Një javë që pas hapjes së pishinës, drejtori i ndërmarrjes menaxhuese “Sport Marketing”, Bardh Krasniqi, ka vendosur një apel për qytetarët me anë të të cilit ua ka ndaluar atyre që në brendi të mos sjellin ushqim të marrë nga jashtë. E në lokalet përbrenda pishinës pica më e lirë, e llojit margarita, kushton 3 euro, ndërsa ato të tjera nga 5 euro. Ndërkaq një koktej me përmbajtje të alkoolit kushton 6 euro, përderisa ai pa alkool 3 euro
Pishina në Parkun e Gërmisë në kryeqytet e ka hapur sezonin veror me rritje prej 100 për qind të çmimeve.
Krahasuar me një vit më parë, çmimi i biletës për hyrje në këtë pishinë për personat e rritur është ngritur nga 2 në 4 euro, ndërsa për fëmijët nga 1 në 2 euro. E qytetarët që zgjedhin ta kalojnë ditën në shezlonët e vendosur përreth pishinës do të paguajnë edhe 4 euro shtesë, përderisa për shfrytëzimin e shtretërve edhe 8 euro, krahas pagesës për hyrje.
Përderisa nuk është praktikë që qytetarët të paguajnë investimet e ndërmarrjeve publike pasi që ato menaxhohen nga shteti, Bardh Krasniqi, drejtor i ndërmarrjes menaxhuese “Sport Marketing”, i ka arsyetuar çmimet e vendosura me punimet të cilat janë kryer në zonën e pishinës para hapjes së saj.
“Për shkak të ndërrimit të çmimeve, pastërtinë e kemi deri në 100 për qind më shumë. Vetëm materiali i klorit që e bën pastrimin e ujit po kushton shumë. Kjo ka ndikuar që t’i rrisim edhe ne pak çmimet”, ka thënë Krasniqi.
E vetëm një javë pas hapjes së pishinës, Krasniqi ka vendosur një apel për qytetarët me anë të të cilit ua ka ndaluar atyre që në brendi të mos e sjellin ushqimit e marrë nga jashtë. Këtë vendim ai e ka arsyetuar me mbeturinat që ngelen në ujin e pishinës, pas mbylljes së saj për pushues.
“Po, pishinat publike kanë rregulloret e tyre, të cilat e përcaktojnë funksionalitetin dhe rregullat e brendshme në mënyre që ajo të mbahet pastër dhe të kontrollohen shërbimet dhe ushqimet të cilat shërbehen brenda saj, ku në rastin më të keq të ndonjë helmimi apo diçka tjetër ne duhet të japim përgjegjësi, dhe për këtë arsye përgjegjësia duhet të jetë e qartë dhe të dimë se ku të adresohen problemet”, ka bërë të ditur ai.
E për t’u shërbyer me ushqimet që ofrohen në lokalet brenda pishinës frekuentuesit duhet të paguajnë çmime të larta. Në to pica më e lirë, e llojit margarita, kushton 3 euro, ndërsa ato të tjerat nga 5 euro.
Ndërkaq një koktej me alkool kushton 6 euro përderisa ai pa alkool 3 euro.
Këto çmime qytetarët i kanë kualifikuar si të larta dhe të krahasueshme me ato nëpër pishinat private.
“Çmimet janë të larta sivjet. Komuna e Prishtinës duhet të bëjë diçka në këtë aspekt. Nuk është gjë e mirë kjo, pasi të gjithë nuk i kanë kushtet për të blerë ushqim këtu. Nuk është e drejtë që ta determinojnë ushqimin”, ka thënë qytetari Nazif Gashi.
E për qytetarin tjetër, Shaban Bicaj, çmimet e ngritura janë të përballueshme.
“Çmimet kanë lëvizur paksa këtë vit, mirëpo unë mendoj që janë të përballueshme për popullsinë. Ata që nuk kanë mundësi të vijnë këtu le të rrinë në shtëpi”, ka thënë ai.
Brenda pak ditësh në hapësirën e pishinës do të vendoset edhe një minimarket me produkte ushqimore.