Arbëri

Virusi i rrenave

Foto: Reuters

Fëmijët janë imunë ndaj koronavirusit; vaksina kundër koronavirusit është krijuar para se të përhapej sëmundja; rrjeti 5G ka shkaktuar koronavirusin; Trumpi pozitiv në testin e koronavirusit; apo dezinformata të tjera të ndërlidhura me këshilla shëndetësore, janë disa prej dezinformatave që ditëve të fundit i kanë rënë në sy Dren Gërgurit, ligjërues në Degën e Gazetarisë në Universitetin e Prishtinës.

“Për mendimin tim këto janë dezinformata që devijojnë lehtësisht realitetin, dhe në fakt kanë më shumë potencial për të mashtruar publikun”, thotë Gërguri, i cili ka fokus të veçantë studimi lajmet e paverifikuara nëpër media e platforma sociale. Ai ka vërejtur edhe dezinformata të mbushura me elemente konspiracioni.

“’Diçka e madhe është duke ndodhur në Itali dhe Ballkan, Ju nuk jeni në vetëdije’, që fliste për kinse një zbarkim të ushtrisë amerikane në Itali, në përgatitje të një ndryshimi gjeopolitik. Apo një tjetër dezinformatë me teori konspiracioni ishte ajo që ‘zbulonte’ se virusi ishte një armë biologjike e Kinës (shkrim i ‘Washington Times’, që pastaj ishte demaskuar nga ‘Washington Post’), më pas rusët akuzuan amerikanët se kanë prodhuar virusin për ta dëmtuar Kinën ekonomikisht”.

“Sigurisht për ta friguar CORONAVIRUSIN me këtë armatim të rëndë”

Përhapja botërore e koronavirusit u ka fryrë flakëve të zjarrit të lajmeve të rreme dhe të teorive të konspiracionit. “Zbulohet: Ja përse trupat amerikane po zbarkojnë ditëve të fundit në Gjermani dhe në vende të tjera evropiane”, ka qenë titulli bombastik në llogarinë e një portali në “Facebook”, që numëron më shumë se 150 mijë persona që e pëlqejnë ose e ndjekin. Brenda 22 orësh, 72 prej tyre e kanë shpërndarë e 675 të tjerë e kanë pëlqyer. Të llojllojshme kanë qenë komentet poshtë vjegëzës së informatës që nuk ka asnjë burim që konfirmon lajmin.

Në shkrimin e publikuar më 17 mars thuhet se dhjetëra mijëra trupa amerikane dhe të aleatëve të NATO-s po zbarkojnë ditëve të fundit në Evropë për të kryer një manovër të madhe ushtarake.

“Sigurisht për ta friguar CORONAVIRUSIN me këtë armatim të rëndë”, ka komentuar Sefki Krasniqi.

“Sipas mediave tjera, është anuluar misioni!!” – ka shkruar Afrodita Sefaj.

“Kët coronavirusin e kan bo me qëllim se ktyne ju vyen autobanat e lir, rrugt e lira për me bo manovra e mos mi pengu kërkush hiq, edhe ja arritën qëllimit, i mbyllën evropën nëpër shpija, e tash kan laverdi, hec ka të dush, kush dreq me gojë stë thot”, shkruan Bujar Shuti më 17 mars.

Por qysh më 12 mars prestigjiozja “The New York Times” shkruante se SHBA-ja dhe partnerët në Korenë Jugore dhe në Evropë kanë anuluar ushtrimet e planifikuara në Arktik, Lindje të Mesme dhe në Kore të Jugut. “Por trupat, të cilat tashmë kanë mbërritur për një ushtrim tjetër të përmasave të mëdha në Evropën Lindore përgjatë kufirit me Rusinë, do të vazhdojnë me manovrat e planifikuara ushtarake, megjithëse me përmasa më të vogla”, raportonte gazeta njujorkeze, duke iu referuar zyrtarëve të lartë të Pentagonit.

Dy kategori dezinformatash

Gërguri ka shkruar goxha shpesh për përdorimin e teknologjisë për shpërndarjen e dezinformatave. Ai thotë se bashkë me panikun për virusin, edhe dezinformimi është përhapur me të madhe në të gjitha platformat më të njohura të teknologjisë.

“Dezinformatat janë shpërndarë në ‘Facebook’, ‘Twitter’, ‘YouTube’, etj., dhe në Kosovë, pikërisht media sociale si ‘Facebook’-u është ndër burimet kryesore të informacionit”, thekson Gërguri, duke shtuar se javëve të fundit dezinformatat u orientuan më shumë nga koronavirusi për shkak të interesimit të madh të qytetarëve në mbarë botën për të mësuar më shumë rreth pandemisë.

“Dezinformatat që më kanë rënë në sy janë në numër të madh, ndoshta edhe për shkak të interesimit tim të veçantë për ‘fake news’, të cilin e studioj në vazhdimësi tash e tri vjet. Dezinformatat lidhur me koronavirusin mund t’i ndajmë në dy grupe, dezinformatat si devijim i lehtë i realitetit dhe dezinformata të tjera të cilat ishin më shumë teori konspiracioni”, ka thënë ai.

“Po këtu ka naj virus tjetër”

Arif Momqillës, 64 vjeç, s’ka kush që ia mbush mendjen se virusi është një sëmundje infektuese që nuk është krijuar nga dora e njeriut.

“Po thonë nifar virusi, po mos po del naj tjetër virus. Vallahi najfarë lufte a najçka. A këto tenka që po shkojnë krejt nëpër kufi, këtu ka diçka”, thekson Momqilla. “Virusi, me u mshel krejt mrena, krejt bota, s’ma merr mendja, po këtu ka naj virus tjetër”.

