Arbëri

Viti 2023 vlerësohet si “shumë sfidues” për Kosovën në arenën ndërkombëtare

“Shumë sfidues” me proces të komplikuar të dialogut me Serbinë e acarime të marrëdhënieve me aleatët strategjikë kryesorë e ka vlerësuar Instituti i Prishtinës për Studime Politike (PIPS) vitin 2023 për Kosovën në sferën ndërkombëtare

Jon Krasniqi, hulumtues në këtë institut, ka thënë të premten në “60 Minuta” në KTV se si gjetje shqetësuese për diplomacinë kanë qenë dialogu, sanksionet e BE-së ndaj Kosovës dhe tensionet në veri e që ndërthuren me dialogun.

Për marrëdhëniet me partnerët kryesorë strategjikë, Krasniqi ka thënë se “është vënë re një acarim me aleatin kryesor strategjik, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe që ka vazhduar njësoj edhe me shtetet e QUINT-it”.

“Nëse shihet ajo piktura e madhe, nuk është shenjë e mirë për Kosovën”, ka thënë ai.

Sipas Krasniqit, Kosova ka mirëmbajtur marrëdhëniet me fqinj, pos “acarimeve të kryeministrit Albin Kurti me kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama”.

Ai ka thënë se Kosova ka mirëmbajtur raportet edhe me shtetet nordike dhe baltike, ndërsa ka intensifikuar marrëdhëniet e reja me Izraelin dhe Emiratet Arabe. 

Krasniqi ka thënë se edhe pse ndër pikat kryesore për Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës në planin qeverisës 2021-2025 ka qenë çështja e njohjeve nga pesë shtetet mosnjohëse të Bashkimit Evropian, Kosova nuk ka arritur rezultate konkrete. Ai ka thënë se ka lëvizje pozitive si njohja e pasaportës nga Spanja e intensifikimi i raporteve me Greqinë, por jo rezultate për njohje.

Për masat e BE-së ka thënë se ato kanë qenë të pamerituara, ndërsa për integrimin euroatlantik ka shtuar se sërish avancimi i Kosovës ndërlidhet me dialogun.

Sipas tij, si në vitin 2023, nuk ka pasur kurrë më shumë kritika ndaj Kosovës.

Procesin e dialogut me Serbinë, PIPS-i e ka ndarë në dy faza, atë “të suksesshme” për gjashtëmujorin e parë ku u arrit dakordimi për marrëveshjet e Brukselit dhe Ohrit, dhe “të dështuar” për pjesën e dytë, sidomos pas sulmit terrorist në Banjskë.

Për zyrtarët më të lartë të MPJD-së, Krasniqi ka thënë se kanë pasur takime në numër të konsiderueshëm, por pa sukses të prekshëm. Ai ka thënë se në MPJD ka edhe mungesë burimesh njerëzore, kur bëhet fjalë për çështjet e anëtarësimeve në organizata të ndryshme ndërkombëtare.