Pandemia do ta gjente Kosovën me aplikacionin për organizimin e mësimit online, sikur të ishte funksional një projekt, për të cilin 7 vjet më parë janë marrë 4.9 milionë euro kredi. Po kështu, rruga Prishtinë-Mitrovicë do të duhej të përfundonte prej vitesh, sikur të ishin mirëmenaxhuar tri kredi të marra më 2013 për këtë rrugë. Janë 42 projekte që mbështeten me kredi, por mjetet janë disbursuar vetëm për një të tretën e tyre, shkaku i keqmenaxhimit të demonstruar nga institucionet e Kosovës. Aktualisht borxhi i jashtëm për projekte të kësaj natyre është rreth 500 milionë euro, e i cili planifikon të rritet shumë më shumë.
Po ta hapësh faqen “e-Edukimi.rks-gov.net”, do të hasësh edhe në këtë mesazh: Ky portal u ofron nxënësve një platformë interaktive të mësimit online, e cila e bën më atraktive dhe më të lehtë përvetësimin e njohurive të reja. Por brenda është thuajse bosh.
Qysh në fillim të vitit 2020 shtetet mbyllën shkollat gati gjithandej globit, në përpjekje për ta ulur ritmin e përhapjes së virusit që shkaktoi pandeminë COVID-19. Ngjashëm veproi edhe Kosova. Për muaj të tërë, nxënës e studentë ndoqën mësimin online.
Nën organizimin e Ministrisë së Arsimit, versione të shkurtuara të leksioneve përgatiteshin nga mësimdhënës dhe për secilën klasë transmetoheshin në terminë të caktuar nëpërmjet televizionit publik e postoheshin edhe në Youtube. Dikur, në Youtube më nuk postoheshin dhe nëse nuk mund të zihej koha e transmetimit në televizion, ikte mësimi. Disa nga mësimdhënësit organizonin mësim online me klasën, nëpërmjet platformës “Zoom”, e cila mundësonte interaktivitet.
Megi Demolli-Nimani tregon se në momentin që mësuesja e vajzës së saj u prek nga virusi, dhe kur më nuk ishte në gjendje të mbante mësim online, sugjerimi që iu dha prindërve ishte të bazoheshin te videot e xhiruara në televizionin publik.
“Fatkeqësia ishte se nëse vajza nuk arrinte t’i përcillte këto video në një kohë të caktuar, nuk kishe mundësi me i pa sërish”, thotë ajo. “Këto video nuk ritransmetoheshin dhe nuk kishe mundësi me i pa as online në Youtube apo ndonjë tjetër platformë”.
Demolli-Nimani, e cila është edhe aktiviste e shoqërisë civile, tregon se i është dashur të paguante për t’iu qasur një platforme më të pasur me materiale, në mënyrë që vajza e saj të mos mbetej prapa me mësime.

Platforma e “e-Edukimit” nuk i hyri në punë asaj dhe kurrkujt në Kosovë, ani se është produkt i 4.93 milionë eurove që në vitin 2014 shteti i mori si kredi në bankën austriake “UniCredit”.
Modernizimi i sistemit të edukimit përmes “e-Edukimit” është një nga pak projektet për të cilat ka ndodhur tërheqja e plotë e kredisë. Paratë e fundit u tërhoqën në vitin 2017, por, sipas një raporti të brendshëm të Qeverisë, Ministria e Arsimit nuk e ka bërë pranimin e punës, përkatësisht platformën e krijuar nga punëkryerësi dhe se për pasojë ai mbetet i pashfrytëzueshëm.
“Projekti i modernizimit të sistemit të edukimit në Kosovë përmes e-Edukimit është njëri nga projektet ku është vërejtur më së shumti mungesa e informacioneve të plota edhe brenda ministrisë së linjës, por edhe në aspektin e raportimit të rregullt ndaj Ministrisë së Financave”, thotë raporti, që u sigurua me kërkesë për qasje në dokumente publike. “As gjatë TM3 (kuartalit të tretë v.j.) 2020 nuk kemi pranuar raportimin e rregullt nga ana e ministrisë së linjës. Pas përsëritjes së disahershme të kërkesës për raportim të veprimeve të ndërmarra nga ministria e linjës për adresimin e çështjeve të raportuara nga TM4 2019, përgjigjja e tyre është që problematikat e lartpërmendura vazhdojnë të jenë aktuale”.
