Arbëri

Virusi në miliardat e shtetit (I): Fryrja e buxhetit me projekte “fake”

Shumë projekte, sikur ai për Spitalin e Podujevës, figuronin formalisht në buxhetin e 2020-s. Bashkërisht ato shtojnë shpenzimet e projektuara, totali i të cilave i prezantohet publikut si buxhet vjetor. Por, në realitet, në mungesë të të hyrave projektet nuk zbatohen. Një pasqyrë preliminare financiare, e cila është siguruar nëpërmjet kërkesës për qasje në dokumente publike, konfirmon se vetëm 380 milionë euro u ekzekutuan për projekte kapitale, ndonëse ishin planifikuar 730 milionë euro. Fat i njëjtë pritet t’i presë projektet edhe sivjet, kur deficiti buxhetor është projektuar të jetë -566.3 milionë euro. Viktimë e parë e kësaj mungese buxheti janë projektet kapitale

Është shembur një godinë që kryente shërbime mjekësore në Podujevë, përfshirë trajtimin e të infektuarve nga pandemia COVID-19, ndërkaq këtë muaj është shembur edhe tenderi që parashihte ngritjen e një spitali mbi themelet e po kësaj godine. Por nga ky vit buxhetit të shtetit i janë bërë barrë shumë specialistë, të cilët janë rekrutuar për të punuar në spitalin që nuk ekziston.

Selami Krasniqi është shef i Zyrës së Prokurimit në Shërbimin Spitalor Klinik Universitar të Kosovës (ShSKUK), institucion ky që menaxhon spitalet. Tek arsyeton shpalljen e tenderit, ai u referohet dy vendimeve të Ministrisë së Shëndetësisë mbi themelimin dhe ngritjen e spitalit – njëri i vitit 2016 e tjetri i vitit 2019. Mbi bazën e tyre, rikujton se ministria e përfshiu projektin në buxhetin e vitit 2020, për të cilin figuronin të ndara 200 mijë euro. E në buxhetin e sivjetmë fondet më nuk shiheshin.

“Mbi këtë bazë, si dhe deklaratës në dispozicion të mjeteve financiare të nënshkruar nga zyrtarët kompetentë, është shpallur tenderi për ‘Ndërtimin e Spitalit të Podujevës’ në vitin 2020”, thotë Krasniqi. “Ndërsa, edhe pse janë bërë kërkesat e nevojshme për ndarje buxhetore për vitin 2021, sipas Ligjit nr.07/L- 041 mbi ndarjet buxhetore për vitin fiskal 2021, për projektin ‘Ndërtimi i Spitalit të Përgjithshëm në Podujevë’, nuk janë ndarë mjete financiare fare. Rrjedhimisht, kemi qenë të obliguar ta anulojmë këtë procedurë”.

Për Podujevën, gati i gjithë viti i shkuar ishte fushatë zgjedhore, ani se jozyrtarisht. Në fillim të atij viti Agim Veliu kishte lënë pozitën e kryetarit të Komunës për t’u bërë ministër i Brendshëm. Data e zgjedhjeve që u shpall atëkohë u anulua pastaj shkaku i pandemisë COVID-19, që preku Kosovën në mars, dhe për datën e re u vendos tek në fundvit. Lidhja Demokratike, nënkryetar i së cilës parti është Veliu, ishte pjesë e Qeverisë në gjysmën e parë të 2020-s, e në gjysmën e dytë udhëhoqi Ekzekutivin e edhe Ministrinë e Shëndetësisë, në krye të së cilës e vendosi Armend Zemajn.

Ndarja buxhetore për Spitalin në Podujevës u bë para zgjedhjeve, sikurse u shpall edhe konkursi për rekrutim të stafit specialistik. E pas zgjedhjeve, të cilat LDK-ja i humbi pas 20 vjetësh, u miratua buxheti për vitin 2021 dhe paratë për spitalin më nuk figuronin aty.

Në Ministrinë e Shëndetësisë nuk iu përgjigjen fare pyetjeve përkitazi me këtë projekt. Vetëm thanë se ato duhet adresuar në ShSKUK.

