Blerim Qerimi ia ka dalë në pikun e përhapjes së virusit korona ta nxjerrë Mirlindin në natyrë. Kushërinjtë po pedalojnë përditë prejse masat e institucioneve shtetërore e shtrënguan Mirlindin t’ia vinte drynin laboratorit dentar. Bashkë po rrahin rrugë të rrafshëta e kodrinore nëpër fshatrat e Ferizajt.
“Jo, jo, unë më parë s’kam dalë, se s’kam kohë kur jam në punë”, thekson Mirlind Qerimi, kur pyetet se a i ka dhënë biçikletës edhe para pandemisë. “Ky ka dalë edhe para virusit”, thotë ai, duke treguar se në fillim pati probleme për shkak të mungesës së përgatitjes së duhur fizike.
“E mira” e virusit
“Dy ditët e para nuk ka mundur të çohej prej vendit”, tregon me qeshje Blerimi, me dy duart mbështetur për timoni. “Krejt u kallën muskujt”, e pranon Mirlindi, i cili ka hequr dy këmbët nga pedalet në shtegun për biçikleta përgjatë rrugës kodrinore, “Parku i Lirisë”. Të njëjtë e ka emrin edhe parku me pisha mbi Kazermën e FSK-së në Ferizaj. Qerimët rrahin edhe rrugë më pak të frekuentuara që lidhin fshatrat përgjatë luginës së Lumit Nerodime.
Por Emerjon dhe Erdon Hasani ngjiten përpjetë rrugës gjarpëruese deri në krye të lumit në Jezerc. Binjakët, lojtarë të ekipit U17 të Ferizajt në futboll, edhe më parë kanë dalë me biçikleta për ta ngritur përgatitjen fizike. Pas shfaqjes së virusit me kurorë, po u bashkohen edhe disa shokë.
“Unë kam dalë me shokë që më parë kurrë nuk kanë dalë me biçikleta, e tash në kohën e pandemisë e kanë blerë biçikletën veç për me dalë. Ata po vijnë me ne këndej”, thotë Erdoni, pranë ujëvarës që derdhet në asfaltin e lagjes së parë në hyrje të fshatit. Vëllezërit i bëjnë njëzet deri në tridhjetë kilometra në ditë. “Na e kemi traken për ushtrime edhe në shtëpi, por ndryshe është në natyrë. Natyra të relakson”, shton ai ndanë shtratit të lumit që gurgullon. “Tash krejt rruga veç me biçikleta është. Është rritur numri shumë”, thekson Emërjoni.
Grupe të rinjsh lëshohen teposhtë e ngjiten përpjetë rrugës prej pesëmbëdhjetë kilometrash deri në qytet. Djem e vajza, me e pa maska, u japin biçikletave edhe përgjatë rrugëve të qytetit, por edhe në rrugë periferike me më pak qarkullim makinash.
Thyerja e paragjykimeve gjinore
“Ka një ekspansion të përdoruesve të biçikletave gjatë kohës së pandemisë. Edhe në dyqanin tim është ngritur numri i atyre që kërkojnë biçikleta me qira”, thotë Avni Nuha, kryetar i Federatës së Çiklizmit të Kosovës, njëherësh pronar i një dyqani për biçikleta në Ferizaj, duke shtuar se ky trend ka treguar se rinia po thyen paragjykimet gjinore. “Edhe unë vetë kam dalë me familje me biçikleta deri në Jezerc, prej nga e kam prejardhjen, dhe më ka ardhur mirë që kam parë shumë vajza që po i përdornin biçikletat për të kaluar sa më shumë kohë në natyrë”, ka shtuar Nuha, mësimdhënës i edukatës fizike.
Rinora Gojani, menaxhere e programeve në “Balkan Green Foundation”, shkon e vjen nga puna me biçikletë për shkak se Prishtina – në kushte normale – ka trafik të mbingarkuar. Biçikleta ia lehtëson lëvizjen nëpër qytet.
“Rruga që do të përshkoja për pesëmbëdhjetë minuta në këmbë, me biçikletë përshkohet për më pak se gjysmën e kohës, andaj lëvizja me biçikletë mbetet mënyra më e preferueshme e lëvizjes në qytet për mua”, tregon Gojani, duke shtuar se përdorimi i makinës në kryeqytet është “maltretim”. Madje mundohet të mos e përdorë fare.
Ndikimi mjedisor
“Në të njëjtën kohë, duke pasur parasysh jetën dinamike dhe angazhimet e shumta, lëvizja me biçikletë për nevoja personale, në të njëjtën kohë më shërben edhe si aktivitet fizik”, thotë ajo. “Edhe nëse nuk gjej kohën të merrem me sport (gym ose vrap), ndihem më pak në faj, ngase kam lëvizur me biçikletë gjatë ditës”.
Para përhapjes së virusit korona në Kosovë, Mirlind Qerimi ushtronte në studio fitnesi, por nuk vraponte më shumë se njëzet minuta në vend – në shirit. “Tash, po i bëjmë dy orë me biçikleta dhe nuk po bëhemi monoton”, thotë ai, teksa shikimin hedh kah kushëri Blerimi, i cili del rregullisht në natyrë. Prej kurrizit të kodrës afër kazermës “Skënderbeu”, Qerimët shohin si në shuplakë të dorës një hise të mirë të Rrafshit të Kosovës. Ulja e shkallës së ndotjes ka shtuar dukshmërinë. Po e kthyen kokën djathtas, shohin Malet e Sharrit. Maja e Lubotenit çan qiellin. Dy anëve të rrugës “Parku i Lirisë” janë hedhur mbeturina inerte. Disa burra, nja pesëqind metra më poshtë, po punojnë me kamion e ekskavator. Po ngulen themelet e një shtëpie të re.
