Arbëri

Virusi i humorit

E kish zanë një shqiptar virusi korona, edhe po i thotë: Tash është koha me të infektu, a ki me thanë diçka për fund?

Shqiptari po ia kthen: Lëshomë se t’i plotësoj tri dëshira.

Kjo është vetëm njëra prej barsoletave të shumta që së fundmi i kanë lënë përshtypje regjisorit Besim Ugzmajli. Vetë Ugzmajli njihet për postime me sens të mprehtë humori në rrjetet sociale. “Nuk mundem me kallxu më shumë barsoleta për koronavirusin, sepse po shpërndahen, bile disa prej atyre që po ua tregoj barsoletat po qeshin pas katërmbëdhjetë ditëve”, thekson ai.

Në kohë pandemie botërore kur shumica e njerëzve janë ngujuar vullnetarisht në shtëpi për t’iu shmangur prekjes së mundshme nga koronavirusi, është ngritur aktiviteti virtual në rrjetet sociale. Edhe vetë platforma “Facebook” ka njoftuar javë më parë për ngritje prej pesëdhjetë për qind të trafikut të përdoruesve. Aty shumëkush ka bërë thirrje që rrjetet sociale të shfrytëzohen për të ngritur humorin e njerëzve në kohën kur po bëhet thirrje për kujdes, por pa panik. Por a ndihmon humori në lehtësimin e gjendjes emocionale në kohë krize?

“Sigurisht se ka ndikim. Unë jam me fat që kam shumë miq kreativë në rrjetet sociale. Miqtë e tillë gjejnë hapësirë për të ironizuar, qeshur e tallur me çdo gjë jo vetëm në Kosovë”, thekson Ugzmajli, duke shtuar se humori në kohë pandemie ka anët e veta pozitive për qytetarët të përballuar me ndryshimin e përnjëhershëm të rutinës. “E para, se qytetarët do ta përballojnë më lehtë pandeminë duke konsumuar humor gjithandej, dhe kjo tregon se kemi një qytetari inteligjente, sepse humori, sidomos humori i zi, është domen i njerëzve inteligjentë e kreativë”, thotë regjisori ferizajas.

Gruaja burrit: Po shkruan Ahmet Portieri, paska mbetë shtatzënë

Regjisori tjetër, Ben Apolloni, merr qindra e mijëra “like” në postimet që nxisin të qeshura. Është prej anëtarëve më aktivë të grupit “Smile Factory” në “Facebook”. Faqja hapet me thënien e Apollonit: “Kujt nuk i pëlqen humori, është njeri joserioz”.

“Kam qenë shumë aktiv në rrjete sociale dhe jam munduar që të postoj barsoleta, të shkruaj statuse ‘funny’ që sadopak të ndihmoj në kapërcimin e kësaj situate, që dorën në zemër, nuk është aspak e lehtë”, thekson ai. Regjisori kaçanikas thotë se humori vërtet është ndihmesë e madhe për të kaluar situata, si kjo e shkaktuar nga koronavirusi.

“Chaplini, edhe në kohërat e luftërave më të tmerrshme ka krijuar filma komikë dhe pa dyshim që ka ndihmuar shumë njerëz që të shpëtojnë nga krizat shpirtërore. Mendoj që një numër të miqve që kam në ‘Facebook’ e ‘Instagram’ duhet t’i falënderoj e t’i duartrokas për energjinë e mirë që më kanë dhënë këto ditë mua, por edhe të tjerëve”, thotë Apolloni në një intervistë të zhvilluar nëpërmjet “Messengerit” të “Facebookut”.

Në “Smile Factory” ai poston edhe barsoleta të përzgjedhura të të tjerëve.

Shtyrja e dasmave për ju që kishit në plan të martoheshit këtë vit, është mundësi që Zoti jua ka dhënë të mendoni edhe një herë.

Gruaja: Zemër, ti para karantimit shkoje të luaje futboll, a po?

Burri: Po zemër, pse kjo pyetje?

Gruaja: Se po të shkruan Ahmet Portieri, po thotë që ka mbetë shtatzënë.

Ku do të shkoni sivjet, për 1 Maj?

N’psikiatri.

