Dy luftëra të përgjakshme ishin lajme kryesore të vitit 2023, vazhdimi i agresionit të Rusisë në Ukrainë dhe lufta e Izraelit kundër Hamasit në Rripin e Gazës. Të dy këto konflikte thelluan edhe më shumë ndasitë në botën e sotme. Ishte një vit ku BE-ja vendosi bazat për disa ndryshime dramatike, kur u thellua Aleanca Euroatlantike, u zvogëlua shumë ndikimi nga nafta dhe gazi rus. Ishte vit kur BE-ja sanksionoi Kosovën, ku në fillim të vitit u tha se u arrit e pastaj dështoj marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë. Por, viti 2024 do të jetë shumë sfidues, me zgjedhje në Evropë dhe Amerikë, që mund ta çrregullojnë edhe më shumë botën
Bota kaloi nëpër shumë sfida në vitin 2023, shumë prej tyre të papritura dhe të paparashikuara. Dhe kjo është ndier edhe në Evropë, e cila vazhdoi të përballej me inflacionin e lartë, me rritjen e interesave nga bankat si përpjekje për të ngadalësuar inflacionin, me përballje katastrofash natyrore dhe ato të shkaktuara nga njeriu. Për ata që nuk besojnë në ndryshimet klimatike mjafton të shohin se në ditët e Krishtlindjes në vitin 2023 në shumë vende të Evropës Perëndimore dhe Veriore po lulëzojnë akoma trëndafilat, temperaturat janë më të larta sesa për festën e Pashkëve, që ishte në prill të atij viti. Toka gjithnjë e më pak po i duron ndryshimet, gjithnjë e më shumë përmbytje, shembje dheu, zjarre. Dhe në këto rrethana vendet e botës të mbledhura në fund të vitit në Dubaj në COP 2023, arritën një kompromis për ndryshimet klimatike por të cilat, sipas vlerësimit të ekspertëve, nuk do të mjaftojnë të shpëtohet së shpejti planeti nga pasojat e ngrohjes globale.
Dy luftëra të përgjakshme ishin lajme kryesore të vitit 2023, vazhdimi i agresionit të Rusisë në Ukrainë dhe lufta e Izraelit kundër Hamasit në Rripin e Gazës. Të dy këto konflikte thelluan edhe më shumë ndasitë në botën e sotme. Ishte një vit ku BE-ja vendosi bazat për disa ndryshime dramatike, kur u thellua Aleanca Euroatlantike, u zvogëlua shumë ndikimi nga nafta dhe gazi rus. Ishte vit kur BE-ja sanksionoi Kosovën, ku në fillim të vitit u tha se u arrit e pastaj dështoi marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë. Por, viti 2024 do të jetë shumë sfidues, me zgjedhje në Evropë dhe Amerikë që mund ta çrregullojnë edhe më shumë botën.
Agresioni i Rusisë ndaj Ukrainës vazhdoi të ndikonte që bota e lirë të jetë e bashkuar në krah të Ukrainës. BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës vazhduan t’i ofronin çdo lloj ndihme Ukrainës së sulmuar. Por jo e gjithë bota ishte e bashkuar në krah të vendit të sulmuar. Pothuajse gjysma e botës, përfshirë këtu Kinën, Brazilin, Indinë, Turqinë, Serbinë, Iranin e shumë vende të tjera ose ishin në anën e Rusisë, ose nuk u bashkuan me Perëndimin për të sanksionuar agresionin rus.
Edhe një luftë tjetër e ashpër shpërtheu në vjeshtë të vitit 2023, që shkaktoi ndasi të thella në botë. Pas një sulmi të tmerrshëm terrorist të Hamasit ndaj civilëve izraelitë nisi hakmarrja e Izraelit me qëllim të shkatërrimit të Hamasit, që BE-ja dhe vendet perëndimore e konsiderojnë si organizatë terroriste. Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian menjëherë dënuan sulmin terrorist të Hamasit dhe i shprehën mbështetje të plotë Izraelit, përfshirë edhe të drejtën për t’u mbrojtur. Por, me kalimin e kohës dhe me brutalitetin e sulmeve Izraelite në Gazë u bë gjithnjë e më e vështirë edhe për botën perëndimore që të vazhdojë mbështetjen e parezervë ndaj Izraelit. Pohimeve për të drejtën e Izraelit që të luftojë deri në fund Hamasin u pasuan edhe me thirrje që gjatë operacioneve të respektohet e drejta ndërkombëtare humanitare.