Në Ministrinë e Arsimit nuk kanë folur mbi projektin dhe as nuk kanë arsyetuar dështimin e evidentuar me këtë projekt.
E, Rinor Qehaja nga instituti për studime të arsimit “EdGuard”, thotë të jetë për keqardhje që Qeveria, por edhe komuniteti i donatorëve, ndër vite kanë investuar në platforma digjitale të mësimit, të cilat nuk kanë gjeneruar asnjë ndikim e lëre më qëndrueshmëri.
“Problem i mësimit online në pandemi do të duhej të ishte i zgjidhur me të gjithë milionat e investuar në platforma digjitale. Shqetësimi bëhet më i madh kur digjitalizimi veçse është i përcaktuar si reformë institucionale në dokumente strategjike të Ministrisë së Arsimit. Pra, përveç neglizhencës në menaxhim të kontratave, institucioni ka dështuar në zbatim të obligimeve karshi politikave të vetëmiratuara”, thotë Qehaja. “Ndërrimi i shpeshtë i qeverive rriti apetitin për përfitime të jashtëligjshme. Kjo pastaj u përkthye edhe në kontrata të dyshimta e të dështuara. Kam frikë që problemi me shpërdorimet me platforma të të mësuarit online nuk ndalon me kaq”.
42 kredi
Projekti i “e-Edukimit” nuk është rast i izoluar. Ecuria e shumë projekteve përbën pasqyrë për keqmenaxhimin e borxhit të jashtëm të Kosovës, i cili aktualisht është më shumë se gjysmë miliardi euro.
Mbështetur në të dhënat që ofroi Ministria e Financave, 42 është numri i projekteve që janë financuar nga huamarrja ndërkombëtare nga viti 2009 e deri më tani. Në këtë numër nuk janë përfshirë edhe katër marrëveshjet financiare për mbështetje buxhetore nga Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN), si dhe një marrëveshje financiare me Bashkimin Evropian (BE).
E, nga 42 projektet për të cilat marrëveshjet janë ratifikuar në Kuvend, vetëm një e treta kanë përfunduar fazën e disbursimit, përkatësisht tërheqjes së mjeteve. Janë 21 projekte që ndodhen në proces të disbursimit dhe 7 të tjerat nuk kanë filluar ende disbursimin.
Shumë nga projektet lidhen me infrastrukturën.
Zgjerimi i rrugës Prishtinë-Mitrovicë, nga dy në katër korsi, tashmë do të duhej të ishte punë e kryer në gjithë gjatësinë 26.7-kilometërshe të tij – prej Milloshevës, fshat 8 kilometra nga Prishtina, e gjer në hyrje të Mitrovicës. Por ka ngecur në zbatim.

Për ndërtimin e rrugës shteti ka hyrë kredi në tri institucione ndërkombëtare financiare, gati një dekadë më parë. Bazuar në marrëveshjet e ratifikuara në Kuvend, në vitin 2013 një kredi në lartësinë 15.41 milionë euro u mor në Bankën Islamike për Zhvillim (IDB), për segmentin Gojbulë-Smrekovnicë. Po këtë vit, një tjetër kredi në vlerë 17.06 milionë euro u mor në Fondin OPEC për Zhvillim Ndërkombëtar (OFID), për segmentin Lumi i Madh – Gojbulë. E, për të njëjtin segment, në vitin e njëjtë shteti kreditoi edhe 13.64 milionë euro në Fondin Saudit për Zhvillim (SFD).
Dy nga këto kredi, ajo me SFD-në dhe OFID-in, kanë nisur të kthehen, e projekti ka njohur zbatim vetëm në shkallën 33 për qind.
Ministritë bëjnë me gisht kah njëra-tjetra, kur flasin për arsyet e dështimit.
Në Ministrinë e Infrastrukturës thonë se ngecjet janë të lidhura me moskryerjen e kompensimit financiar të pronave në këtë rrugë, që është përgjegjësi e dy ministrive të tjera.
“Si shkak i këtij kompensimi, nga pronarët e këtyre parcelave nuk lejohet zhvillimi i aktiviteteve të punimeve”, thuhet në një përgjigje të shkruar të Ministrisë së Infrastrukturës. “Kryerja e kompensimit të pronave gjatë vitit 2018 për segmentin Gojbulë-Smrekovnicë (rreth 5 km) në një afat të shpejtë ka treguar se punimet mund të përfundojnë në afatin e kontraktuar, andaj ky segment rrugor i financuar nga kredia me IDB-në ka përfunduar në fund të vitit 2020”.