Dy regjisorët thonë se shqiptarët kanë sens të hollë humori. Apolloni ka vërejtur gjatë javëve të fundit se sa spirituozë janë njerëzit. “Unë edhe njoh shumë njerëz që nuk kanë të bëjnë më skenën teatrore e filmike, por që kam dëshirë t’i takoj, sepse janë aq humoristë sa i adhuroj dhe mësoj prej tyre”, thotë Apolloni. Madje ngulmon se ka goxha një kohë që ka vërejtur se shqiptarët e rëndomtë kanë humor më të sofistikuar se disa seriale e shfaqje humoristike. “Kjo më bën të mendoj që edhe këtu, si në çdo fushë tjetër, nuk u jepet mundësia atyre që kanë talent, por atyre që kanë lidhje politike, farefisnore, e të tjera”.

Shqiptari qeshet edhe në varrim!

Ugzmajli thotë se ndjenja e humorit në mesin e shqiptarëve është zhvilluar kryesisht nga vuajtjet e mëdha në histori. “Sado që kjo tingëllon paradoksale, duhet të kujtojmë se komedinë dhe tragjedinë e ndan një fije e hollë gati e padukshme. Sa më tragjik që të jetë subjekti apo ma tragjike situata, aq më shumë i afrohet komedisë, përkatësisht humorit e satirës”, thotë ai, duke përshkruar edhe situata konkrete që manifestojnë traumat individuale e shoqërore të shqiptarëve.

“Ne secili e kemi së paku një shok që është i papërmbajtshëm për të qeshur në mënyrë histerike pikërisht atëherë kur vetëm të qeshësh nuk bën, ta zëmë në varrime apo në të pame. Të tillët jo se nuk bashkëndiejnë dhimbjen e dikujt, por pashpjegueshëm do t’u vinte të lëshonin apo pranonin një batutë e cila do t’i bëne të qeshnin”, thotë Ugzmajli.“Kujtojmë faktin se barsoletat më origjinale të shqiptarëve sillen rreth vdekjes, urisë, luftës. Pra, humori është përkrah ngjarjeve që në epiqendrën e tyre kanë dhimbjen dhe tragjedinë”.

Kastriot Rexhepi, moderator radioje, thotë se në faqen e humorit që e menaxhon, shpesh sheh se ka njerëz që keqkuptojnë mesazhin prapa një barsolete. Kjo e shtrëngon “të veprojë”.

“Shqiptarët janë shumë të mirë në humor, mirëpo shpeshherë humorin e përkthejnë në seriozitet, pasi edhe vetë administroj një faqe humori, ku ka njerëz që nuk e kuptojnë humorin, dhe më duhet të marr me dëbim nga ‘fan page’”, thotë ai.

Rexhepi është në mesin e atyre që janë tallur me koronavirusin, me qëllim që njerëzit të mos e marrin me siklet. “Sepse vetizolimi nganjëherë përkthehet edhe në stres psikik dhe doja pak t’ua ndreqja disponimin, mirëpo rekomandimet e mia asnjëherë nuk kanë munguar për kujdes po, e panik jo”, thotë Rexhepi. Ish-aktivisti politik i AKR-së, ja si përgjigjet kur i kërkohet të përzgjedhë barsoletën që i ka lënë më shumti përshtypje: “Futbollin s’e përcjell, andaj s’kam përgjigje”.

Kuvendi i Kosovës me “Stand Up” komedi

Dhe derisa po e shkruaj shkrimin më vjen një mesazh elektronik nga fotoreporteri Hazir Reka. Është një improvizim i shkruar mbi një fotografi takimi të ish-ambasadorit amerikan në Tiranë, Donald Lu, dhe kryetarit të Drenasit, Ramiz Lladrovci, ish-ambasador i Kosovës në Shqipëri.

Zoti kryetar, a keni në Drenas ndonjë të infektuar me koronavirus? – e pyet Lu.

Jo, zoti ambasador, këtu janë krejt me PDK-në, ia kthen Lladrovci.

Apolloni e Ugzmajli janë marrë goxha shumë me postime thumbuese për politikanët. “Nga koronavirusi do t’i humbim disa jetë dhe disa parti. Ngushëllimet më të sinqerta për të parët, urimet më të përzemërta për të dytët!” – ka shkruar Ugzmajli më 6 prill.

Mirëpo Apollonit i është mbushur mendja se “koronavirusi nuk po i prekte politikanët, sepse ishte virus që po i prekte vetëm njerëzit”.