Në një analizë të brendshme të Grupit punues për detektimin e dezinformatave të Bashkimit Evropian tërhiqet vërejtja se qytetarët janë kthyer në cak të dezinformatave të rrezikshme, duke drejtuar gishtin kah mediat pro-Kremlinit. Por theksohen edhe disa raste të dezinformatave e konspiracioneve në Ballkanin Perëndimor. “Qeveria ka mbajtur sekret virusin”, citohet deklarata e ish-kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha. Në të njëjtin dokument të brendshëm të BE-së përmendet se dezinformatat lidhen edhe me elemente fetare dhe nacionaliste. “Në Kosovë disa portale lokale(shumica të afërta me PDK-në në opozitë) shumëzojnë mesazhin se ‘virusi korona është dënim nga Zoti për shkak se nuk lejohen gratë të bartin shamia’”, thuhet në dokument pa përmendur emrat e portaleve dhe mediave dezinformuese.

Trumpi dhe “virusi me kombësi”

“Koronavirusi është një armë biologjike e krijuar nga Kina, SHBA-ja dhe Britania e Madhe”, është një prej dezinformatave, sikurse edhe “virusi është instrument për vendosjen e sundimit totalitar”. Vetë presidenti amerikan, Donald Trump, i është referuar vazhdimisht sëmundjes si “virusi kinez”, ndërkaq Kina ka akuzuar amerikanët se “krijuan” virusin në laborator për ta frenuar ngritjen e vrullshme të ekonomisë së dytë më të madhe në botë pas asaj amerikane.

Politologu Bekim Salihu paralajmëron pasoja të rënda ekonomike e politike në shumë shtete nëse pandemia do të zgjatë shumë. “Nëse kjo gjendje që po mbizotëron në shumicën e vendeve vazhdon për një kohë relativisht të gjatë, do të sjellë kolaps të ekonomisë, rritje të papunësisë, ulje të pagave, ulje të shërbimeve, rritje të çmimeve, e krejt kjo do t'i bëjë qeveritë jostabile, me potencial të destabilizimit të vendeve dhe rritjes së përpjekjeve të shteteve të caktuara për ndërhyrje e ndikim, e kjo do të mund të rezultojë pastaj me konfrontim-luftëra”, ka thënë ai.

Në analizën e BE-së përmenden sidomos mediat ruse, si “Russia Today”, për përhapje të informatave të paverifikuara. Kanali i këtij televizioni në gjuhën spanjolle thuhet të jetë ndër 12 burimet më të mëdha në botë të informimit rreth koronavirusit, duke lënë prapa vetes edhe shumë mediume të fuqishme perëndimore.

Edhe Salihu paralajmëron për investimin e qëllimshëm rus në përhapjen e dezinformatave. “Nè këtè mes unë e shoh Rusinè si vend që mund t'i konvenojë kjo gjendje. Elitat e marra për qëllime të marra nuk llogarisin në kostot njerëzore edhe në rastet kur preket vendi i tyre. Historia nxjerr dhjetëra raste që e deshmojnë këtë. Shumë shpejtë problemet nga pandemia nuk do të jenë vetem të shëndetësisë, por edhe të sigurisë”, ka thënë ai. Salihu druan se pasiguria në Evropë dhe botë mund të sjellë ndryshime që nuk do të ishin në favor të Kosovës, megjithëse ka praninë ndërkombëtare të KFOR-it. “E dyta, ne nuk kemi ekonomi të qendrushme, e treta ne nuk kemi investuar shumë në shëndetësi dhe e katërta ne nuk kemi as institucione stabile. Të gjitha këto e bëjnë ose mund ta bëjnë situaten edhe më të rënduar”.

Taktika dinake

Gërguri, ligjërues i gazetarisë, thotë se shtrija pothuajse totale e internetit në Kosovë e ekspozon edhe më shumë vendin para dezinformatave e teorive konspirative të përhapura nëpër media sociale. “93 për qind e familjeve të Kosovës kanë qasje në internet në vendbanimet e tyre, më shumë sesa mesatarja e BE-së, ndërkohë e dimë se dezinformatat më së shumti shpërndahen në internet”, thekson ai.

Gërguri ka vërejtur muajve të fundit se përmbajtja e tyre ngjasonte me lajmin e verifikuar, “sepse është taktikë që gjithnjë e përdorin ata që shpërndajnë dezinformata”.

Në një vend ku sistemi shkollor nuk ka edukatë mediale, është edhe më i vështirë demantimi i lajmeve të rreme. Ai thotë se të gjithë lexuesit duhet të kenë qasje kritike para çdo informacioni. “Pyetjet kanë të bëjnë me burimin që e publikon informacionin, autorin, datën e publikimit dhe burimet mbështetëse”, thekson Gërguri, duke sqaruar edhe dallimin ndërmjet dezinformatave dhe konspiracioneve.

“Dallimi mes dezinformatave dhe teorisë së konspiracionit është se teoria orvatet të shpjegojë ngjarjet si rezultat i veprimeve të një apo disa akterëve, ndërkaq dezinformata mund të jetë një nga elementet përbërëse në ndërtimin e një teorie konspiracioni”, thotë Gërguri. “Mendoj se dezinformatat të ndërtuara mbi konspiracion janë më lehtë të dallueshme, sepse konspiracioni përfshin diçka të madhe që publikut mund t’i mbahet e fshehtë dhe nuk ka burime të mjaftueshme mbështetëse që të ngjallin besim te publiku”.

Por Momqilla vazhdon të besojë se ka “një tjetër virus” prapa koronavirusit që ka ngujuar nëpër shtëpi qindra miliona njerëz anembanë botës e mediat sociale janë vërshuar nga thirrjet institucionale e qytetare: “Kujdes po, panik jo”.