Arbëri

Vlerësohet se ndikimi turk mund të sjellë njohje nga Siria

Presidentja Vjosa Osmani ka takuar të premten homologun e saj sirian, Ahmed al-Shara, formacionet e armatosura të të cilit pak muaj më parë kanë rrëzuar regjimin e Bashar al-Assadit. Presidenca siriane i është referuar Kosovës si Republikë, në njoftimin lidhur me takimin. E presidentja Osmani ka thënë se takimi hap kapitujt e bashkëpunimit mes të dyja shteteve. Në Prishtinë është shprehur pritja për njohje të shpejtë të pavarësisë së Kosovës nga Siria

Presidentja Vjosa Osmani është takuar të premten me homologun e saj sirian, Ahmed al-Sharaa, i cili e ka marrë detyrën në muajin dhjetor, kur formacionet ushtarake që ai i drejtoi e kanë rrëzuar pushtetin e Bashar al-Assadit.

Takimi për të cilin Osmani ka thënë se i hap kapitujt e bashkëpunimit në mes të dyja shteteve, është realizuar në kuadër të edicionit të katërt të Forumit Diplomatik, i cili është duke u mbajtur Antalia të Turqisë.

Ajo ka theksuar se si Siria ashtu edhe Kosova ndajnë bashkë vuajtje të njëjta nga regjimet diktatoriale dhe gjenocidale.

“Populli i Kosovës dhe ai i Sirisë kanë përjetuar vuajtje të panumërta nga regjime diktatoriale e gjenocidale, në luftën e tyre për të qenë të lirë. Sot, me presidentin e Sirisë së lirë, z. Ahmed al Sharaa, kishim takimin tonë të parë për ta hapur kapituj të rinj bashkëpunimi ndërmjet dy vendeve tona. Kosova dhe Siria ndajnë plagë të njëjta: dhimbjen e luftës, shpërnguljen, e sfidat e rindërtimit, ndaj Kosova është e gatshme ta ndajë përvojën e saj në ndërtimin e institucioneve demokratike”, është thënë në njoftimin e Presidencës.

Siria nuk e ka njohur Kosovën shtet. Por, shqiptarë që kanë qenë pjesë e formacioneve të armatosura dhe kanë luftuar për vite kundër regjimit të al-Assadit, kanë thënë se njohja mund të vijë shpejt, pas ndryshimeve që kanë ndodhur në këtë shtet.

E, Presidenca e Sirisë që ka njoftuar për takimin midis Osmanit dhe al-Sharas, shtetit i janë referuar me termin kushtetues - Republika e Kosovës.

“Presidenti i Republikës Arabe të Sirisë, z. Ahmad Al-Shara, dhe Shkëlqesia e Tij, ministri i Punëve të Jashtme, z. Asaad Al-Shaibani, u takuan me presidenten e Republikës së Kosovës, znj. Vjosa Osmani, në margjinat e Forumit Diplomatik të Antalias”, është thënë në njoftimin e Presidencës siriane.

Mustafë Bajrami, njohës i marrëdhënieve ndërkombëtare, ka thënë se ky takim mund të jetë ndërmjetësuar nga presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, për shkak të ndikimit të tij të madh në Siri dhe në rrëzimin e pushtetit të Assadit.

Ai ka theksuar se ky takim mund t’i paraprijë një procesi drejt njohjes së pavarësisë së Kosovës nga Siria.

“Takimi midis Ahmed al Sharaa, liderit të Sirisë dhe zonjës presidente Vjosa Osmani, konsiderohet si i rëndësishëm, i peshës së vet, i një niveli të vet dhe unë pres edhe një njohje pra të re për Kosovën tonë. Aq më shumë nëse në lojë është Turqia, presidenti Erdogan, i cili që nga paralufta, gjatë luftës, pasluftës e deri në këtë momente kur po flasim është në vijën e parë të shteteve që e kanë ndihmuar vazhdimisht Kosovën”, ka thënë Bajrami.

Para takimit me homologun sirian, presidentja Osmani është pritur nga presidenti i Turqisë, Erdogan. Në njoftimin për këtë takim, ajo ka shkruar se Erdogan është zë i fuqishëm dhe një shtyllë e fortë mbështetjeje në çdo etapë të shtetndërtimit të Kosovës.

“Presidenti Erdogan është lider që i qëndroi Kosovës pranë gjithmonë, në çdo sfidë e në çdo sukses. Një mik i dëshmuar i Kosovës, një zë i fuqishëm për të drejtën tonë, dhe një shtyllë e fortë mbështetjeje në çdo etapë të shtetndërtimit tonë. Turqia është dhe do të mbetet një partner kyç për paqen, sigurinë dhe zhvillimin rajonal. Marrëdhëniet tona janë më shumë se miqësi, janë një partneritet i ndërtuar mbi besim, respekt dhe vizion të përbashkët për të ardhmen”, është bërë e ditur në njoftimin e Presidencës.

Presidentja Osmani do të marrë pjesë në edicionin e katërt të Forumit Diplomatik të Antalias, me ftesë të presidentit turk. Në margjinat e këtij forumi në Turqi, Osmani do të zhvillojë takime bilaterale me homologë nga vende të ndryshme të botës, në fokus të të cilave, sipas Presidencës, do të jetë forcimi i marrëdhënieve bilaterale dhe thellimi i bashkëpunimit ndërkombëtar të Kosovës.

Forumi i këtij viti, me temën “Rikthimi i diplomacisë në një botë të fragmentuar”, synon që t’i adresojë sfidat ndërkombëtare në një kontekst të polarizuar global, duke vënë theksin te nevoja që diplomacia ta rifitojë rolin e saj si forcë stabilizuese dhe ndërtuese e paqes.

Forumi Diplomatik i Antalias është një platformë e nivelit të lartë, që mbledh liderë shtetesh, diplomatë të rangut të lartë dhe ekspertë nga mbarë bota për të diskutuar çështje kyç të sigurisë, të politikës së jashtme dhe të bashkëpunimit ndërkombëtar.