Lufta në Lindjen e Mesme jo vetëm që shkaktoi ndasi në botë, por edhe në vetë qytetet e Evropës. Në shumë prej tyre u desh të ndërmerreshin masa për të mbrojtur ose komunitetin hebraik që jeton në to, ose komunitetin Islam në disa vende. Ndërsa në aspektin politik BE mbeti e pafuqishme, siç edhe ka qenë gjithmonë në fushën e politikës së jashtme dhe të sigurisë. Kjo kryesisht për shkak se nuk ka një qëndrim të prerë për çështjet kryesore, ndërsa secili vend anëtar i BE-së vazhdon të ketë të drejtë vetoje edhe në vendimet dhe veprimet në fushën e politikës së jashtme. Se sa të ndara janë vendet anëtare të BE-së në qëndrimet e tyre u pa në disa votime në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së. Disa vende për shembull votuan për rezolutat rreth konfliktit në Lindjen e Mesme, disa kundër dhe disa u përmbajtën. Kjo nuk është asgjë e re me BE-në, e cila edhe për çështje që janë shumë më afër saj, siç është Kosova, vazhdon të jetë e ndarë dhe e pafuqishme. Prandaj ndasitë e BE-së rreth Kosovës dhe pafuqia që të ndryshojë diçka në rajonin e Ballkanit Perëndimor shpesh merren si shembuj se sa e parëndësishme është BE-ja në skenën politike globale.
Vendi i vetëm pa status kandidati
Viti 2023 solli edhe një ndryshim dramatik në procesin e zgjerimit të BE-së. Nuk ndodhi asnjë lëvizje konkrete me vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor, të cilat ndodhen në këtë proces për më shumë se 20 vjet, por një kthesë e madhe ndodhi me vendet e fqinjësisë lindore. Ukraina dhe Moldavia, pasi u bënë vende me status kandidati në dhjetorë të vitit 2023, morën edhe vendimin e Këshillit Evropian për nisjen e negociatave të anëtarësimit. Gjeorgjia mori statusin e kandidatit, ndërsa për Bosnjë-Hercegovinën BE-ja shprehu gatishmërinë që në pranverë të shqyrtojë nisjen e negociatave të anëtarësimit, nëse deri atëherë arrihet progres i nevojshëm në përmbushjen e kritereve.
Kosova, e cila në dhjetor të vitit 2022 kishte aplikuar formalisht për anëtarësim në BE, mbeti pa përgjigje dhe dosja e saj vazhdon të jetë e mbyllur në sirtarët e Bashkimit Evropian. Pasi në pjesën e parë të vitit 2023 Suedia, që kishte kryesimin e radhës, dështoi të lëvizte me dosjen e Kosovës, në pjesën e dytë edhe ashtu nuk pritej që të ndodhte ndonjë veprim pasi kryesimin e radhës e kishte Spanja. Kosova nuk u përmend fare gjatë pjesës së dytë të vitit. Gjasat nuk janë të mëdha që kërkesa e Kosovës të shqyrtohet në vitin 2024, pikërisht për shkak se është vit zgjedhor në BE. Por, nëse do të ketë vullnet nga Belgjika, e cila kryeson BE-në në pjesën e parë të këtij viti, atëherë edhe mund të lëvizet së paku me dhënien e mandatit Komisionit Evropian për të përpiluar mendimin nëse Kosova i përmbush apo jo kushtet për status kandidati. Kosova tash është vendi i vetëm në Evropë, i cili ka shprehur qëllimin për anëtarësim në BE e që nuk ka status kandidati. Me aplikimin e Kosovës është mbyllur rrethi i vendeve evropiane, të cilat janë të interesuara të bëhen një ditë anëtare. Por, mosnjohja nga 5 vendet anëtare dhe mungesa e mbështetjes më të fuqishme nga vendet kryesore të BE-së që e kanë njohur Kosovën kanë bërë që Kosova të mbetet në pritje.
