Arbëri

Vrasja në Skenderaj, Prokuroria thotë se viktima u sakrifikua

Megjithëse u shkrepën plumba nga kallashnikovi, njëri nga të dyshuarit për vrasjen e Besim Musliut ka thënë se nuk i kujtohet shumë rreth rastit.

Sipas kërkesës së paraburgimit, të cilën e ka siguruar KOHA, Rexhep Rexhepi nuk kishte thënë shumë fjalë.

Në dëshminë e tij ai ka treguar se kur ishte nisur me veturë për të blerë disa gjëra për dasmën që kishte në shtëpinë e tij, shumë persona ia kishin prerë rrugën dhe kishin nisur ta sulmonin.

“Gjatë dëgjimit i akuzuari në prani të avokatit, sipas detyrës zyrtare, Kadri Osaj, ka cekur se nuk i kujtohet se kush e ka pasur armën, se vëllai i tij – i akuzuari i parë Shukri Rexhepi është lënduar, se janë nisur me veturë për të blerë disa mallra për dasmë, e cila do të duhej të mbahej në shtëpinë e tij. Me këtë rast në rrugën para oborrit të viktimës kanë dalë shumë njerëz dhe ata të parët kanë nisur që t’i sulmonin. Nuk i kujtohet dhe as nuk e di se vëllai i tij ka pasur armë”.

Në kërkesën e prokurorisë, paraqitur Gjykatës në Mitrovicë, thuhet se nuk janë dëgjuar ende dëshmitarët, për shkak se janë të lënduar dhe se gjenden në trajtim në QKUK.

“Në këtë fazë të hetimeve nuk është dëgjuar i akuzuari i parë, Shukri Rexhepi, ngase ai është lënduar gjatë rastit dhe ndodhet për shërim në Prishtinë. Me urdhër të prokurorit i akuzuari po mbahet nën mbikëqyrje deri në shërim, e pas kësaj do të iniciohet kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit, në mënyrë që të mundësohet prania e tij. Meqë ai aktualisht është i angazhuar me punë në Slloveni dhe jeton aty, ekziston rreziku për arratisje”.

Dy vëllezërit Rexhepi, sipas prokurorisë, dyshohen për veprat penale “vrasje e rëndë” e “armëmbajtje pa leje”, për shkak se pasditen e 23 korrikut, për shkak të mospajtimeve të mëhershme me paramendim kanë privuar nga jeta fqinjin e tyre Besim Musliu.

Sipas prokurorisë, viktima Besim Musliu është sakrifikuar duke tentuar që të shpëtojë personat e tjerë që ishin afër shtëpisë së tij.

“Në ditën e 23.7.2022, rreth orës 18:45, në fshatin Baks, në rrugën “Dëshmorët e 21 marsit”, në Komunën e Skenderajt, me paramendim ka privuar nga jeta viktimën Besim Musliu, ashtu që bashkë me të pandehurin e parë, Shukri Rexhepi, ka shkuar me veturë të tipit “Audi”, të cilin e drejtonte ai, para shtëpisë së viktimës, për shkak të një mospajtimi të mëhershëm, të cilin viktima e ka pasur me të birin e mitur të të pandehurit për shkak të ngasjes së shpejtë dhe që të dy të akuzuarit për këtë arsye edhe kanë shkuar para shtëpisë së viktimës, dhe i akuzuari Shukri Rexhepi ka sjellë me vete armën, dhe atë pushkë automatike AK47 – kallashnikov, dhe menjëherë pasi që ka dalë nga vetura ka nisur që të shtijë drejt portës së viktimës, ku në afërsi ndodheshin numër i madh njerëzish, e me këtë rast është lënduar Labinot Ademi dhe viktima Besim Musliu, i cili ka provuar që të sakrifikohet, kështu që në shpinë, më saktësisht në pjesën e epërme të shpatullës së majtë, e ka goditur një fishek, me ç’rast ka rënë përtokë, gjë të cilën e dëshmojnë gjurmët e gjakut në vendin e ngjarjes. Ai me këtë rast u është nënshtruar plagëve dhe, edhe pse është dërguar në spitalin në Skenderaj, ku vetëm i është konfirmuar vdekja, në vendin e ngjarjes janë gjetur disa gëzhoja armësh”.

Gjykata Themelore në Mitrovicë pasditen e së hënës ka vendosur masën e paraburgimit për 30 ditë, masë e cila po kundërshtohet nga avokati i Rexhepit, Kadri Osaj.

Osaj përmes telefonit ka thënë se Prokuroria në bazë të provave që ka vënë në dispozicion gjatë seancës nuk ka arritur të vërtetojë se klienti i tij ka shkrepur armën, ndonëse kishte qenë në makinë në vendin ku ka ndodhur ngjarja dhe për këtë do të bëjnë ankesë në Gjykatën e Apelit.

Prokuroria masën e paraburgimit e kërkoi me arsyetimin e mospërsëritjes së veprës penale për shkak se të pandehurit dhe familjarët e viktimës janë fqinjë mes vete dhe jetojnë në të njëjtin fshat.