.03.2022 – 11:40. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar për shkak se kishte ushtruar dhunë fizike dhe psikike në familjen e tij. Si pasojë e dhunës viktima femër kosovare ka pranuar tretman mjekësor dhe pas intervistimit së bashku me fëmijët e saj për shkaqe të sigurisë ka shkuar te prindërit e saj. Me urdhër të prokurorit i dyshuari pas intervistimit është liruar në procedurë të rregullt”, thuhet në raport të Policisë.
E në procedurë të rregullt ishte lëshuar edhe bashkëshorti i Lirije Qeriamajt, e cila kishte kërkuar ndihmën e policisë, pas rrahjes nga bashkëshorti i saj. Por, vetëm disa ditë më vonë, ajo u vra në shtëpinë e saj.
E ndjera, në drejtim të së cilës u shkrepën gjashtë fishekë, ishte tentuar të vritej nga bashkëshorti i saj edhe një herë tjetër.
Bashkëshorti i saj, Skënder Qerimaj, i cili gjendet në paraburgim, kishte tentuar ta vriste Lirijen me jastëk, por ajo kishte arritur të ikte.
Të lirë ishin lënë edhe të dyshuarit për vrasjen e 18-vjeçares nga Ferizaj, Marigona Osmani, të cilët kishin qenë recidivist. Megjithëse u tha nga krerët institucionalë se do trajtohej me urgjencë, kjo nuk u pa as edhe pas 8 muajsh që kur ndodhi vrasja.
Kjo, sipas shoqërisë civile, tregon dështimin e një varg institucionesh të cilët do duhej t’i trajtonin më seriozisht rastet e tilla, për të parandaluar vrasjet.
“Kemi pasur raste vazhdimisht kur ka pasur edhe dyshime të caktuara, kur deri te vrasja ka ardhur se deri te vrasja ka ardhur si rezultat i faktit që kanë dështuar institucionet për të adresuar thirrjet e viktimave , vitin e kaluar kemi pasur rastin e Sebahate Sopin, ku ka qenë rasti më për keqardhje të kësaj natyre”, tha Gëzim Shala i IKD-së.
Sipas Shalës, edhe politika e ndëshkimit të kryerësve të këtyre veprave penale nuk janë në nivelin e duhur, derisa shton se krerët institucionalë duhet të ndalin së bëri thirrje, por duhet të veprojnë.
Sipas Policisë së Kosovës, gjatë vitit 2021 në rastet e dhunës në familje ishin 7 vrasje, ndërkohë këtë vit janë raportuar 2 mijë e 456 raste të dhunës në familje, prej të cilëve 1 mijë e 986 viktima janë të gjinisë femërore.