Kuvendi Komunal i Prishtinës në seancën e jashtëzakonshme të mbajtur të martën ka nisur votimin e fshehtë për shkarkimin e kryesuesit Pëllumb Bajçinovci, i cili vjen nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK). Votimi për shkarkimin e tij vjen pas prishjes së koalicionit në mes të Partisë Demokratike të Kosovës dhe LDK-së në kryeqytet. Në sallë janë asamblistët e Vetëvendosjes, PDK-së, AAK-së e AKR-së.
Bajçinovci ishte zgjedhur kryesues në një mbledhje më 27 qershor, pas shkarkimit të Fehmi Kupinës.
Para votimit, kryetari Përparim Rama, akuzoi asamblistët për “rrëmbim të pushtetit”. Bashkë me Bajçinovcin, pas fjalimit e para votimit, lëshuan sallën.

“Kjo është politika juaj me i ndalu projektet. Tani kur Rruga A po përfundon me kohë rekorde, ndërtimi i gjashtë shkolla dhe çerdheve. Tani kur unaza e qytetit është në proces. Këto po ndodhin kur ndërkombëtarët po besojnë... tani kur po kthehem nga Katari dhe kam marrë zotimin për projekte të reja. Ndodhemi në një pikë udhëkryqi në kryeqytet.... Kjo është tentativë për të rrëmbyer pushtetin. Po tentohet të bllokohet kryeqyteti”, ka thënë Rama.
E Gëzim Sveçla, shef i asamblistëve të Vetëvendosjes dhe iniciues i seancës, ka thënë se largimi i Ramës është “shpërfaqja më e mirë e tij”. “Akoma nuk kemi mbledhje të rregullta, kryesuesi nuk ka ndërmarrë asnjë veprim ta zhbllokojë Kuvendin. Nuk është angazhuar. Bajçinovci ka dështuar dhe nuk ka performancë të mirë”, ka thënë ai.

Shefi i asamblistëve të PDK-së, Leutrim Retkorceri, ka thënë se situata aktuale ka ardhur “pashmangshëm nga Përparim Rama”. “Në fjalimin e vet më herët, nuk e ka respektuar as qytetarin, as veten e as partnerin. Ishte interesi publik ai që na ndau. Ishte Badovci”, ka thënë ai. “Kuvendin dhe kryeqytetin nuk do ta mbajë të bllokuar as Përparimi e as Pëllumbi”.

Prishja e koalicionit në Prishtinë erdhi pasi asamblistët e PDK-së votuan për anulimin e vendimit për shkëmbim të pronave komunale me të ish-klientëve të kryetarit Rama. Paraprakisht, Rama shkarkoi disa drejtorë të PDK-së.