Si përpjekje për parandalimin e ndikimit dhe të tendencave të Rusisë për nxitje konflikti në Ballkan e kanë vlerësuar njohës të çështjeve politike e juridike vizitën e shefit të CIA-s në Kosovë, Bosnjë e Serbi. Ata thanë se këto vizita e mbartin mesazhin e qartë se qetësia në rajon arrihet vetëm nëpërmjet bashkëpunimit me Shtetet e Bashkuara
Vizitat e drejtorit të Agjencisë Qendrore amerikane për Inteligjencë, CIA, William Burns, në Kosovë, Bosnjë-Hercegovinë e Serbi janë vlerësuar nga njohës të çështjeve politike si me domethënie të madhe për rajonin në funksion të parandalimit të mundësisë që Rusia të ushtrojë ndikim për krijim tensionesh në Ballkan.
Gjatë turit të kësaj jave, Burns ka takuar udhëheqës shtetërorë të të tri vendeve, përfshirë presidenten Vjosa Osmani e kryeministrin Albin Kurti.
Për analistin Visar Xani, vizita ndërlidhet me ndikimin e Rusisë në Serbi.
“Është e rëndësishme që sidomos nuk është mundur të anashkalohet edhe Kosova për shkak që e dimë se Rusia në Beograd dhe në Serbi ka një ndikim të madh dhe po ashtu përmes Beogradit mund të destabilizoj Bosnjën dhe Kosovën, prandaj për t’i parandaluar këto rreziqe, për shkak se Rusia është duke punuar në këtë drejtim dhe e vetmja mënyrë për ta penguar këtë aspekt dhe këtë skenar është bashkëpunimi i Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, ka thënë Xani.
Me këtë qëndrim, pajtohet edhe njohësi i çështjeve juridike, Mazllum Baraliu.
“Ardhja s’është as e rastësishëm e as e parëndësishme. Shumë e rëndësishme dhe në momentet më vendimtare për t’iu treguar këtyre eksponentëve që haptazi jo këto ditë javë e muaj, po me vite të tëra udhëheqin politika të papranueshme në botën e shekullit 21 dhe haptazi kërcënojnë çdo ditë dhe veprojnë në mënyrë diskrete e edhe të hapur. Kërcënimet e Serbisë dhe të kësaj eksponence të (presidentit serb Aleksandar) Vuçiqit dhe bashkëpunëtorëve të tij janë të hapura dhe rrezik potencial për sigurinë e Evropës dhe jo vetëm të Ballkanit”, ka thënë Baraliu.
E Xani thotë se vizita e mbart mesazhin e qartë se qetësia në Ballkan arrihet vetëm nëpërmjet bashkëpunimit me SHBA-në.
“Konsideroj se ne si Kosovë duhet t’i lexojmë saktë këto mesazhe, të vazhdojmë bashkëpunimin me SHBA-të për shkak që përmes tyre edhe mund ta ruajmë stabilitetin në Ballkan, në Kosovë dhe në të njëjtën kohë ta përdorim për të avancuar tutje në struktura euroatlantike”, ka theksuar ai.
Vizita e shefit të CIA-s në Prishtinë, e ka pasuar atë të zëvendëssekretarit të përgjithshëm të NATO-s për Çështje të Jashtme dhe Siguri, Boris Ruge.
Qeveria Kurti është akuzuar nga ndërkombëtarët se me veprimet në veriun e banuar me serbë, ka kontribuuar në përshkallëzim të situatës. Ajo ndodhet nën presionin për të mos e përmbushur zotimin për ta hapur urën qendrore mbi Ibër, në Mitrovicë.
Në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit rreth takimit me shefin e CIA-s dhe as në postimin e kryeministrit Kurtit, nuk është treguar nëse çështja e hapjes së urës është diskutuar në takimin me shefin e CIA-s.
E, edhe të shtunën, ndërkombëtarët kanë insistuar se ura nuk duhet hapur tani.
Ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, ka përsëritur qëndrimin e shtetit që përfaqëson, duke thënë se situata aktuale e sigurisë nuk është në favor të hapjes së kësaj ure, ani pse ka një marrëveshje të arritur kohë më parë për këtë. Ai po ashtu ka thënë se ka rrezik për tensione, nëse ura hapet.
“Ne kemi qenë shumë të qartë me Qeverinë e Kosovës. Natyrisht, ne kemi të njëjtat qëllime si ato të Qeverisë, që të gjitha marrëveshjet e kaluara duhet të zbatohen. Dhe, ka edhe një vendim nga këto marrëveshje që duhet zbatuar, është marrëveshja e arritur për hapjen e urës mbi lumin Ibër. Por, koha nuk është tani, e dini, ka rrezik për tensione atje”, ka thënë ai për televizionin publik.
Ambasadori gjerman ka shtuar se duhen konsultime mes Qeverisë së Kosovës dhe Perëndimit dhe se Ura e Ibrit mund të hapet vetëm atëherë kur vlerësohet se ka siguri për të ndodhë kjo gjë.
“Tani duhet të ketë një proces, duhet të ketë konsultime, por për momentin nuk bëhet fjalë për hapje. Këtë ia kemi komunikuar Qeverisë. Për mua është e qartë se ura duhet të hapet, por kemi nevojë për dialog mes Qeverisë me Perëndimin, vlerësimi i situatës së sigurisë aktualisht e bën të qartë se nuk është momenti për të hapur urën. Për sa kohë mendojmë se nuk është momenti i duhur për t’u hapur ura, duhet të qëndrojmë në situatën aktuale”, ka deklaruar tutje ai.
Një ditë më herët, Rohde u takua me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti. Sipas njoftimit të Qeverisë, “në takim u bisedua për marrëdhëniet bilaterale, bashkëpunimin në projektet zhvillimore ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Gjermanisë, si dhe për zhvillimet dhe temat aktuale në vend”.