E, në Ministrinë e Ekonomisë dhe Ambientit, e cila është përgjegjëse për procesin e shpronësimeve, kanë një tregim tjetër.
Afrim Murati është drejtor i Departamentit për Shpronësim dhe ofron dokumente që tregojnë se për segmentin Milloshevë-Vushtrri, procedura e shpronësimit ishte përfunduar qysh më 2013 dhe se pronarët kishin nisur të aplikonin për pagesa. Por, me kërkesë të Ministrisë së Infrastrukturës, vitin pasues vendimi është ndryshuar dhe ishin anuluar shpronësimet në shumicën e zonave kadastrale. Prej atëherë, pasoi një pauzë katërvjeçare.
“Deri në vitin 2018 nuk kemi pasur ndonjë lëvizje nga Ministria e Infrastrukturës në këtë proces dhe në këtë vit, pas fillimit të punimeve në terren kjo ministri konstaton se duhet bërë korrigjimi i vijës së shpronësimit për tërë trasenë e rrugës, e ndau rrugën në dy segmente dhe njëkohësisht kërkoi nga Departamenti i Shpronësimit të ndryshojë përsëri Vendimin Përfundimtar Nr.06/160, i datës 11.12.2013”, thotë Murati.
Vendimi konform kërkesës ishte marrë, por sërish e njëjta Ministri kishte kërkuar të bëheshin korrigjime të shpronësimit dhe që të ndryshonte sërish edhe vendimi i 2013-s e edhe ai i riu, që ishte marrë më 2019. Edhe kjo kërkesë ishte aprovuar.
Kësisoj, tek në vitin 2020 Qeveria i përfundoi procedurat e shpronësimit për rrugën Prishtinë-Mitrovicë, duke i miratuar dy vendime: Një që i anulonte pjesërisht dhe i ndryshonte vendimet paraprake, dhe një tjetër që kishte formë përfundimtare mbi shpronësimin, i miratuar tek në fund të shtatorit të 2020-s.
“Pas miratimit të këtyre vendimeve, pronarët fillojnë të aplikojnë pranë Departamentit të Shpronësimit për pagesë të pronave dhe pagesa fillon të bëhet konform dokumentacionit pronësoro-juridik”, thotë Murati. “Pagesat janë në proces e sipër me prioritet, sipas mundësive buxhetore”.
Ndonëse procesi është përfunduar, pagesat janë kryer vetëm për 6 zona kadastrale. Kostoja për to sillet rreth 5 milionë euro, ndërsa buxheti i sivjetmë ka tkurrur buxhetin për shpronësim, nga ai mesatar prej diku 22 milionë eurosh, në vetëm 7.2 milionë euro. Është kjo shumë, ndonëse obligimet e Qeverisë ndaj pronarëve për shpronësimet e përfunduara dhe për ato me vendime gjyqësore tejkalojnë shumën prej 50 milionë eurosh.
Në pjesë të madhe magjistralja kalon nëpër Komunën e Vushtrrisë.
Xhafer Tahiri është në vitin e fundit të mandatit katërvjeçar si kryetar i kësaj komune. Ai thotë që, prej kur e ka marrë detyrën, e ka pasur prioritet themelor vazhdimin e zgjerimit të magjistrales, pasi ia njeh rëndësinë që rruga ka për qytetarët e Vushtrrisë dhe krejt veriut të Kosovës.
“Vetëm në vitin e fundit, pas shumë insistimeve nga Komuna e Vushtrrisë, janë nxjerrë vendimet e shpronësimit nga Qeveria e Kosovës. Komplet vlera e shpronësimeve është 6 milionë euro për pjesën e territorit të Komunës së Vushtrrisë”, thotë kryetari Tahiri. “Edhe nga Qeveria e re kërkojmë me ngulm përshpejtimin e këtij projekti duke kryer shpronësimet, përkatësisht pagesat”.
Probleme të kësaj natyre kanë thuajse të gjitha projektet e mbështetura nëpërmjet borxhit ndërkombëtar, stoku i të cilit aktualisht ka mbërritur në 525.8 milionë euro.
Shumë ngecje
Marrëveshjet e huamarrjes ndërkombëtare parashohin që tërheqja e mjeteve financiare të bëhet sipas planit të disbursimit të përcaktuar në këto dokumente me rastin e negocimit.
