Arbëri

“Virusi” në kontratat për pandeminë

Jo pak tenderë janë “infektuar” nga COVID-19. Shumë komuna kanë përmendur pandeminë si justifikim për të lidhur kontrata nëpërmjet procedurës së negocimit, e për të cilën Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) alarmon se e kufizon konkurrencën, e rrit çmimin dhe e zvogëlon cilësinë... Nga momenti i paraqitjes së infektimeve të para me COVID-19, Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik lejoi mundësinë e lidhjes së kontratave përmes procedurës së negocimit për çështjet e pandemisë, vendim ky që u shfuqizua më 12 qershor 2020. Por, edhe pas kësaj date shumë komuna vazhduan me procedure të njëjtë e shkelje u gjetën në shumë kontrata

Urgjenca që ka prodhuar pandemia COVID-19 është përdorur si justifikim nga autoritetet lokale për lidhjen e një numri kontratash nëpërmjet procedurës së negociuar, për të cilën Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) alarmon se e kufizon konkurrencën, e rrit çmimin dhe e zvogëlon cilësinë.

Kontrata “të infektuara” kësisoj kanë lidhur jo pak komuna.

Autoritetet janë bazuar në nenin 35 të Ligjit të Prokurimit Publik, i cili e lë mundësinë e të tilla kontraktimeve pa aplikuar procedurat standarde të prokurimit në rastet kur “është shumë e nevojshme për arsye të emergjencave ekstreme që janë shkaktuar nga ngjarje objektivisht të verifikuara, të cilat nuk kanë pasur mundësi të parashikohen me arsye nga autoriteti përkatës kontraktues”.

Rastet e para të infektimeve me virusin SARS-CoV-2, që shkakton pandeminë COVID-19, janë regjistruar në muajin mars të 2020-s në Kosovë.

Më 16 të këtij muaji Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik (KRPP) kishte njoftuar të gjitha autoritetet kontraktuese se si rezultat i situatës së krijuar nga pandemia mund t’i përdornin procedurat e negociuara pa publikimin e njoftimit për kontratë. Kjo kishte vlejtur vetëm për tre muaj, meqë KRPP-ja më 12 qershor 2020 kishte shfuqizuar vendimin, përkatësisht kishte ndaluar mundësinë e përdorimit të kësaj procedure për kontratat, për adresimin e çështjeve që burim e kishin pandeminë.

Me gjithë këtë, nëpërmjet procedurës së negocimit, edhe pas qershorit të 2020-s komunat kanë përdorur pandeminë si justifikim për kontraktime të tilla.

Në fund të këtij viti, përtej vlerës së parashikuar në Dosjen e Tenderit, që ishte 151,000.00 euro, Komuna e Prishtinës ka shpërblyer me kontratë që ka vlerë 159,952.80 euro konsorciumin “Aroma Plus & Hightechevolution” për angazhimin e punëtorëve të pastrimit në shkolla, në kuadër të masave anti-COVID-19.

Të tre operatorët ekonomikë që ishin pjesë e këtij procesi të prokurimit kishin ofertë më të lartë sesa vlera e parashikuar e kontratës, teksa Komuna e Prishtinës lidhi kontratën kornizë me “Aroma Plus & Hightechevolution”, me 8,958.80 euro më shumë sesa që kishte planifikuar. Autoritetet komunale refuzuan të kthenin përgjigje në pyetjet për këtë proces prokurimi.

Përmes procedurës së negociuar ishte nënshkruar edhe kontrata gjashtëmujore për “Shërbime të sigurimit fizik për objektet e Komunës së Prishtinës”, në vlerë prej 232,373.00 eurosh.

Nëpërmjet një përgjigjeje të shkruar, ZKA-ja i tha KOHËS se ka gjetur parregullsi në këtë rast.