Nuk pati lëvizje me vendet e tjera të rajonit të Ballkanit Perëndimor. Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut nuk hapën asnjë kapitull në procesin e negociatave të anëtarësimit. Në rastin e Shqipërisë këtë e pengoi Greqia për shkak të rastit Beleri, ndërsa në rastin e Maqedonisë së Veriut mungesa e rezultateve të ndryshimeve kushtetuese që kishte kërkuar Bullgaria. U përsërit se vendet që duan të bllokojnë procesin e zgjerimit për shkak të mospajtimeve bilaterale me fqinjët mund ta bëjnë këtë pa pasoja. Siç e kanë bërë edhe në të kaluarën mund ta bëjnë edhe në të ardhmen. Pos nëse një ditë ndryshohet procedura e miratimit të vendimeve dhe hiqet e drejta e vetos e secilit vend anëtar. Propozime të tilla janë bërë, por për momentin nuk ka mbështetje të duhur për to.
pati asnjë ndryshim në raportet e Bashkimit Evropian me Turqinë, një vend për të cilin tashmë pothuajse është harruar se formalisht është kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe madje me stazhin më të gjatë. Turqia kishte nisur negociatat e anëtarësimit të njëjtën ditë me Kroacinë në vjeshtë të vitit 2005. Por, përderisa Kroacia në vitin 2023 shënoi dhjetëvjetorin e anëtarësimit në BE, Turqia i ka të ngrira negociatat e anëtarësimit. Raportet me Qipron në njërën anë, por edhe zhvillimet e brendshme në Turqi viteve të fundit, sipas vlerësimit të BE-së, kanë vënë re që Turqia „të shënojë largim e jo afrim me BE-në“. Megjithëkëtë Turqia vazhdon të jetë një vend shumë i rëndësishëm për Bashkimin Evropian për të cilin BE-ja ka nevojë për t’u përballur me shumë probleme, sidomos ato që kanë të bëjnë me migracionin, luftës kundër terrorizmit dhe paqes në Lindjen e Mesme.
Fundin e vitit 2023 BE-ja e shënoi me një sukses të madh politik. U arrit pajtim për paketën e re të migrimit dhe azilit, një propozim që ishte në pritje për më shumë se tre vjet. Me këtë marrëveshje mes Parlamentit Evropian dhe vendeve anëtare në Këshill u vendosen rregullat e përbashkëta për menaxhimin e migracionit në BE, përshpejtimin e procedurave të shqyrtimit të kërkesave për azil, mbledhjen e të dhënave, thjeshtëzimin e procesit të deportimit të atyre që nuk fitojnë strehim politik dhe parimi i solidaritetit mes vendeve anëtare në mënyrë që të zvogëlohet barra e atyre vendeve që do të kenë numër tepër të madh të refugjatëve. Në raste të dyndjeve të mëdha secili vend anëtar i BE-së do të jetë i detyruar ose të marrë një numër të refugjatëve, ose të japë kontribut financiar në një fond të posaçëm të BE-së që do të ishte diku rreth 20 mijë euro për refugjatë. Nuk ka pasur temë që ka shkaktuar më shumë ndasi në BE sesa ajo e emigrantëve. Prandaj u konsiderua si sukses i madh arritja e kësaj marrëveshjeje në fund të vitit. Sepse në vitin zgjedhor, ku migracioni do të jetë tema më e preferuar e partive të ekstremit të djathtë dhe populistëve në Evropë, arritja e kompromisit do të ishte e pamundur.
Viti 2023 ishte një vit i mirë për forcimin e raporteve transatlantike. BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës u vetëdijesuan se nuk kanë alternativë pos bashkëpunimit dhe thellimit të Aleancës për t’u përballur me sfidat e përbashkëta. NATO-ja u rrit duke pranuar në gjirin e saj edhe Finlandën, ndërsa Suedia vazhdoi të jetë në pritje për shkak se Turqia dhe Hungaria nuk e kanë ratifikuar anëtarësimin e këtij vendi në NATO.
Sfidat e NATO-s
Vitin që vjen NATO-ja do ta shënojë 70-vjetorin e themelimit të saj. Në këtë përvjetor, në një samit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të përsëritet se bota e lirë asnjëherë nuk ka pasur më shumë nevojë për një NATO të fortë sesa që ka tash.