Në Ministrinë e Financave pranuan se në disa raste ky plan nuk është realizuar me kohë dhe kjo ka ndodhur qoftë për shkak të natyrës specifike të projektit, qoftë nga pengesa të tjera.
“Në grupin e pengesave të tjera për disbursimin e mjeteve bëjnë pjesë: mungesa e harmonizimit të procedurave vendore të prokurimit me ato të kreditorit, mungesa e stafit të kualifikuar për njësitë zbatuese të projekteve, planifikimet e pamjaftueshme buxhetore, mungesa e një koordinimi në mes të ministrive të linjës, njësive për zbatimin e projekteve dhe palëve të tjera relevante, vonesat në ratifikimin e marrëveshjeve nga ana e Kuvendit e të tjera”, është arsyetimi që ka dhënë Ministria. “Për projektet infrastrukturore pengesa kryesore është mungesa në buxhet e fondeve për shpronësim. Këtë vit pengesa kryesore për shumë projekte ka qenë situata pandemike me COVID-19, e cila ka shkaktuar ngadalësim, por edhe ndërprerje të punëve”.
Pandemia COVID-19 përfshiu Kosovën që nga marsi i vjetëm. Masat e qeverisë për frenimin e përhapjes së virusit që shkakton pandeminë, kufizuan edhe aktivitetet e bizneseve dhe institucioneve.
Ritmi i ulët në zbatimin e projekteve që realizohen nga borxhi ndërkombëtar, e në disa raste edhe ndërprerja e tyre, u justifikua me pandeminë edhe në raportin e fundit periodik, që në fund të vitit të shkuar u është prezantuar anëtarëve të kabinetit qeveritar.
“Bazuar në raportimet e organizatave, niveli i disbursimeve vazhdon të jetë jo i kënaqshëm për shumicën e projekteve. Përderisa shumica e sfidave të raportuara janë specifike për projektet, gjatë TM1, TM2 dhe TM3 2020 është raportuar edhe për problemet që ka shkaktuar pandemia COVID-19”, thuhet në këtë dokument, të siguruar pas një kërkese për qasje në dokumente publike. “Si rezultat, në disa projekte situata ka ndikuar në ndërprerjen e punimeve e në disa të tjera ka shkaktuar vonesa në punët administrative”.
Projekti më i madh është ai i rehabilitimit të linjës së 10 hekurudhore, e ngecjet në realizimin e tij kanë nisur shumë kohë përpara se të mbërrinte pandemia. Ky është prezantuar si projekt me rëndësi rajonale, dhe lidh rrjetin hekurudhor të Kosovës me dy vende fqinje – Serbinë në veri dhe Maqedoninë e Veriut në jug. Nëpërmjet realizimit të tij, Kosova do të përmirësonte transportin inter-modal në nivel lokal, rajonal dhe ndërkombëtar.
Për të janë nënshkruar dy marrëveshje financiare në vitin 2015: Ajo me Bankën Evropiane për Investime (BEI) që ka vlerën 42 milionë euro, si dhe marrëveshja me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BEZH) në vlerë 39.9 milionë euro.
Një raport i brendshëm i Qeverisë evidenton shumë probleme në zbatimin e projektit. Vonesa e parë lidhet me kërkesën e Ministrisë së Infrastrukturës që në pjesën e qytetit të Ferizajt të bëhej ndërtimi nëntokësor i hekurudhës, e që përbënte devijim nga projekti. Pas kësaj, një problem i ri kishte dalë në sipërfaqe – ishte rritur kostoja financiare, meqë studimi i fizibilitetit i vitit 2010, mbi bazën e të cilit është hartuar projekti, “nuk ka qenë i detajuar sipas standardeve ndërkombëtare”.
Përderisa shtyrjet kanë ndodhur, koha për të nisur pagesat për kredinë kishte mbërritur.
“Infrakos” është ndërmarrje publike që menaxhon me hekurudhat dhe ajo duhej t’i paguante ratat. Por është ndërmarrje që mezi qëndron në këmbë. Prandaj, kjo barrë kaloi te Qeveria.
“Pamundësia e kthimit të kredisë vazhdon të raportohet si sfidë nga implementuesi Infrakos Sh.A: me kërkesë të kompanisë dhe arsyetimin e tyre për situatën e vështirë financiare, Ministria e Financave vazhdon të paguajë obligimet kreditore që lidhen me këtë projekt”, thuhet në raportin e Qeverisë.
