Mbi 150.000 aplikime për votim të kosovarëve me banim jashtë Kosovës, e po aq telefonata të nevojshme nga Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për t’i verifikuar ato.
Rrëmuja e shkaktuar, me vendimin e fundit të KQZ-së, që të telefonohen për verifikim të gjithë ata që aplikojnë përmes postës elektronike për votim në zgjedhjet e 14 shkurtit, mund të zgjidhet lehtë, shpejtë dhe pa kosto të madhe financiare, sipas profesorit në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike, Blerim Rexha. Zgjdhja është votimi përmes internetit.
Rexha thotë se Kosova ka shumë përparësi me vendet në rajon, që do të mundësonin këtë, si letërnjoftimet biometrike dhe internetin e shpejtë.
Në deklaratë për KOHËN, tha se Kosova po sillet sikur nuk ka progres në fushën e teknologjisë dhe se kjo po bëhet nga vendimmarrësit që sipas tij, po e kthejnë vendin prapa.
“Kosova është sjellë sikur se nuk ka progres. Ne po e injorojmë progresin teknologjik që është rreth nesh, ashtu siç bëhet nëpër shkolla ku ende punohen detyrat si para 50 viteve dhe harrojmë që fëmijët qëndrojnë tërë ditën në kompjuter. Të rinjtë e Kosovës janë tërë ditën me telefona në dorë, ndërsa sot duhet të votohet në letër sikur para 100 viteve”, tha ai.
E në Kosovë, ka edhe përparësi tjera që ky proces do të kishte sukses.
“Kosova është vendi që ka penetrimin e internetit më të mirë në rajon, më të mirë se Gjermania e Austria dhe nuk mund ta injorojmë këtë fakt”, shtoi ai.
Te politikanët, Rexha tha se zhvillimi teknologjik ka mbetur 50 vite pas, duke i bërë përgjegjës që nuk kanë arritur ta funksionalizojnë votimin përmes internetit.
“Në radhë të parë është injorancë e atyre njerëzve që vendosin, teknologjia nuk është zhvilluar dhe ka mbetur në nivelet e 50-60 viteve te vendimmarrësit”, tha ai për KOHËN.
Votimi përmes internetit ka kohë që aplikohet në vendet e zhvilluara. Ndër vendet në Evropë, që gati i tërë procesi i votimit bëhet përmes internetit është Estonia.
Rexha ka thënë se votimi në formën elektronike nuk ka kosto të madhe dhe do të evitonte rrëmujat me fletëvotimet.
Për këtë rrëmujë, ka shkruar të premten edhe në Facebook.
“Do të ishte jashtëzakonisht e lehtë, pa ndonjë kosto shtesë, pa këto trazirat me verifikimin në telefon, me email, me dokumente shtesë, me dërgu fletëvotimin, e të tjera. Me të, diaspora nuk ka nevojë me shtypë fletëvotimin, nuk ka nevojë ta paguajë postën dhe kostoja e saj është më e ulët, nga ajo që bëhet për harxhimin e fletëvotimeve”, tha Rexha.
Një analizë e vitit 2012 mbi votimin përmes internetit, thotë se “zbatimi i votimit elektronik mund të ndikojë në rritjen e votuesve”, ndërsa thekson koston më të ulët që ka votimi në internet.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka hasur në kundërshti pas vendimit që ka lëshuar për mërgimtarët, duke i njoftuar se përmes thirrjeve telefonike do t’i verifikojë ata që aplikojnë si votues. Ndaj këtij vendimi kishin reaguar edhe votuesit jashtë vendit dhe shoqëria civile e shumë parti politike.