“Transporti është burimi më i madh i ndotjes së ajrit dhe emetimeve të gazrave serrë në Kosovë, dhe çdokush mund të ndihmojë në zvogëlimin e efekteve të tyre të dëmshme duke ndërruar mënyrën e lëvizjes dhe zgjedhur transport të qëndrueshëm”, thotë Gojani, nga “Balkan Green Foundation”. Ajo thekson se transporti konsiderohet ndotësi i dytë më i madh në Kosovë. Gojani bën thirrje që qytetarët të preferojnë më shumë ecjen, biçikletat dhe transportin publik për shkak të të mirave individuale e shoqërore, sidomos për mjedisin. Prandaj, thekson ajo, heqja dorë prej timonit të makinës dhe përdorimi i mënyrave të qëndrueshme të transportit do të ofronin përfitime të gjithmbarshme.
“Terapi” në kohë pandemie
“Kjo përfshin: Eliminim të kolonave në trafik; reduktim të ndotjes së ajrit dhe rreziqeve nga sëmundjet respiratore; emetim të reduktuar të gazrave serrë; ulje të kostos së transportit; aktivitet të shtuar fizik; bashkëveprim të rritur social; stil më të shëndetshëm të jetesës dhe cilësi më të mirë të jetës”, thekson Gojani.
Biçikletën e përdor edhe Sadat Bunjaku, mësimdhënës i edukatës fizike dhe trajner futbolli për grupmosha të reja. Ai thotë se dalja me biçikletë në natyrë do t’i ndihmonte të gjithë që ta kalonin sa më lehtë këtë kohë të krizës së shëndetit publik.
“Gjithmonë në këso lloj krizash, siç është pandemia, kishte me qenë mirë t’i marrim gjërat me sportivitet, sepse shumica e njerëzve kanë probleme mendore e fizike, sidomos në këtë kohë që jemi”, thekson ai, duke rekomanduar që i madh e i vogël të mendojnë për mënyra më të shëndetshme jetese. “... sepse na ndihmon shumë në aspektin psikofizik dhe të jemi të shëndosh, dhe çka është më me rëndësi, biçikleta e ruan mjedisin, e bëjmë jetën me më pak gazra prej makinave të ndryshme, që është problem global”, thotë Bunjaku, duke përçuar mesazhin e tij me moton “Përdore biçikletën, ji vetja!”
Nuha, kryetari i Federatës së Çiklizmit, kritikon pushtetin qendror e lokal se edhe kur po ndërtojnë shtigje për biçikleta, nuk po i respektojnë standardet ndërkombëtare. Megjithatë, shpreson se ky trend në ngritje do të afrojë sa më shumë të rinj me çiklizmin.
“Fushatat promovuese duhet shtuar. Sidoqoftë, fushatat e biçikletave do të prodhonin rezultate më të mira kur bëhen krah për krah me investime në infrastrukturë rrugore për çiklizëm”, thotë Gojani. “Një gjë e tillë ofron siguri te qytetarët potencialë për të çikluar”.
Çiklistët vite më parë kanë organizuar protesta pasi një shofer makine ia mori jetën një çiklisti në kryeqytet. Erdhën me biçikleta nga të gjitha vendet e Kosovës në sheshin e Prishtinës për t’iu kërkuar autoriteteve të sigurisë rrugore që të shtojnë masat për mbrojtjen e çiklistëve.
“Kerri është sëmundje”
Qarkullimi i madh përgjatë rrugës “Epopeja e Jezercit” nga qyteti i Ferizajt deri në fshatin më të thellë malor është arsyeja kryesore pse Blerim e Mirlind Qerimi preferojnë rrugët me më pak qarkullim mjetesh motorike. Megjithatë, Mirlind Qerimi po vazhdon traditën e gjysh Ymerit, i cili prej përfundimit të Luftës së Dytë Botërore kishte përdorur vetëm biçikletën. “Ka punu si mbikëqyrës rruge, si inxhinierët e rrugës tani. Deri në Carralevë ka shku me biçikletë”, thekson Mirlind Qerimi, i cili nuk e di nëse do të dalë me biçikletë edhe pas kthimit të normalitetit. Ama më i lidhur me biçikletën është Blerim Qerimi. “I kam dy-tri kerre, iu grahin djemtë, por unë kurrë s’i preki. Kerri është sëmundje. E kam tullusum”, thotë Blerim Qerimi mbi qytetin, që dikur kishte traditë të përdorimit të biçikletave.
Pos lidhjes me fshatin e prejardhjes së gjyshit, binjakët Hasani, preferojnë më shumë rrugën drejt Jezercit edhe për shkak të dobisë shëndetësore që ka pedalimi në natyrë. “I bëj çdo ditë nga gjashtë deri në dhjetë kilometra në trakë në shtëpi, ama ndryshimi në natyrë është shumë i madh”, thekson Emerjon Hasani në Jezerc. “Në trakë, ta zëmë, e cakton shpejtësinë dhe i përshtatesh, e në natyrë me biçikletë, je i lirë qysh të duash vetë. Po i bëjmë njëzet deri në tridhjetë kilometra në ditë”, shton Erdoni, babai i të cilëve, Fatmir Hasani, tashmë ka nisur ndërtimin e një vile në “Verrishtë” për t’u kthyer për qejf në tokën e të parëve. Derisa binjakët lëshohen teposhtë drejt qytetit, afër lokacionit të njohur si “bashkimi i dy lumenjve” – dy degë të Nerodimes – kalojnë pranë lapidarit të dëshmorit të parë të Komunës së Ferizajt, Nazmi Ukësmajli. Poshtë flamurit kombëtar, në pllakën e zezë, reflektojnë shkronjat e bardha poshtë portretit të heroit: “Gjaku yt u bë themel i lirisë”.