Për Apollonin, politikanët e Kosovës janë personazhe aq qesharake, saqë po qe se do të kalonte shumë kohë para ekranit në kohë seancash parlamentare, do të “këputej” duke qeshur e shkruar barsoleta. “Gënjejnë shumë dhe si të pamençur që janë, pas 1 minute bien në grackat e rrenave të tyre. Sinqerisht janë shumë qesharakë. Shumica”, thekson Apolloni. “Ta marrim shembull vetëm seancën ku u votua mocioni ndaj Qeverisë, ishte e dhimbshme se çfarë bënin atë ditë ata, por fjalimet e tyre ishin aq qesharake, sa më dukej se po shikoja ndonjë ‘Stand Up’ komedi. Kam qeshur me lot. Po të mos ishte ana tragjike se ai nivel merr vendime për jetët tona, mendoj se ata duhet t’i detyrojmë të bëjnë sa më shpesh seanca dhe të qeshim me ta”.

Pasojat “e zeza” të humorit të bardhë

E kur pyetet për “korrektësinë” në raport me politikanët kur i thumbon, Apolloni këmbëngul se është jashtëzakonisht korrekt me ta: “Unë bëj humor me marrëzitë e tyre, ata më hakmerren në projektet e mia që m’i pengojnë vazhdimisht. Kështu që jemi fitfy-fifty”.

Edhe Ugzmajli është i vetëdijshëm për “pasojat” që mund t’i vuajë për shkak të qëndrimeve të hapura ndaj politikës. “Njëra prej arsyeve, por jo kryesorja, që unë merrem me art është fakti se kam qenë i dobët në matematikë (ha-ha-ha), dhe ky fakt lidhet edhe me reagimet e mia karshi politikës. Ata në politikë janë kalkulantë, përkatësisht matematikanë shumë të dobët e qesharakë”, thotë ai. “Të mjerët mendojnë se ky popull ushqehet me bar e mendon me prapanicë”.

Edhe tani ka bërë thirrje që autoritetet qendrore të kenë kujdes pas shenjave të para se mund të ketë keqpërdorim të fondeve që do të ndahen për mbështetje artistëve. “Unë nuk çaj kokën për reagimet eventuale as të militantëve, as të politikanëve në përgjithësi. Ndoshta to të kisha çarë kokën sadopak, duke e ditur që fjala e lirë kushton këtu në Kosovë, por meqë jam i dobët në matematikë, atëherë nuk ‘ia shti lapsin’ kësaj pune hiç”.

“Më pak politikë, më shumë humor”

Apolloni, i cili në njërin prej statuseve shkruante se pas pandemisë do të inskenojë në teatër vetëm “komedi, komedi, komedi”, ka thënë se tashmë ka siguruar brumë të bollshëm për shfaqje komike. “Vetëm nuk kemi teatro se projekte kam plot. Unë edhe ashtu kam krijuar komedi, mjaft shumë, por këto ditë rashë dakord 100% me Bertolt Brecht, i cili ka thënë se teatri duhet ta ketë qëllim kryesor argëtimin e publikut. Me kënaqësi do ta bëja këtë”, ka thënë ai. “Sepse më pëlqen t’i shoh njerëzit duke qeshur, më duken më të bukur, më duken më të mirë. Besoj që sapo të dalim nga izolimi do të punoj për realizimin e një sitcomi, një komedi satirike, që tani ka titullin ‘Presidenti’”.

Por derisa të krijohen rrethanat për ta jetësuar projektin artistik të radhës, Apolloni thotë se derisa virusit me kurorë t’i gjendet vaksina, humori është ilaç shpirtëror në këtë kohë të jashtëzakonshme për mbarë botën.

“Unë e di që humori është i nevojshëm për ne, në çdo situatë, dhe mendoj që ky izolim duhet t’i bëjë të reflektojnë edhe mediat, dhe në vend të emisioneve me debate politike të krijojnë më shumë shfaqje televizive humoristike”, thotë ai. “Shqiptarët dinë të krijojnë humor, na e shfaqni edhe nëpër televizione këtë. Është ilaçi më i mirë shpirtëror për ne që politikat ditore na e kanë shkatërruar shëndetin shpirtëror e fizik”.