Një problem tjetër ka dalë me ekzekutimin e pagesave ndaj punëkryerësve nga Ministria e Infrastrukturës. Një memorandum mirëkuptimi kërkonte që mjetet e kredisë të transferoheshin nga Ministria në llogarinë bankare të “Infrakosit”, e pastaj kjo e fundit t’ia paguante punëkryerësit.
Por kishte dalë diçka e papritur. Meqë gjendja financiar e kompanisë nuk ishte e qëndrueshme dhe llogaria e saj bankare ishte e ekspozuar ndaj vendimeve të përmbaruesve privatë, atëherë që të shmangej një situatë e tillë ku fondet e kredisë do të merreshin, e si pasojë projekti mund të rrezikohej nga faktorë të jashtëm, ishte paraqitur nevoja për ndryshimin e memorandumit të mirëkuptimit. Memorandumi tjetër u firmos në fund të muajit maj të 2020-s dhe ai parasheh që për llogari të “Infrakosit”, këto pagesa t’i kryejë Ministria e Infrastrukturës nga buxheti i ndarë për këtë projekt.
E, në “Infrakos” flasin për një realitet tjetër.
Zijadin Isufi është kryesues i Njësisë për implementimin e projektit. Ndryshe nga raporti i Qeverisë, ai thotë se projekti që ka të bëjë me segmentin Fushë Kosovë-Hani i Elezit-kufiri me Maqedoninë Veriore po zbatohet në kornizën kohore të kontratës dhe se po bëhen përpjekje që të shtohet dinamika në realizimin e punimeve.
“Këto janë kontrata ndërkombëtare dhe se zhvillimi i tyre bëhet sipas procedurave të FIDIC-ut, ku janë të përshkruara të gjitha procedurat e zbatimit, dhe mbarëvajtjes së projektit, duke përfshirë edhe konsekuencat në mospërmbylljen me kohë ose/dhe situatat e forcës madhore siç është pandemia, andaj ne duhet dhe jemi shumë të kujdesshëm që nga ana jonë të mos ketë pengesa në zhvillimin e projektit ashtu që të ruhet buxheti i projektit, i paraparë për realizimin e kësaj kontrate”, thotë Isufi.
E, për segmentin Fushë Kosovë-Mitrovicë, ai thotë të jetë në proces të finalizimit të vlerësimit dhe se Komisioni Vlerësues draftin final tanimë e ka dërguar në BERZH dhe BEI, dhe pret të mos marrë kundërshtim (no Objection) nga këto dy institucione financiare dhe ta shpallin fituesin.
Kostot e mëdha
Ngecje sikur këto ka edhe në shumë projekte që mbështeten me kredi.
Më 2015 është nënshkruar një kredi me BERZH-in, për 29 milionë, me qëllimin për ta përmirësuar infrastrukturën rrugore në disa hyrje-dalje të qyteteve, si në Gjilan, Ferizaj, Kllokot e Prizren. Prej atëherë e deri tash është tërhequr vetëm 8-përqindëshi i kredisë, dhe mosecja konform dinamikës është arsyetuar kryesisht me çështje që lidhen me shpronësimin.
Në të njëjtin vit, një tjetër kredi është marrë në Bankën Botërore, për një projekt që synonte përmirësime në arsim. Deri në gjysmën e vitit të shkuar, disbursimi ishte bërë në shkallë 60 për qind. Më 2019 Banka Botërore i bëri vlerësim projektit dhe i rikonstruktoi komponentët joperformues, për çka anuloi edhe fondet prej rreth 3 milionë eurosh.
Po në 2015-n, një projekt për të cilin kishte hyrë në kredi kishte të bënte me shpenzimet shëndetësore për shtresën e varfër të popullsisë, sigurimin e kujdesit cilësor për shërbimet prioritare për nënën dhe fëmijën, si dhe shërbimet e sëmundjeve të patransmetueshme në Kosovë. Disbursimi ndodhi vetëm në shkallën 47 për qind, ani se pas ngecjeve në 2018-n kredia u përgjysmua dhe mbeti në shumën prej 13.1 milionë eurosh.
Në 2017-n, për projektin për konkurrueshmëri dhe gatishmëri në eksport, është nënshkruar me Bankën Botërore marrëveshja për kredi të 14.3 milionë eurove. Ai është zbatuar vetëm në shkallën 2 për qind.
