Arbëri

Viti 2025 e gjen Prishtinën me shumë premtime të parealizuara

Gjatë fushatës zgjedhore u dhanë fjalë e premtime të shumta. 

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, mori mandatin duke shpalosur projekte madhore për transformimin e kryeqytetit.

Por shumë prej projekteve mbetën vetëm në letër dhe 2025-a e gjeti Prishtinën pa realizimin e tyre.

Nga projektet madhore, është rruga A ajo e cila ka filluar të ndërtohet. Në fund të vitit 2024, filloi asfaltimi i segmentit të parë të saj.

Shumë nga premtimet e tjera madhore nuk janë ende as në proces. 

Disa prej punëve që kanë nisur janë ndaluar nga gjykatat e nga vetë Ministria e Kulturës.

Pak muaj më parë, komuna përuroi punimet për “Ishullin Arbëri-Pallati i Rinisë”, por pa leje pëlqimi për zhvillimin e tyre.

E vazhdimi i rreth-rrotullimit në drejtim të Arbërisë megjithëse ka filluar, po zvarritet për dy vjet me radhë për shkak se edhe këto punime kishin filluar pa pasur një leje pëlqimi nga “Infrakosi”.

Tuneli në rrugën “Agim Ramadani” është një projekt tjetër i cili u premtua se do të realizohet, mirëpo, rezulton se nuk ishte menduar mirë që nga fillimi.

Zhvillimi i punimeve për këtë tunel nuk ka marrë pëlqimin e Ministrisë së Kulturës. Në një përgjigje për Kohën, zyrtarë të Ministrisë patën deklaruar se Instituti i Kosovë për Mbrojtjen e Monumenteve (IKMM) si institucion përgjegjës për çështjet që kanë të bëjnë me mbrojtjen e aseteve të trashëgimisë, ka vlerësuar se ka ndikime negative në asetet e trashëgimisë kulturore.

“Kërkesa e pranuar nga Komuna e Prishtinës: ‘Kërkesë për pëlqim rreth projektit të nënkalimit në rrugën “Agim Ramadani”’, si e tillë nuk aprovohet, pasi kjo zgjidhje ndikon në ndryshimin e gjendjes urbane të bërthamës së Qendrës Historike të Prishtinës, ku ka ndikime negative në asetet e trashëgimisë kulturore si dhe duke kontribuar në zhdukjen e gjurmëve të trashëgimisë aerologjikë dhe arkitektonike të zhvillimit të qytetit të Prishtinës(që nga parahistoria deri më tani)”, thuhej në përgjigjen e tyre.

Për punën e kryetarit të kryeqytetit mendimet e qytetarëve janë të ndryshme. 

Shefi i asamblistëve të VV-së në Prishtinë, Gëzim Sveçla, tre vjet qeverisje po i quan dështim. 

Sipas tij, gjatë këtyre viteve, Rama ka abuzuar me buxhetin e Prishtinës.

Ndërsa Gëzim Mehmeti, asamblist i AKR-së, thotë se Rama ka sjellë projekte madhore për të cilat Prishtina nuk ka buxhet.

Përveç këtyre, ka edhe shumë projekte të tjera më të vogla të cilat po ashtu nuk janë realizuar. 

Në fund të vitit të kaluar,  Instituti GAP publikoi raportin duke vlerësuar se në Prishtinë janë përmbushur vetëm 42 premtime nga 206 të dhëna nga Rama. 

Sipas këtij raporti, gjatë këtyre viteve Rama ka 34 premtime gjysmë të përmbushura, 54 të filluara dhe 75 që nuk i ka filluar fare.