Arbëri

Vlerësohen si joefikase politikat integruese për fëmijët me aftësi të kufizuara në shkolla

Për 3900 fëmijë me aftësi të kufizuara janë të angazhuar vetëm 339 asistentë. Ky përpos që po konsiderohet numër i vogël i profesionistëve mbështetës, edhe politikat integruese po kritikohen si joefektive. Për njohës të arsimit, caktimi i asistentit për fëmijën mund të çojë në izolim, e jo në integrim.

Kur kemi hyrë në javën e dytë të vitit të ri shkollor, problemet e vjetra po e përcjellin sistemin arsimor.

Për 3903 fëmijë me aftësi të kufizuara në klasat e rregullta janë të angazhuar 339 asistentë.

Kjo nënkupton që secili asistent duhet të mbështesë afërsisht 11.5 fëmijë.

Ndërsa ligji parasheh një raport 1 asistent për një apo 2 fëmijë.

Profesori dhe njohësi i politikave arsimore, Xhavit Rexhaj, ndonëse konsideron që janë bërë përparime në integrimin e fëmijëve me aftësi të kufizuara, ai ka vërejtje për qasjen apo politikat integruese.

“Ai asistent ose asistente i fëmijës me nevoja të veçanta po punon vetëm më atë fëmijë dhe vetëm sa më tej po e izolon atë fëmijë prej grupit tjetër të klasës. Që nuk qenë qëllimi i qasjes së integruar”, tha Rexhaj.

Profesori Rexhaj sugjeron ndryshim të qasjes. Sipas tij, asistentët duhet të jenë për mësimdhënësin dhe rrjedhimisht për të gjithë klasën.

“Të gjithë fëmijët, ku më shumë e ku më pak, kanë nevoja të veçanta arsimore, talente të veçanta, prirje të veçanta. Prandaj, kjo çështje duhet trajtuar në mënyrë holistike, në nivel të mësuesit të cilin”, tha Rexhaj.

Kosova ndjek politika të klasave të integruara, ku fëmijët me aftësi të kufizuara nuk arsimohen veçmas.

Për t’iu dalë në ndihmë këtyre fëmijëve, angazhohen asistentë që trajnohen nga Ministria e Arsimit, e të cilët pastaj herë punësohen e herë jo.

Në përgjigjen e MASHTI-t thuhet që synim është që numri i asistentëve të mbërrijë në 500. Për thanë se kanë marrë masa shtesë.

“Nuk ka pengesa ligjore, ka mungesë të të diplomuarve në nivelin 5 për asistent. Mirëpo MASHTI (Agjencia për Arsim dhe Aftësim Profesional) ka ndërmarrë masa dhe në dy qytete si Gjakovë dhe Gjilan ka shtuar dy grupe për aftësimin e tyre”, tha MASHTI.

E organizata “Handikos”, thotë që punë duhet bërë edhe në identifikimin dhe integrimin e fëmijëve me aftësi të kufizuara, pasi, sipas tyre, një pjesë e madhe janë jashtë sistemit arsimor.

“Sipas një statistike të UNICEF-it, vetëm 12 për qind e fëmijëve me aftësi të kufizuara janë të përfshirë në institucione shkollore në Kosovë, ndërkaq 88 për qind të tjerë i bie që janë nëpër shtëpitë e tyre. Për këtë arsye, ne edhe gjatë takimeve zyrtare, por edhe deklaratave tona publike kërkojmë nga institucionet të bëhet diçka konkrete për përfshirjen edhe të këtij numri të madh të fëmijëve në procesin mësimor”, u tha nga Handikos.  

Një pjesë e prindërve, për të mbuluar këtë boshllëk të lënë nga institucionet, angazhojnë me mjete vetjake asistentë për fëmijët e tyre.