E Shpejtim Bulliqi, që e fitoi garën për kryetar komune, tha se loja me këtë projekt u bë për qëllime elektorale. Ndërkaq në një letër që ia adresoi ministrit Armend Zemaj, ai shkroi këtë konstatim: “Veprimi i tillë... është mashtrues ndaj komunës, e veçanërisht ndaj qytetarëve”.

Ministri Zemaj nuk iu përgjigj kërkesës për një prononcim rreth pretendimeve të Bulliqit.

Projektet si dekor

Shumë projekte, sikur Spitali i Podujevës, figuronin formalisht në buxhetin vjetor. Bashkërisht ato shtojnë shpenzimet e projektuara, totali i të cilave i prezantohet publikut si buxhet vjetor.

Në një studim, Instituti GAP gjeti se në buxhetin e sivjetmë rreth 85 milionë euro apo 91 për qind e projekteve që do të investohen nga ministritë në komuna janë vazhdim nga vitet e kaluara, e vetëm rreth 9 milionë euro apo 9 për qind e projekteve do të jenë të reja.

“Projektet e bllokuara nga vitet e kaluara lënë shumë pak hapësire buxhetore për orientime dhe alokim të buxhetit në projekte të reja kapitale të ministrive”, thotë Aulona Selishta, asistente hulumtuese në GAP.

Sazan Ibrahimi është drejtor ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës dhe nuk ua jep epitetin “fake” kësaj kategorie projektesh që barten nga viti në vit. Ai thotë të ketë pasur projekte të cilat janë përgatitur në mënyrën e duhur, por për shkak të Ligjit për prokurim apo në rastin e vitit 2020 për shkak të situatës me pandeminë nuk kanë mundur të realizoheshin siç janë planifikuar.

Image

Ndarja buxhetore për Spitalin në Podujevës u bë para zgjedhjeve, sikurse u shpall edhe konkursi për rekrutim të stafit specialistik. E pas zgjedhjeve, të cilat LDK-ja i humbi pas 20 vjetësh, u miratua buxheti për vitin 2021 dhe paratë për spitalin më nuk figuronin aty


“Përveç problemit me Ligjin e prokurimit publik – ligj ky i cili edhe me kërkesë të Asociacionit të Komunave të Kosovës do të amendamentohet këtë vit – problemi kryesor në këtë rast është me projektet komunale të planifikuara që realizohen me buxhet komunal të mbledhur përmes të hyrave vetjake, dhe këto projekte të cilat planifikohen, por nuk realizohen për arsye të pamundësisë të grumbullimit të shumës së paraparë si të hyra vetjake”, thotë Ibrahimi. “Këto projekte mund të përsëriten si të tilla nga viti në vit, pasi që realizimi i tyre varet nga sasia e mjeteve të grumbulluara nga të hyrat vetjake”.

Studimi i GAP-it nuk i trajtoi edhe projektet e tjera kapitale, krahas atyre që ishte paraparë të investoheshin nga ministritë nëpër komuna.

Bazuar në deklarime publike të zyrtarëve qeveritarë, por edhe kur i bëhet krahasim buxhetit të shkuar dhe atij të sivjetmë, shihet se u pezulluan të gjitha projektet e reja, për të cilat u ndanë fonde vitin e shkuar. Për to ishte planifikuar buxhet prej rreth 123 milionë eurosh. E kur këtyre u shtohen edhe projektet e bartura nga vitet e mëhershme, del e dhëna se gati gjysma e fondeve të ndara për projekte kapitale nuk u shpenzuan në to.

Raporti vjetor për buxhetin ende nuk është publikuar nga Qeveria, por një pasqyrë preliminare financiare, e cila është siguruar nëpërmjet kërkesës për qasje në dokumente publike, konfirmon se vetëm 380 milionë euro u ekzekutuan për projekte kapitale, ndonëse ishin planifikuar 730 milionë euro.

“Shpenzimet kapitale marrin pjesë me 16 për qind dhe arritën vlerën prej 380.29 milionë eurosh ose 53 për qind të planit vjetor”, thuhet në dokument. “Krahasuar me vitin paraprak, ka ulje prej 28 për qind”.

Në Qeveri i konfirmuan të dhënat, por kanë një arsyetim për këtë shkallë të ulët të fondeve që kanë shkuar në projekte.

