Arbëri

Vonohet vaksina kundër gripit sezonal, vjen në mes të nëntorit

Pandemia dhe kërkesat e mëdha të shumë vendeve të botës për sigurimin e vaksinës kundër gripit sezonal kanë bërë që as Kosova të mos arrijë ta sigurojë me kohë këtë vaksinë.

Ndonëse disa herë deri më tani ishte paralajmëruar se vaksinimi sidomos i grupeve të rrezikuara do të nisë në tetor, organizata e cila merret me sigurimin e kësaj vaksine ka bërë të ditur se ajo në Kosovë nuk mund të arrijë më herët se mesi i muajit nëntor.

Zyrtarë të UNICEF-it në Kosovë thonë se kanë siguruar mbi 160 mijë doza të vaksinës, por shkaku i pandemisë transportimi është bërë më i vështirë, raporton KOHA.

“Këtë vit, duke e pasur parasysh gjendjen në të cilën jemi, UNICEF-i ka arritur të ngrejë për 50% numrin e vaksinave me ç’rast i presim 160.500 doza të vaksinave të arrijnë në Kosovë. Duke e pasur parasysh që globalisht për shkak të pandemisë, logjistika është bërë më e vështirë, pritet që vaksinat të arrijnë në Kosovë në mesin e nëntorit, por mund të këtë ndonjë vonesë eventuale duke pasur parasysh kërkesat e shumta globale”, ka thënë UNICEF-i.

Anëtarë të Komisionit për Shëndetësi thonë se institucionet është dashur të jenë më të përgatitura për sigurimin e kësaj vaksine, kur kihet parasysh mbrojtja që mund t’i jepet popullatës përmes kësaj vaksine në kohë të pandemisë.

“Realisht për shkak të situatës me pandemi është më se e domosdoshme që vaksina të sigurohet me kohë, por edhe para kohës që të kemi një mbrojtje të popullatës në rrezikun që mund të ndodhë gjatë muajve e dhe ditëve në vijim, sepse pacientët sidomos me mosha të shtyra potencialisht janë më të rrezikuar në aspektin e mbrojtjes shëndetësore do të ishte një ndihmesë e madhe për ta dhe institucionet tona do të duhej të ishin më të përgatitura për këtë fazë”, ka thënë Bekim Haxhiu nga PDK-ja.

Derisa ministri Armend Zemaj nuk ka mundur të japë një afat se kur do të mund të nisë vaksinimi kundër gripit sezonal derisa ka pranuar se ka vonesa.

“MSH-ja me kërkese të IKSHPK-së ka përfunduar procedurën e prokurimit kundër gripit sezonal në marrëveshje me UNICEF-in. Fillimisht janë siguruar rreth 120 mijë vaksina e më pas edhe 4.500. Në total, 160 e 500 mijë vaksina. Ndërsa, MSH-ja është në proces të tenderimit edhe të 250 mijë vaksinave nga buxheti i saj. Problemi i sigurimit është akoma evident duke marrë parasysh edhe kërkesat e mëdha në tregun botëror dhe rezervat, por edhe ndryshimi i situatës epidemiologjike dhe kërkesat që të shtrihet vaksinimi në grupe të tjera”, është shprehur Zemaj.

Deri më tani Kosova vaksinën kundër gripit sezonal e ka siguruar përmes UNICEF-it, ndërsa këtë vit në shtator MSH-ja ka hapur tenderin për të siguruar edhe rreth 400 mijë vaksina të tjera, por që ky tender është anuluar për shkak të tejkalimit të çmimit.