“Për negocim ishte ftuar kontraktuesi paraprak, përkatësisht vetëm një operator ekonomik, ndonëse ky lloj shërbimi ofrohet edhe nga kompanitë e tjera”, thuhet në një përgjigje të shkruar. “Raporti i vlerësimit të tenderit nuk ishte plotësuar me të dhënat e nevojshme rreth negociatave siç kërkohet formalisht, por vetëm ishte nënshkruar nga anëtarët e komisionit në formën e shabllonit, me disa plotësime të pakta rreth kompanisë dhe çmimit të ofruar”.

Në kohën kur ishte firmosur kjo kontratë, aktiviteti i zhvilluar për të njëjtin shërbim përmes procedurave të hapura në vitin 2019 ishte ende në fazën ankimore në Organin Shqyrtues të Prokurimit.

Nëpërmjet rrugës së njëjtë Komuna e Istogut ka shpërblyer me dy kontrata publike operatorë ekonomikë. Ekzistencën e njërës e ka mohuar, ndërkaq për tjetrën kontratë ka pasur një justifikim.

Kontrata me titull “Vlerësimi i dëmeve të shkaktuara gjatë kohës së pandemisë, të krijuara si rezultat i koronavirusit COVID-19”, për të cilën autoritetet në Komunë kanë thënë se nuk ekziston, ka angazhuar dy kompani me qëllimin e vlerësimit të dëmeve të shkaktuara gjatë kohës së pandemisë.

Procesverbali i hapjes së tenderit mban datën 8 shtator 2020. Bazuar në të, grupi i operatorëve ekonomikë “Integra Consulting” dhe “Instituti për Ndërmarrësi dhe Biznes të Vogël” (IESB) bashkërisht kanë aplikuar me çmimin 16,995.00 euro. Operator tjetër ekonomik nuk kishte në konkurrencë.

Dhjetë ditë më vonë Komuna e ka ftuar për negociata këtë grup konsorciumi dhe në Procesverbalin e negociatave theksohet mes tjerash se ishte arritur marrëveshje për ta ndryshuar çmimin nga oferta në 15 mijë euro. Ky çmim figuron edhe në kontratën e nënshkruar më 9 tetor.

Bazuar në kontratë, kompania e kontraktuar kishte veç një muaj kohë për t’i realizuar punët mbi vlerësimin e dëmeve të shkaktuara gjatë kohës së pandemisë në Komunën e Istogut. Kjo kërkonte që të bëhej mbledhja dhe përpunimi i të dhënave ekonomike me qëllim të vlerësimit të dëmit ekonomik të shkaktuar nga pandemia COVID-19 në Komunën e Istogut dhe nxjerrja e rekomandimeve për masat sanuese për rimëkëmbjen e ekonomisë pas pandemisë.

Komuna nuk ka treguar nëse ky raport është finalizuar, ani se ka kaluar një vit prejse ai duhej t’u dorëzohej autoriteteve të Istogut.

Në fakt Komuna ka mohuar se e ka lidhur një kontratë të tillë e madje ka thënë se për këtë qëllim ka lidhur një kontratë tjetër me procedurë të hapur.

“Sa i përket kërkesës suaj, tenderi i shpallur më datë 8.10.2020 nuk është zhvilluar me procedurë të negocimit, por me procedurë të hapur, në vlerë 40,000.00 euro, mjete këto të ndara nga Qeveria e Kosovës në fillim të shtatorit 2020”, thuhet në një përgjigje të shkruar të Komunës.

Një përgjigje tjetër nuk ka pasur, ani se KOHA ia ka prezantuar linkun e faqes së “e-prokurimi-rks-gov.net”, në të cilin ndodhen dokumentet që përbëjnë dosjen e tenderit për këtë procedurë prokurimi, përfshirë kontratën.

Krahas këtyre dy kontratave të lidhura në procedurë negocimi, Komuna e Istogut i ka lidhur edhe dy kontrata të tjera gjatë 2020-s, për qëllime të pandemisë. Njëra është lidhur për të bërë blerjen dhe furnizimin me medikamente për luftimin e pandemisë COVID-19, dhe ka vlerën 24 mijë euro, kurse tjetra është bërë për qëllim të dezinfektimit të hapësirave publike dhe institucioneve komunale e shtetërore dhe ka vlerën 41 mijë euro.

