Arbëri

Votimi i profesorëve për vete, i përhapur në fakultetet e UP-së

Katër profesorë të Fakultetit të Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike votuan për vete në konkursin e vitit të kaluar, bazuar në disa procesverbale që KOHA i ka siguruar përmes kërkesës për qasje në dokumente publike.

Prezenca dhe votimi në mbledhje sipas një opinioni të dhënë nga Agjencia për parandalimin e Korrupsionit për Fakultetin Filozofik paraqet konflikt interesi.

Në mbledhjen kur Këshilli i Fakultetit ka votuar raportet e komisioneve vlerësuese, në procesverbal figuron prezenca e Bujar Krasniqit, Bahri Prebezës, Arben Mashkullit dhe Nuri Berishës. 

Bazuar në atë dokument avancimet e tyre u votuan njëzëri.

Në dokument evidentohet vetëm largimi i profesorit, Qamil Kabashi, i cili vlerëson se ka konflikt interesi nëse qëndron në sallë në momentin kur votohet raporti për avancimin e tij. 

“Prof. Asoc. Dr. Qamil Kabashi: Mori fjalën dhe tha, buletini është publikuar më 6 korrik, kohëzgjatja e buletinit ka qenë 15 ditë, për shkak se unë jam në pozitën e parë më duhet të largohem nga mbledhja gjatë votimit të kësaj pozite”, thuhet në procesverbalin e mbledhjes së Këshillit të FIEK-ut.

Për këtë çështje, profesorët e tjerë dhe menaxhmenti i Fakultetit nuk kthyen përgjigje për KOHËN.

Sipas procesverbaleve, prezentë në mbledhjet kur është votuar për procesin e riemërimit dhe avancimit kanë qenë edhe gjashtë anëtarë të Këshillit të Fakultetit të Ndërtimtarisë.  

Prezenca e profesorëve Esat Gashi, Figene Ahmedi, Anita Gjukaj, Fitore Bajrami dhe Arban Berisha, evidentohet në mbledhjet ku janë emëruar komisionet recensuese dhe kur janë votuar raportet e tyre. 

Por në procesverbal nuk është i paraqitur procesi i votimit për asnjë nga anëtarët.

Esat Gashi dhe Arban Berisha thanë se e kanë lëshuar sallën.

“Sekretarja e Fakultetit që zakonisht mban procesverbalin e mbledhjeve të Këshillit  jam i sigurt se e ka të evidentuar momentin kur është kërkuar nga dekani si udhëheqës i Këshillit që unë të liroj sallën e mbledhjeve të Këshillit derisa është diskutuar për rastin tim dhe është marrë vendimi. Në momentin kur ka dalë jashtë mbledhjes së Këshillit Profesori i dytë me radhë në konkurs (në mbamendjen time unë kam qenë i pari në listë) unë jam futur prapë në mbledhje. Kështu me radhe është vazhduar deri tek profesor/asistenti i fundit që në këtë konkurs kemi aplikuar për avancim respektivisht rizgjedhje”, ka thënë Gashi.

Po kjo nuk është evidentuar në procesverbalet që KOHA i ka pranuar nga fakulteti.
Dëshmi se anëtarët e Këshillit janë larguar nga mbledhja dhe nuk kanë votuar për vete nuk kanë dhënë as Fakulteti i Edukimit dhe as ai i Arteve.

Fakulteti i Edukimit ka avancuar në profesorë asistentë Adelina Hajrullahun, Donika Koliqin dhe Muhamet Pecin.

Në procesverbale nuk evidentohet largimi i tyre nga salla. Aty thuhet se raportet janë votuar me shumicë votash.

E në atë të Arteve është avancuar profesor Emin Emini, i cili sipas procesverbaleve ishte prezent në të gjitha mbledhjet që ndërlidhen me procesin e marrjes së gradës.

KOHA ka raportuar të dielën se sipas një dokumenti zyrtar të Këshillit të Fakultetit Filozofik, edhe rektori i Universitetit të Prishtinës, Arben Hajrullahu, ka votuar për vete kur u avancua para dy vjetëve.