Por Aleanca Evropiano-Amerikane do ta ketë një sfidë të madhe në fund të vitit të ri. Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të zhvillohen zgjedhjet presidenciale. Mundësia që Donald Trumpi persëri të zgjidhet president shihet si kërcënim për Aleancën Transatlantike, sepse Trumpi edhe në mandatin që kishte u angazhua për tërheqjen amerikane nga shumë obligime ndërkombëtare. Një mandat tjetër i Trumpit shihet si rrezik në botën e sotme të rrezikshme, ku roli udhëheqës amerikan në mbrojtjen e botës së lirë është i domosdoshëm.
Fitorja eventuale e Trumpit do të jetë sidomos sfiduese nëse në zgjedhjet evropiane në qershor, sikurse dhe në një varg zgjedhjesh nacionale në shumë vende evropiane shënohet rritje e mbështetjes për partitë e ekstremit të djathtë dhe atyre populiste. Partitë e tilla pos që kanë një qasje radikale ndaj të huajve, janë dëshmuar të kenë lidhje të dyshimta edhe me vendet si Rusia dhe Kina, që shihen si kërcënim për Evropën.
Në vitin 2023, Bashkimi Evropian nisi edhe proceset për reformat e saja të brendshme në mënyrë që të bëhet gati për zgjerim të mëtejmë. Përderisa u rrit mbështetja për procesin e zgjerimit, i cili tash përsëri kuptohet si një investim gjeostrategjik në siguri dhe paqe, shumë liderë të BE-së u shprehën se e tillë çfarë është sot, BE-ja me këto struktura nuk do të mund të funksionojë pa reforma të brendshme. Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, përmendi edhe vitin 2030 si afat deri kur edhe vendet e sotme kandidate, por edhe Bashkimi Evropian do të duhej të ishin gati për t’u zgjeruar.
Ajo që BE-ja nuk e arriti në fund të vitit 2023 ishte pajtimi për ndryshimin e kornizës shumëvjeçare financiare. BE-ja zakonisht miraton një kornizë për shtatë vjet, brenda së cilës pastaj vendosen buxhetet vjetore të saja. Por, korniza e sotme që përfshin vitet 2021 - 2027 ishte miratuar qysh në vitin 2020. Ndërkohë BE-ja u përball me pasojat e pandemisë, pastaj luftës në Ukrainë, inflacionit të madh dhe krizës energjetike. Për katër vjetët e ardhshëm i nevojiten së paku edhe 67 miliardë shtesë për të përmbushur të gjitha qëllimet që i ka vendosur përpara. Prej kësaj shume 50 miliardë do të duhen vetëm për të vazhduar ndihmën financiare Ukrainës, ndërsa 17 miliardë për nevojat e tjera të BE-së. Vendet anëtare që japin më së shumti kontribut në buxhetin e BE-së, si Gjermania, Holanda, Finlanda, Suedia, Austria, Danimarka dhe disa tjera janë të gatshme për të siguruar mjetet e nevojshme financiare për ndihmë Ukrainës, por kërkojnë nga BE-ja që paratë të cilat i kërkon për vete t’i gjejë diku tjetër.
Viti 2023 ishte viti i fundit i mandatit të plotë të institucioneve të Bashkimit Evropian. Parlamenti Evropian gradualisht është duke e përmbyllur mandatin dhe nuk pritet të ketë dosje të reja në procesin e vendimmarrjes. Mes datave 6 dhe 9 qershor do të zhvillohen zgjedhjet evropiane kur në 27 vende anëtare do të zgjidhen deputetët e rinj të Parlamentit Evropian. Në korrik do të duhej të konstituohet parlamenti i ri me mandat 5-vjeçar. Në vjeshtë pastaj do të zgjidhet edhe presidenti i Komisionit Evropian, Kryesia e Parlamentit Evropian, presidenti i Këshillit Evropian dhe do të ndahen edhe postet kryesore në Komisionin Evropian.
Liderët e tashëm të institucioneve të BE-së, të cilëve u skadon mandati vitin që vjen, e kanë vendosur një bazë të mirë për vazhdimin e reformave në BE. Por nga strukturat e ardhshme që do të marrin rolin udhëheqës në fund të vitit 2024 do të varet se në cilin drejtim do të shkojë BE-ja në pesë vjetët e ardhshëm. Shumë sfida tashmë janë të parashikuara, sidomos ato që kanë të bëjnë me procesin e zgjerimit. Por, siç ka dëshmuar viti 2023, më të vështirat janë sfidat të cilat nuk mund të parashikohen.