“Gjatë vitit 2020 shpenzimet e projekteve kapitale kanë qenë më të ulëta se planifikimi për shkak të ndikimit negativ të pandemisë COVID-19 në punën e institucioneve”, thuhet në një përgjigje të shkruar të Ministrisë së Financave.

Projektet kapitale përbëjnë shtyllën buxhetore që u godit më së shumti edhe gjatë rishikimit të buxhetit, i cili u bë në gjysmën e vitit, me qëllim të adresimit të shpenzimeve që kishin të bënin me masat kundër pandemisë. Shkurtime u bënë në shpenzime të organizatave buxhetore në nivel qendror dhe vlera e tërësishme shkoi në rreth 134 milionë euro: buxheti për shpenzime kapitale u shkurtua për 92.3 milionë euro; ai për mallra dhe shërbime për 28,9 milionë euro; buxheti për shpenzime komunale për 6 milionë euro; si dhe buxheti për subvencione dhe transfere për 7.4 milionë euro.

Shpenzimet e tërësishme ishin projektuar me buxhetin fillestar në shumën 2 miliardë e 357.1 milionë euro, ndërsa shpenzimet te buxheti i rishikuar ishin 2 miliardë e 763.3 milionë euro.

Në këtë vit pandemie Kosova ka thyer një rekord të zi sa i përket hendekut të planifikuar ndërmjet të hyrave dhe shpenzimeve që realizohen brenda një viti. Ai ishte saktësisht -832 milionë euro, shumë kjo sa katërfishi i vitit paraprak.

Megjithëkëtë, në Ministrinë e Financave theksuan se realizimi i shpenzimeve për këtë periudhë arriti në 2 miliardë e 330 milionë euro, e jo sa ishte planifikuar me rishikimin e buxhetit, duke e ulur kështu deficitin në diçka më shumë se gjysmë miliardi euro.

Mbështetur në pasqyrën preliminare financiare, dy janë kategoritë ku pagesat u bënë konform planifikimeve: 660.7 milionë euro, ose 28 për qind e buxhetit shkoi për paga dhe shtesa, rreth 45 milionë euro më shumë se në vitin paraprak; si dhe rreth 868 milionë euro ose 37 për qind e buxhetit shkoi në subvencione dhe transfere, rritje kjo prej 38 për qind krahasuar me vitin paraprak.

Rënia, jo veç nga pandemia

Rishikimet buxhetore u bënë kryesisht për t’i adresuar nevojat e prodhuara nga efektet që pandemia i prodhoi në ekonomi. Aktiviteti ekonomik ra pas masave të Qeverisë për t’i mbyllur fillimisht të gjitha shërbimet e gastronomisë, qendrat tregtare, tregjet, si dhe për t’i pezulluar aktivitetet kulturore dhe sportive për një periudhë të pacaktuar. Goditja më e madhe ndodhi kur u kufizua edhe lëvizja e qytetarëve në vetëm një orar të shkurtër gjatë ditës. Gjatë vitit ekonomia u tkurr për më shumë se 7 për qind.

Image

Kjo shkallë e humbjes ekonomike dhe rënies së të hyrave në Ministrinë e Financave thonë të jetë rezultat ekskluzivisht i pandemisë.


Rritja sipas planifikimit nuk ishte parë në tremujorin e parë, ani se tek në fund të tij u konfirmuan rastet e para të prekura me virusin SARS-COV-2. Mbështetur në raportet periodike të Agjencisë së Statistikave, BVP-ja për tremujorin e parë të vitit 2020 shënoi një rritje reale vjetore prej 1.3 për qind, një rënie reale prej 9.3 për qind në tremujorin e dytë, dhe një rënie prej 7.3 për qind në tremujorin e tretë.

Në fund të janarit të sivjetmë Qeveria e përcolli Programin për Reforma Ekonomike 2021-2023 në Komisionin Evropian dhe aty evidentohet e dhëna se ngecja në këtë shkallë e ekonomisë nuk është vetëm prodhim i pandemisë.

“Rritja e ngadaltë në tremujorin e parë ishte pjesërisht për shkak të ngërçit politik që e karakterizoi ekonominë e Kosovës në fillim të vitit, e cila u reflektua në dinamikën e ngadaltë të investimeve kapitale”, thuhet në këtë dokument.