Në të njëjtin vit, po në këtë institucion financiar janë kredituar 22 milionë euro për investime në kanalin e Ibrit, në kapacitetin origjinal. Deri tash është tërhequr vetëm 11-përqindëshi i shumës. Sipas një raporti, problemet me realizimin janë evidentuar në të gjitha pikat e Ibër-Lepencit, me theks të veçantë në Ujman dhe Prodvoricë. Njësia Zbatuese e Projektit ka shtruar nevojën për shtyrje të afatit të disbursimit në vitet në vijim.
Në 2017-n është nënshkruar edhe kredia për trajtimin e ujërave të zeza nga rrjeti ekzistues në Prishtinë, Obiliq dhe Fushë-Kosovë. Vlera e projektit është 86 milionë euro, prej të cilave 66 milionë euro nga Thesari regjional i Francës e 20 milionë nga Qeveria e Kosovës. Projekti ende nuk ka filluar realizimin.
Në Ministrinë e Financave thonë se do të adresohen faktorët që kanë prodhuar ngecje në zbatimin e projekteve.
“Në kuadër të raportimit të rregullt të nivelit të implementimit të projekteve të huamarrjes, që dorëzohet në Qeveri në baza gjashtëmujore, janë rekomanduar një varg masash që mund të ndërmerren, prej harmonizimit të procedurave të prokurimit me kreditorët që në fillim të huamarrjes, planifikimet e duhura/kategorizimet e sakta të ndarjeve buxhetore për projektet e huamarrjes, ndër të tjera rishikimi i fondit për shpronësim si një ndër pengesat kryesore të projekteve infrastrukturore, e deri te ngritja e kapaciteteve brenda Organizatave Buxhetore – domethënë stafit ekzistues të ministrive për menaxhim të këtyre projekteve (në shumicën e projekteve është angazhuar staf i jashtëm për shkak të ekspertizës së kërkuar)”, thuhet në një përgjigje të shkruar të kësaj Ministrie.
Por, meqë të tillat nuk janë adresuar deri tash, pasojat e keqmenaxhimit të borxhit të jashtëm veçse kanë nisur të shihen. Në disa raste, institucionet financiare ndërkombëtare kanë tkurrur vlerën e kredive, e në disa të tjera kanë refuzuar ta shtyjnë disbursimin.
Përtej këtyre, në dy rrafshe trajton një studim i Institutit Riinvest efektet negative nga kjo situatë
“Së pari, kjo ndikon në zgjatjen e afatit të aktivizimit të projektit dhe vonesën e eksploatimit të tij, pra në mungesën totale të efekteve të planifikuara, përkatësisht të pritura nga projekti i caktuar, e që në shumicën e rasteve e deformon dhe sjell në pyetje qëndrueshmërinë e pritur financiare nga projekti”, thuhet në studim. “Efekti i dytë negativ është se buxheti i Kosovës ngarkohet me një taksë (fee) për mjetet e zotuara dhe të pashfrytëzuara sipas dinamikës, përkatësisht transheve të planifikuara”.
Kjo taksë ka tejkaluar shumën prej 2 milionë eurosh.
Por, ka edhe projekte sikur “e-Edukimi” që, ndonëse janë harxhuar rreth 5 milionë euro nga kredia e marrë për të, efektet nuk i janë parë. Raportet zyrtare thonë se projekti është jofunksional.
Megi Demolli-Nimani, e cila në kohë pandemie pati nevojë për të tillë platformë për vajzën e saj, tha se zgjidhjen e gjeti te një me pagesë.
“Është jashtëzakonisht për keqardhje kur sheh ndarje të mjeteve për digjitalizim të shkollave e që në të vërtetë investimet nuk shihen askund”, thotë ajo. “Unë kam parë që Ministria e Arsimit ka ndarë mjete për platforma të ndryshme online, mirëpo fatkeqësisht qasja në to ka qenë me pagesë dhe më është dashur ta paguaj shkaku që fëmija im të mos mbesë prapa me mësime”. (Fund)
Projekti “Virusi në miliardat e shtetit” financohet nga Ministria e Punëve të Jashtme, Komonuelthit dhe Zhvillimit të Mbretërisë së Bashkuar përmes Ambasadës Britanike në Prishtinë. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi vetëm e Besnik Krasniqit dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Ministrisë së Punëve të Jashtme, Komonuelthit dhe Zhvillimit të Mbretërisë së Bashkuar, Albany Associates, Media Centar Sarajevo apo Fondacionit për Informim, Media, Dialog dhe Edukim (KosovaLive/KIMDE).