Arbëri

Vlerësohen vetëm si shfaqje politike takimet mes deputetëve e kryeministrave të Kosovës e Shqipërisë

Njohës të çështjeve politike nuk kanë parë rezultate nga takimi i një dite më parë mes Kuvendit të Kosovës dhe atij të Shqipërisë, e as nga takimi i realizuar mes dy kryeministrave. Ata nuk shprehën pritje për një mbledhje të përbashkët mes dy qeverive, pasi theksuan se raportet mes Kurtit e Ramës janë larg atyre që duhen të jenë.

Seanca e përbashkët e deputetëve të Kuvendit të Kosovës dhe atij të Shqipërisë, e edhe takimi bilateral pas dy vjetësh i kryeministrave Albin Kurti e Edi Rama, janë vlerësuar nga njohës politikë si shfaqje që për qëllim nuk kanë pasur arritjen e ndonjë rezultati. 

Ish-ambasador i Shqipërisë në OKB, Agim Nesho, tha se Rama ishte i pasinqertë në fjalimin që e mbajti.

“Zoti Rama më tepër bëri një shfaqje, ku u mor me elementë sensibilizues të një demagogu dua të them unë, duke ngritur çështjen tepër sensitive të udhëheqësve të UÇK-së, por duhet të kemi parasysh që ka qenë pikërisht zoti Rama, në kohën e dashurisë me Vuçiqin kur përgatiteshin dosjet kundër udhëheqësve të UÇK-së dhe nuk e ka ngritur këtë problem”, tha Nesho. 

Takimi i përbashkët i ligjvënësve dhe drejtuesve tjerë të të dyja shteteve, do të duhej të fokusohej te përmbajta, thekson njohësi i çështjeve politike në Shqipëri, Edvin Kulluri, i cili ka nisur aktivizmin në partinë “Djathtas 1912”. 

“Ne duhet të tregojmë unitet, duhet të tregojmë kohezion, duhet të tregojmë qëllime të përbashkëta dhe këto nuk realizohen nëse edhe në marrëdhëniet personale mes aktorëve politikë dhe sidomos institucionalë, kur flasim për kryeministra, presidentë, kryetarë kuvendësh apo ministra janë marrëdhënie problematike”, tha Kulluri. 

Krahas seancës së përbashkët të të dyja Kuvendeve, kryeministrat Kurti e Rama u takuan dhe nënshkruan një marrëveshje. Zhvillimi ndodhi dy vjet pas raporteve të tensionuara mes tyre. 

Përkundër takimit të së premtes, ambasadori Nesho nuk pret takim mes dy qeverive.

“Ky raport do të mbetet i zbehtë për sa kohë që nuk ka një autokritikë nga z. Rama për gjithë politikat e tij të deritanishme, që në shumë raste kanë qenë antikombëtare, ka, në vend që të jetë një nga frymëzueset e një bashkëpunimi pa kushte me Kosovën, përkundrazi, ka gjetur si partner deri tani që të bashkëpunojë me regjimin nacionalist të Vuçiqit në shumë projekte, duke filluar që nga ndryshimi i kufijve me Ballkanin e hapur”, tha Nesho. 

E, politikani Kulluri liston dy parakushte që do ta bënin më të lehtë takimin midis dy qeverive.

“Zoti Rama duhet ta ulë pak protagonizmin e tij në marrëdhënie me palë të tretë ndërkombëtare, për sa kohë Kosova ka qeverinë e saj, po edhe Kurti, unë e kam bërë thirrje prej kohësh, duhet ta moderojë shumë qëndrimin që ka ndaj faktorit dashamirës ndërkombëtarë”, tha Rama.

Në Prishtinë, Rama u pa si zyrtari i parë i një shteti që i vuri sanksione Kosovës, shkaku i veprimeve të Qeverisë në veri. Ai anuloi një mbledhje të përbashkët ndërmjet dy qeverive, për të cilën ishin bërë të gjitha përgatitjet në Gjakovë që ajo të organizohej.