Por ngërçe pati gjatë gjithë vitit. Qeveria e drejtuar nga Albin Kurti mori detyrën në fillim të shkurtit, por u rrëzua me mocion mosbesimi pas 50 ditësh. Ajo vazhdoi si qeveri në detyrë deri në qershor dhe gjatë gjithë kësaj kohe operoi pa pasur shumicën në Kuvend. Ndërkaq Qeveria që e pasoi, ajo e drejtuar nga Avdullah Hoti, që nga fillimi e derisa u shpall në fundvit jokushtetuese, nuk pati shumicë në Kuvend, meqë votimi i saj u mundësua falë edhe votës së dy deputetëve opozitarë. Për pasojë, shumë ligje nuk i kaluan. Ai për rimëkëmbjen ekonomike mori votat tek pas rreth 10 tentimeve të mëhershme.

Kjo shkallë e humbjes ekonomike dhe rënies së të hyrave në Ministrinë e Financave thonë të jetë rezultat ekskluzivisht i pandemisë.

“Pas shpalljes së emergjencës nga Qeveria e Kosovës dhe masave të paralajmëruara për: (i) kufizimin e lëvizjeve brenda qyteteve dhe mbylljen e kufijve të jashtëm, (ii) shtyrjen e deklarimit të obligimeve tatimore dhe raporteve financiare të bizneseve dhe organizatave të ndryshme; dhe (iii) masave të tjera për pagesa të skemave sociale dhe mbështetje bizneseve (në nivelin lokal dhe qendror), vërehet dukshëm efekti në uljen e të hyrave dhe mbi ekzekutimin e shpenzimeve të disa kategorive në këtë tetëmujor të periudhës raportuese”, thuhet në një përgjigje të Ministrisë. “Vendimet e Qeverisë përmes një sërë masash fiskale në kuadër të Pakos Emergjente Fiskale po ashtu kanë pasur ndikim fiskal dhe buxhetor gjatë vitit 2020”.

E Sazan Ibrahimi nga Asociacioni i Komunave të Kosovës tregon edhe anën tjetër të medaljes së këtyre masave të Qeverisë.

“Në rënien e të hyrave vetjake kanë ndikuar edhe lehtësirat dhe falja e pagesave për operatorët nga komunat për shkak të pandemisë, siç është rasti i shfrytëzimit të hapësirave publike nga gastronomia, falja e qirave për shfrytëzim të pronës komunale, pagesat për bilborde e të tjera, e të cilat gjithashtu krijojnë të hyra për komunat”, thotë ai.

Pasqyra preliminare financiare evidenton të dhënën se të hyrat tatimore gjatë vitit të shkuar ishin për 155 milionë euro më pak sesa që ishin planifikuar.

Hendeku buxhetor

Buxheti i vitit 2021 projekton të hyra 1 miliard e 887.9 milionë euro, ndërsa shpenzime 2 miliardë e 454.2 milionë euro. Saktësisht 566.3 milionë euro është deficiti buxhetor, i cili, sipas Ministrisë së Financave, synohet të mbulohet kryesisht me borxh e financimi direkt nga Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore, si dhe nga burime të tjera sikur janë të hyrat e njëhershme nga procesi i privatizimit dhe kthimi i kredive nga ndërmarrjet publike. Por, shumat e listuara tek të hyrat e njëhershme nga kategoritë e fundit janë dukshëm më e ulëta sesa të vitit të shkuar. Dhe rrethanë që mund ta ulë akoma këtë shumë është vendimi i Agjencisë Kosovare të Privatizimit për ta pezulluar procesin, pas kërkesës publike që për këtë e bëri Albin Kurti, kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, partisë që, sipas rezultateve preliminare, i fitoi zgjedhjet e 14 shkurtit. Kurti është i nominuar i partisë për kryeministër dhe pritet që ta drejtojë Qeverinë e mandatit të ardhshëm.

Në Vetëvendosje refuzuan të tregojnë nëse Qeveria e re do ta rishikojë buxhetin sivjet dhe as për qëllimet që synojnë t’i mbërrijnë me rishikimin potencial të buxhetit.

