Arbëri

Vllasi: Serbia nuk heziton të organizojë ndonjë “Panda” të re para anëtarësimit të Kosovës në KiE

Ish-politikani Azem Vllasi

Ish-politikani Azem Vllasi

Avokati Azem Vllasi ka thënë se Serbia nuk heziton të organizojë ndonjë provokim para anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës. Vllasi ka thënë se duhet të ketë kujdes për sigurinë e minoriteteve, sidomos të serbëve, pasi mund të organizojë ndonjë akt terrorist si rasti “Panda” më 1998. 

“Serbia do të tentojë të organizojë ndonjë provokim. Sidomos duhet të ketë kujdes për sigurinë e minoriteteve, posaçërisht serbëve të Kosovës, sepse Beogradi nuk heziton të organizojë edhe ndonjë akt terrorist si vrasje e serbëve të Kosovës siç ishte rasti Panda më 1998, vetëm e vetëm për t’ia hedhur Kosovës një njollë para vendimit definitiv më 16-17 maj për anëtarësim në KiE”, ka thënë Vllasi të enjten në “Interaktiv” të KTV-së. 

Vllasi ka thënë se Serbia është “çmendur” pas miratimit të raportit në Asamblenë Parlamentare për anëtarësimin e Kosovës në KiE para dy ditësh. 

“Pushteti serb bukvalisht është çmendur nga kjo që ndodhi para dy ditësh me aprovimin e propozimit që Kosova të bëhet anëtare e Këshillit të Evropës”, ka thënë ai, duke u shprehur i bindur se në maj do të votohet pro anëtarësimit të Kosovës në KiE.

Lidhur me votimin për shkarkimin e kryetarëve të komunave veriore, ish-politikani ka thënë se mund të dështojë për shkak të frikësimit të serbëve në këtë pjesë nga Beogradi, përmes Listës Serbe. 

“Mund të dështojë ajo më 21 prill sepse serbët e Kosovës në pjesën veriore i frikësoi Serbia, i shantazhon Lista Serbe, e cila është si mashë e pushtetit të Beogradit në Kosovë dhe vepron ashtu si urdhëron Vuçiqi. Pushtetin e Serbisë dhe veglat e tyre në Kosovë, siç është Lista Serbe, nuk u intereson as integrimi i serbëve në sistemin normal ligjor të Kosovës, e asgjë tjetër, vetëm u intereson shkaktimi i destabilizimit të Kosovës, kjo i bën raportet mes Kosovës dhe Serbisë të rënda”, ka thënë ai.