Nuk shihet prezencë e madhe e vizitorëve megjithatë, edhe këta që janë të pranishëm, nuk janë lejuar që të marrin ushqim nga jashtë.
Kjo, pasi vetëm një javë pas hapjes së pishinës kryeshefi i ‘Sport Marketing’, Bardh Krasniqi, ua ndaloi qytetarëve edhe marrjen e ushqimit nga jashtë.
Për këtë u arsyetua me disa qese mbeturina që i gjeti brenda ujit në pishinë.
Në një përgjigje me shkrim për KOHA-n, Krasniqi tha se kjo është bërë për shkak të mirëmbajtjes së pishinës.
“Po, pishinat publike kanë rregulloret e tyre, te cilat e përcaktojnë funksionalitetin dhe rregullat e brendshme, në mënyre që ajo të mbahet pastër, dhe të kontrollohen shërbimet dhe ushqimet të cilat shërbehen brenda saj, ku në rastin më të keq të ndonjë helmimi apo diçka tjetër, ne duhet të japim përgjegjësi, dhe për ketë arsye, përgjegjësia duhet të jetë e qartë dhe të dimë se ku të adresohen problemet”.
Restoranti sezonal që menaxhohet nga kompania “Pepermint LLC”, frekuentuesve të pishinës publike do t’ua ofrojë picën më të lirë me çmim prej 3 eurosh, kurse të tjerat me nga 5 euro.
Krasniqi thotë që restoranti është përzgjedhur me thirrje publike.
e cila menaxhon me pjesën komerciale/hotelerisë është zgjedhur me thirrje publike të bërë më datën 05.05.2023, ashtu siç bëhet me procedurën ligjore për thirrjet publike, duke i kërkuar kriteret që duhet të plotësohen, dhe pjesën financiare të cilën i obligohet ndërmarrjes për shfrytëzimin gjatë atyre muajve te sezonit veror”.
Për qytetarët çmimet janë të larta dhe të krahasueshme me ato në pishina private.
“Çmimet janë të larta këtë sivjet, Komuna e Prishtinës duhet të bëjë diçka në këtë aspekt. Nuk është gjë e mirë kjo pasi të gjithë nuk i kanë kushtet për të blerë ushqim këtu, nuk është e drejtë që ta determinojnë ushqimin”, tha Nazif Gashi.
“Çmimet kanë lëvizur paksa këtë vit, mirëpo unë mendoj që janë të përballueshme për popullsinë. Ata që nuk kanë mundësi të vijnë këtu le të rijnë në shtëpi”, shtoi qytetari Shaban Bicaj.
Pishina e Gërmisë këtë vit ka filluar sezonin me ngrije të çmimeve për 100 për qind. Kjo, pasi përveç ngritjes të çmimit të hyrjes prej 2 eurosh për të rritur dhe 1 euro për të vegjël, ngritje të çmimeve kishte edhe në shfrytëzimin e shezlonëve dhe pushimoreve.
Kurse këtij grumbulli të risive për këtë vit, pishinës publike shumë shpejt do t’i bashkohet edhe një mini-market me produkte ushqimore.