E në Qeverinë në detyrë presin që performancë më e mirë buxhetore të shënohet gjatë vitit 2021, pas hyrjes në të cilin janë lehtësuar në një shkallë masat kufizuese kundër pandemisë.

Në Ministrinë e Financave thonë se gjatë janarit pranimet buxhetore ishin në vlerë 163.2 milionë euro, që në raport me janarin e vjetëm kjo përbën rritje prej 9.3 për qind.

“Në bazë të ecurisë së të hyrave për muajin janar vërehet se ka një trend pozitiv, që është një tregues për ecuri pozitive”, thonë në këtë Ministri. “Sidoqoftë, Ministria e Financave do të monitorojë në vazhdimësi ecurinë e të hyrave dhe shpenzimeve, ndërsa do ta financojë deficitin bazuar në planifikimin në Ligjin e buxhetit për vitin 2021”.

E në rastin kur deficiti buxhetor prej më shumë se gjysmë miliardi euro nuk mbulohet veçmas nga borxhi i jashtëm dhe ai i brendshëm, atëherë pritet të pësojnë projektet kapitale, sikur në vitin e shkuar.

Bazuar në projeksionet e Qeverisë në detyrë, të shprehura në Programin për Reforma në Ekonomi 2021-2023, sivjet ekonomia e Kosovës pritet të rritet me një normë reale, me rreth 5.2 për qind. Por, parashikimet paraqiten me pasiguri të larta, pasi skenari bazë varet nga faktorë që lidhen me shëndetin publik dhe faktorë të tjerë ekonomikë që, sipas Qeverisë, në këtë periudhë janë vështirë të parashikueshëm.

Referuar të dhënave të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, në dy javët e fundit të muajit shkurt numri i rasteve të konfirmuara me virusin që e shkakton pandeminë COVID-19 është rritur për 7.7 për qind. Trendi rritës është evidentuar veçmas në ditët e fundit të këtij muaji, për rreth 25 për qind.

E në Podujevë, në themelet e godinës së rrënuar ku trajtoheshin të sëmurët me COVID-19, nuk pritet të ngrihet spitali i ri, për të cilin ishin ndarë 200 mijë euro në buxhetin e vitit 2020 e nuk ishin shfrytëzuar, kurse ato më nuk figurojnë në buxhetin e sivjetmë. Gjërat mund të ndërrojnë, vetëm nëse fondet rikthehen, në rast të rishikimit eventual të buxhetit që zakonshëm bëhet në qershor ose korrik.

Megjithëkëtë, në cilindo variant barrë për kuletën e shtetit do të mbeten pagat për mjekët e rekrutuar, për të punuar në spitalin që nuk ekziston.

Bazuar në një shpallje të rezultateve të një konkursi, ShSKUK-ja i pranoi 9 specialistë për Spitalin e Podujevës. Në këtë institucion thanë se ata do të punojnë përkohshëm në kryeqytet.

“Deri në funksionalizimin e Spitalit të Podujevës, stafi do të angazhohet në Prishtinë”, thuhet në një përgjigje të shkruar të këtij institucioni, i cili nuk i tregoi edhe arsyet e përzgjedhjes së stafit përpara se të ngrihej spitali.

Projekti “Virusi në miliardat e shtetit” financohet nga Ministria e Punëve të Jashtme, Komonuelthit dhe Zhvillimit të Mbretërisë së Bashkuar përmes Ambasadës Britanike në Prishtinë. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi vetëm e Besnik Krasniqit dhe nuk pasqyron domosdo pikëpamjet e Ministrisë së Punëve të Jashtme, Komonuelthit dhe Zhvillimit të Mbretërisë së Bashkuar, Albany Associates, Media Centar Sarajevo apo Fondacionit për Informim, Media, Dialog dhe Edukim (KosovaLive/KIMDE).


Nesër lexoni:

Cili është stoku i borxhit të Kosovës? Sa u rrit ai, vetëm për qëllim të adresimit të pasojave nga COVID-19? Si është duke u kërcënuar qëndrueshmëria fiskale e shtetit nga dinamika e hyrjes në kredi dhe e lëshimit të letrave me vlerë?