Në ZKA thanë se përdorimi i procedurës së negociuar pa publikimin e njoftimit të kontratës “ka ndikim në kufizimin e konkurrencës së mirëfilltë e që ka ndikim edhe në çmime (që mund të jenë më të larta) e cilësi që mund të jenë jo konform kushteve të tregut”.

Për të ilustruar problemin e shfrytëzimit të pandemisë së COVID-19 si pretekst nga komunat për të mos zhvilluar aktivitete prokurimi me procedurë të hapur, ZKA-ja ka përzgjedhur rastin e Komunës së Lipjanit.

“Zhvillimi i procedurave të prokurimit është bërë jashtë planit të prokurimit dhe pa njoftim paraprak të Agjencisë Qendrore të Prokurimit (AQP). Në vitin 2020 janë realizuar 8 aktivitete (për Covid-19 v.j.), të cilat nuk ishin përfshirë në planin final të prokurimit”, thuhet në një përgjigje të shkruar.

KRPP-ja ndërkohë nuk ka treguar se sa është numri i kontratave që komunat i kanë lidhur me procedurë të negocimit gjatë vitit 2020, dhe as sa nga këto kontrata janë lidhur për qëllim të adresimit të çështjeve që lidhen me pandeminë.

Por, pas njoftimit të KRPP-së të datës 12 qershor 2020, i cili parasheh shfuqizimin e mundësisë së përdorimit të procedurës së negocimit, Komuna e Prizrenit në disa raste ka përdorur procedurën pa publikim të njoftimit për kontratë.

ZKA-ja e ka konfirmuar këtë.

“Në dy nga këto mostra, përveç fituesit që ka pasur veprimtarinë përkatëse, Komuna kishte ftuar edhe nga dy operatorë ekonomikë për negociata që nuk kishin veprimtarinë e duhur të procedurës tenderuese. Ndërsa në një rast komuna kishte ftuar vetëm një operator ekonomik për negocim me të cilin kishte lidhur kontratë”, thuhet në përgjigjen e kësaj zyre. “Sipas zyrtarëve komunalë, kjo ka ndodhur si rezultat i kohës me pandeminë COVID-19 dhe për këtë shkak janë konsideruar si procedura emergjente dhe kanë aplikuar këtë lloj të procedurës”.

Për furnizim me pako ushqimore për rastet e vetizoluara dhe rastet sociale në Komunën e Prizrenit ishte dhënë kontrata në vlerë 32,990 euro. Për realizimin e platformës digjitale për nevojat e arsimit në këtë komunë ishte shpërblyer një kompani me kontratë prej 116,614.00 eurosh. Ndërkaq për furnizim me PCR rapid teste ishte dhënë kontrata në vlerë 118,845 mijë euro, e për furnizim me reagensë për analizën D-Dimer kontrata tjetër kishte vlerë 35,997.00 euro.

Kësisoj, nën justifikimin e urgjencës që ka prodhuar pandemia shumë komuna shpërblyen biznese me kontrata nëpërmjet procedurës së negociuar, ani se të tillat kufizojnë konkurrencën dhe rrisin mundësinë për çmime më të larta e për cilësi më të vogël. Komunat madje nuk përfillën as vendimin e KRPP-së, sipas të cilit nga 12 qershori i 2020-s nuk mund të arsyetoheshin të tilla kontrata duke u bazuar në situatën me pandeminë.

(Ky artikull është botuar në kuadër të projektit “Kontribut në gjetjen e shkeljeve në prokurim publik të institucioneve në luftën kundër pandemisë COVID-19” i financuar nga BE, zbatuar nga Demokraci Plus (D+). Përmbajtja e këtij shkrimi është përgjegjësi e vetme e autorit dhe në asnjë mënyrë nuk mund të paraqesë pikëpamjet e Bashkimit Evropian).